Presidenti amerikan shpjegoi gjithashtu pse operacionet ushtarake nuk kanë synuar disa infrastruktura jo-ushtarake…
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, deklaroi se fundi i luftës është pranë, gjatë një interviste ekskluzive për median amerikane PBS, ku foli për herë të parë në mënyrë të detajuar për zgjedhjet strategjike të Uashingtonit në Iran.
Trump tha se kostoja ushtarake për SHBA-në është “e papërfillshme”, por theksoi se Irani ende nuk është gati të ulet në tryezën e negociatave.
Në intervistë, presidenti amerikan shpjegoi gjithashtu pse operacionet ushtarake nuk kanë synuar disa infrastruktura jo-ushtarake.
Ai përmendi veçanërisht ishullin Khark, një qendër e rëndësishme për eksportin e naftës iraniane.
“Ishulli Khark është jashtë funksioni, përveç tubacioneve që vendosa të mos i godas. Nuk doja t’i shkatërroja, sepse do të duheshin vite për t’i rindërtuar. Por ua kam thënë qartë: nëse është e nevojshme, do ta godasim dhe do ta shkatërrojmë plotësisht”, tha Trump.
Presidenti amerikan shtoi se administrata e tij ka shmangur edhe goditjen e disa infrastrukturave në Teheran, për të mos shkaktuar pasoja afatgjata për rindërtimin e vendit.
“Kam lënë shumë infrastrukturë në Teheran sepse, nëse e shkatërron, rindërtimi zgjat vite. Mund të rrëzoj stacione të prodhimit të energjisë brenda një ore, por më pas do të ishte një proces shumëvjeçar rindërtimi. Do të ishte një traumë, ndaj përpiqem ta shtyj një gjë të tillë”, u shpreh ai.
Duke folur për ndikimin ekonomik të përfundimit të konfliktit, Trump parashikoi gjithashtu ndryshime të mëdha në tregjet globale të energjisë.
“Kur gjithçka të përfundojë, çmimet e naftës do të bien si gur”, deklaroi presidenti amerikan në intervistën për PBS.

