Shtetet e Bashkuara kanë zgjatur urdhrin ekzekutiv për Emergjencën Kombëtare të shpallur në Ballkanin Perëndimor me të paktën edhe një vit tjetër.
Vendimi është publikuar tashmë në Regjistrin Federal dhe pritet t’i transmetohet Kongresit, ku kërkohet që urdhri ekzekutiv të vazhdojë të jetë në fuqi përtej 26 qershorit 2025.
Në dokument thuhet se situata në Ballkanin perëndimor vijon të jetë e paqëndrueshme dhe se mund të përbëjë një kërcënim të pazakontë dhe të jashtëzakonshëm për sigurinë kombëtare dhe politikën e jashtme të Shteteve të Bashkuara.
Këtu theksohen veprimet e personave që kërcënojnë paqen dhe përpjekjet nddërkombëtare për stabilizimin e rajonit. Shumë prej këtyre veprimeve, thuhet në dokument, pengojnë përparimin drejt qeverisjes efektive dhe demokratike dhe integrimin e plotë në institucionet transatlantike.
Urdhri më i fundit, që kërkon zgjatjen me një vit të emergjencës, u nënshkrua më 8 janar të vitit 2025, kur Joe Biden ishte ende në detyrë. Kjo tregon se politikat e Shteteve të Bashkuara për rajonin, mbeten në thelb të njëjta, pavarësisht ndryshimit të administratave.
Urdhri ekzekutiv u firmos fillimisht më 26 qershor të vitit 2001 nga ish-Presidenti George Ë. Bush, i cili shpalli një emergjencë kombëtare në lidhje me Ballkanin Perëndimor, referuar kryesisht situatës në Maqedoninë e Veriut, shkeljes së Marrëveshjes së Dejtonit në Bosnje dhe Hercegovinë, apo Rezolutës 1244 të Kombeve të Bashkuara për Kosovën.