Lajme

Tym gri në Alaska, s’ka armëpushim, detaje nga takimi Trump – Putin

Pas një takimi me dyer të mbyllura që zgjati më pak se tre orë, presidenti rus Vladimir Putin hapi konferencën për shtyp krah mikpritësit Donald Trump.

Kishin kaluar shtatë vjet që kur Putin shfaqej për herë të fundit krah një presidenti amerikan në një dalje të përbashkët, edhe asokohe me Trump.

Fillimisht shefi i Kremlin-it theksoi se negociatat me Donald Trump u zhvilluan në “një atmosferë konstruktive respekti të ndërsjellë”.

Ai tha se bisedimet ishin shumë të hollësishme dhe të dobishme, duke falënderuar Trump për propozimin e samitit në Alaska.

Putin theksoi se për të përfunduar luftën në Ukrainë, duhet të eliminohen shkaqet kryesore të konfliktit.

“Situata në Ukrainë ka të bëjë me kërcënimet themelore për sigurinë tonë”, tha ai, dhe nënvizoi se duhet të merren në konsideratë të gjitha shqetësimet legjitime të Rusisë.

Ai shtoi se pajtohet me Trump për sigurinë e Ukrainës dhe shprehu shpresën se marrëveshjet e arritura do të afrojnë palët drejt paqes.

Pas fjalës së Putinit, Donald Trump e përshkroi takimin si “shumë produktiv” dhe falënderoi presidentin rus për deklaratën e tij të thellë.

“Do të filloj të bëj disa telefonata dhe do t’u tregoj atyre se çfarë ndodhi”, tha ai, duke theksuar se shumë pika u ranë dakord, por ende nuk ka marrëveshje përfundimtare.

Trump tha se do të kontaktojë NATO-n dhe presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky për t’i informuar mbi zhvillimet e takimit.

Gjatë konferencës, Putin i paralajmëroi udhëheqësit e Kyiv-it dhe kryeqytetet evropiane të mos ndërhyjnë dhe të mos krijojnë pengesa për progresin e negociatave.

“Ne presim që Kyiv-i dhe kryeqytetet evropiane do ta perceptojnë të gjithë këtë në një mënyrë konstruktive dhe nuk do të bëjnë përpjekje për të prishur progresin përmes provokimeve dhe intrigave prapa skenave”, tha ai.

Trump, duke iu përgjigjur atmosferës së samitit, shtoi: “Patëm një takim jashtëzakonisht produktiv dhe u ra dakord për shumë pika. Nuk kemi arritur ende atje, por kemi një shans shumë të mirë për të arritur”.

Ai theksoi se nuk ka marrëveshje derisa të ketë një marrëveshje dhe se do të bëjë telefonata me zyrtarët e duhur për të ndjekur rezultatet e samitit.

Konferenca për shtyp përfundoi pa pyetje nga gazetarët, ndërsa Trump falënderoi Putinin dhe theksoi mundësinë e takimeve të ardhshme.

“Do të flasim me ju shumë shpejt dhe ndoshta do të shihemi përsëri shumë shpejt”, tha ai, ndërsa Putin iu përgjigj shkurt: “Herën tjetër në Moskë”.

Trump shtoi: “Kjo do të jetë interesante. Do të kritikohem pak për këtë, por mund ta shoh të ndodhë”.

Çfarë ndodhi?

Takimi i nivelit të lartë në bazën ajrore Elmendorf-Richardson në Anchorage, Alaska, tërhoqi vëmendjen ndërkombëtare për shkak të kombinimit të përshëndetjes së ngrohtë, elementeve simbolike dhe sfidave të sigurisë globale.

Putin hipi në limuzinën e Trump, të njohur si “Bisha”, duke përforcuar imazhin e një takimi të ngrohtë dhe miqësor, pavarësisht akuzave për krime lufte që rëndojnë mbi presidentin rus.

Pritja përfshinte tapet të kuq, nderime ushtarake dhe një fluturim demonstrues të avionëve amerikanë, përfshirë bombarduesin B-2, duke i dhënë spektaklit një dimension ushtarak dhe diplomatik të fuqishëm.

Momenti i përshëndetjes në pistë midis Trump dhe Putinit, i shoqëruar me buzëqeshje dhe duarshtrëngime, ofroi një kontrast të fortë me takimin e tensionuar që Trump pati me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky në fund të muajit shkurt.

Reagimet nga Ukraina ishin të ashpra, duke e konsideruar pritjen me tapet të kuq për Putinin si një akt provokues dhe të papranueshëm. Gazetarët e pyetën Putinin nëse do të ndalonte vrasjen e civilëve, por ai iu përgjigj me indiferencë dhe buzëqeshje.

Takimi fillestar u planifikua të ishte një bisedë një-për-një mes dy liderëve, por pak minuta pas mbërritjes së Trump në Alaska, u njoftua ndryshimi i formatit dhe përfshirja e stafit kryesor.

Pala ruse ishte e përbërë nga Yuri Ushakov, këshilltar i politikës së jashtme dhe ish-ambasador në SHBA, Sergey Lavrov, ministër i Jashtëm që nga 2004, dhe përkthyesi personal i Putinit.

Nga pala amerikane, bisedimet i shoqëronin Steve Witkoff, i dërguar special për Lindjen e Mesme dhe Rusinë, Marco Rubio, sekretar i Shtetit dhe këshilltar i sigurisë kombëtare, si dhe përkthyesi personal i Trump./Albaniapost

3sgIgLJ.png
3svPxtI.png