Presidenti amerikan, Donald Trump, ka deklaruar se një aneksim i Bregut Perëndimor nga Izraeli nuk do të ndodhë.
“Një gjë e tillë nuk do të ndodhë. Nuk do të ndodhë sepse i dhashë fjalën vendeve arabe. Izraeli do të humbiste të gjithë mbështetjen nga Shtetet e Bashkuara nëse kjo ndodhte”, tha Trump gjatë një interviste të gjatë me revistën TIME.
Ky zhvillim përbën një tjetër hap në strategjinë e Trumpit për të riformatuar Lindjen e Mesme. Gjatë nëntë muajve të fundit, SHBA-të kanë goditur infrastrukturën bërthamore të Iranit dhe kanë kontribuar në rënien e ndikimit të Teheranit në rajon. Pasojat e këtyre sulmeve kanë çuar në rënien e regjimit të Assadit në Siri, ndërsa qeveritë e reja në Damask dhe Bejrut kanë sinjalizuar hapje ndaj Washingtonit.
Trump ka përdorur një qasje tipike “dealmaker”-i, duke kombinuar presionin me joshjen, për të sjellë në tryezë dy armiq të betuar si Hamas dhe Netanyahu. “Ai po i prish të gjitha parimet tradicionale të diplomacisë së Lindjes së Mesme,” tha historiani dhe ish-ambasadori izraelit në SHBA, Michael Oren. “Trump po rikthen hegjemoninë amerikane në rajon – dhe deri tani, e ka arritur”.
Sipas vetë Presidentit, suksesi buron nga përdorimi i forcës ushtarake amerikane. Ai kujton vrasjen e gjeneralit iranian Qasem Soleimani gjatë mandatit të parë dhe sulmet e pranverës së kaluar ndaj tre objekteve bërthamore iraniane. “Asnjë President nuk ka qenë i gatshëm ta bëjë këtë. Unë isha. Dhe falë kësaj, kemi një Lindje të Mesme ndryshe”, tha Trump.
Megjithatë, armëpushimi mbetet i brishtë. Hamasi nuk ka dorëzuar ende trupat e të gjithë pengjeve izraelite, duke shtyrë Izraelin të mbyllë kalimin e Rafahut dhe të kufizojë ndihmat. Videot në rrjet tregojnë përplasje të armatosura dhe ekzekutime në Gaza. Më 19 tetor, Izraeli akuzoi Hamasin për shkelje të armëpushimit pas disa sulmeve ndaj trupave të tij. Për të shmangur kolapsin e marrëveshjes, Trump dërgoi në rajon zëvendëspresidentin J.D. Vance.
Faza e dytë e procesit përfshin përkufizimin e kufijve të tërheqjes izraelite, çarmatosjen e Hamasit, dhe vendosjen e një force paqeruajtëse, si dhe përcaktimin e qeverisjes së Gazës pas luftës. Ish-ambasadori amerikan Dan Shapiro paralajmëron se situata mund të kthehet në një “konflikt të ngrirë”, ku Izraeli kontrollon gjysmën e Gazës dhe Hamasi tjetrën, pa rindërtim real.
Me gjithë dyshimet, politika e jashtme e Trumpit ka thyer pritshmëritë tradicionale. Doktrina “America First”, dikur sinonim i izolacionizmit, është shndërruar në një diplomaci personale dhe pragmatike.
Ndërsa i ka lejuar Rusisë të forcojë ndikimin në Evropë dhe Kinës në Indo-Paqësor, Trump ka rikthyer fuqinë amerikane në Lindjen e Mesme, duke forcuar lidhjet me Arabinë Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Katarin. Ai pret që Riad të normalizojë marrëdhëniet me Izraelin dhe të bashkohet me Marrëveshjet e Abrahamit brenda këtij viti.
Trump madje ka paralajmëruar një vizitë në Gaza, teksa SHBA dhe aleatët po përgatisin një plan për rindërtimin e territorit. Ai vizionon një Lindje të Mesme të integruar ekonomikisht, me linja hekurudhore nga Mesdheu në Gjirin Persik, marrëveshje tregtare të lira dhe një rrjet të ri energjie rajonale.
Në fund, Trump thekson se sekreti i suksesit të tij është vetë ai.
“Gjëja më e rëndësishme”, tha ai për TIME, “është që ata duhet të respektojnë Presidentin e Shteteve të Bashkuara. Lindja e Mesme duhet ta kuptojë këtë. Është pothuajse më shumë Presidenti se sa vetë vendi”.


