Në podcast-in e tij, komentatori konservator, Tucker Carlson i ekstremit të djathtë pretendon se lëvizja çifute Chabad po nxit konfliktin për të shkatërruar Xhaminë Al-Aksa dhe për të ndërtuar Tempullin e Tretë në Jerusalem
Personazhi mediatik antisemit Tucker Carlson, një nga komentatorët më me ndikim në botë, që arrin tek qindra miliona njerëz në internet, ka shkaktuar një stuhi në rrjetet sociale me teorinë e tij më të çmendur të konspiracionit deri më sot.
Gjatë një episodi të podcast-it të tij të titulluar “Përditësim mbi Luftën: Motivi e vërtetë i Izraelit”, Carlson vuri në dyshim arsyen pse disa ushtarë izraelitë ishin fotografuar duke mbajtur arna me mbishkrimin “Beis Hamikdosh” (Tempulli), duke sugjeruar se qëllimi i vërtetë i luftës së Izraelit ishte shkatërrimi i Xhamisë Al-Aksa në Malin e Tempullit.
“Kur sheh ushtarë të armatosur që mbajnë simbole fetare që lidhen me një tempull që nuk ekziston prej mijëra vjetësh, është e arsyeshme të pyesësh: çfarë po ndodh këtu?” – pyet Carlson.
Ai argumenton se nuk po bën akuzë, por po ngre një pikëpyetje që media kryesore po e shmang. Sipas tij, nëse ushtarët mbajnë këto simbole, kjo tregon se një pjesë e ushtrisë izraelite mund të ketë motivime fetare që shkojnë përtej mbrojtjes së kufijve.
“Kjo ka ndodhur prej kohësh publikisht, pjesërisht përmes përpjekjeve të një grupi të quajtur Chabad,” shpjegoi Carlson, duke i përshkruar Chabad-in, që udhëhiqet nga Rebbe-u nga Bruklini, si “njerëz të mirë të angazhuar në të gjitha llojet e aktiviteteve bamirëse, përfshirë rehabilitimin nga droga”, duke thënë se “ka shumë gjëra te Chabad-i që janë vërtet të mira”.
Megjithatë, Carlson argumenton se, pavarësisht këtyre aspekteve pozitive, Chabad ka një axhendë afatgjatë që rrallë diskutohet hapur:
“Nëse lexon literaturën dhe kupton historinë e tyre, Chabad ka shtyrë prej kohësh, në mënyrë delikate, për rindërtimin e Tempullit të Tretë. Kjo nuk është sekrete – është pjesë e besimit të tyre.”
Carlson argumenton se arnat që mbajnë ushtarët mund të kenë lidhje me këtë vizion. Ai përmend se, sipas kërkimeve që ka bërë ekipi i tij, këto arna mund të vijnë nga grupe që ndajnë këtë vizion me Chabad-in.
“Pyetja ime është e thjeshtë: kur një ushtri moderne mban simbole që lidhen me rindërtimin e një tempulli në vendin ku sot ndodhet një xhami, a nuk duhet të diskutohet kjo hapur? A nuk meriton publiku të dijë se cilat janë motivet e plota të luftës?”
Carlson argumenton se nuk po bën një teori konspirative, por po ngre një pyetje legjitime për debat publik. Ai thekson se çdo konflikt duhet kuptuar në të gjitha dimensionet e tij; politik, ushtarak dhe fetar.
“Unë nuk kam një përgjigje definitive, por kam një pyetje që askush tjetër nuk po e bën: pse ushtarët izraelitë mbajnë simbolet e Tempullit dhe çfarë do të thotë kjo për të ardhmen e rajonit?”
Deklaratat e Carlson kanë nxitur diskutime të shumta në rrjetet sociale, me mbështetës që vlerësojnë guximin e tij për të ngritur pyetje të pakëndshme dhe kritikë që shprehin shqetësim për mënyrën se si trajtohet kjo temë delikate.

