Presidenti amerikan Donald Trump akuzoi paraardhësin e tij, Barack Obama, se ka zbuluar informacion të klasifikuar pasi ky i fundit foli për jetën jashtëtokësore në një podcast.
Duke folur para gazetarëve në bordin e Air Force One, Trump deklaroi: “Ai dha informacion të klasifikuar, nuk duhet ta bënte këtë.” I pyetur nëse kjo do të thotë se alienët ekzistojnë, Trump u përgjigj se nuk e di “nëse janë realë apo jo”, por përsëriti se Obama kishte bërë publike informacione të ndaluara. Ai shtoi se mund ta “nxirrte nga telashet” ish-presidentin duke deklasifikuar materialet përkatëse.
Komentet e Trump erdhën pasi Obama, gjatë një interviste me komentatorin Brian Tyler Cohen, u pyet për jetën jashtëtokësore dhe u përgjigj: “Ata janë realë.” Ai shtoi menjëherë se nuk i ka parë dhe se “nuk mbahen në Area 51”.
Deklarata nxiti reagime dhe spekulime në rrjetet sociale, por Obama më vonë sqaroi qëndrimin e tij. Në një postim në Instagram, ai theksoi se, nga pikëpamja statistikore, përmasat e universit e bëjnë të mundshme ekzistencën e jetës diku tjetër, por distancat mes sistemeve diellore janë aq të mëdha sa gjasat për vizita nga alienë mbeten të ulëta. “Gjatë presidencës sime nuk pashë asnjë provë që jashtëtokësorët kanë pasur kontakt me ne. Vërtet!” shkroi ai.
