Shkruar nga Fulvio Scaglione
Nëse SHBA dhe Izraeli kanë humbur, nuk është e thënë që Irani ka fituar…
Si në të gjitha luftërat bashkëkohore, edhe për atë në Iran nuk është e lehtë të përcaktohen kufijtë e koncepteve të fitores dhe humbjes. Në këtë rast, dimë se ka pasur një humbje për Shtetet e Bashkuara: nisën për ta shkatërruar Iranin brenda pak ditësh, por u përfshinë në një luftë që rrezikoi të shkaktonte një krizë ekonomike globale, zemëroi gjysmën e botës, favorizoi rivalët historikë (Rusia dhe Kina) dhe nuk arriti asnjë nga objektivat e vendosura, as ndryshimin e regjimit dhe as atë kryengritje të iranianëve për të cilën vetëm të pamendët mund të fantazonin. Brenda botës amerikane, kjo përbën një humbje për kampin neokonservator që dukej se kishte marrë kontrollin e Shtëpisë së Bardhë, nga ministri i Luftës Pete Hegseth te sekretari i Shtetit Marco Rubio.
Ka pasur edhe një humbje për Benjamin Netanyahun dhe izraelitët. Për Netanyahun, i cili publikonte vazhdimisht video ku mburrej se mund të riformësonte Lindjen e Mesme sipas dëshirës, sepse shpallja e një armëpushimi dyjavor bëri të qartë një realitet: fuqia ushtarake e Izraelit funksionon deri aty ku nuk përballet me kundërshtim serioz. Bombardimi i Libanit apo Sirisë pa mbrojtje ajrore, ose i Rripit të Gazës, është i lehtë.
Sulmi ndaj Iranit është shumë më i vështirë dhe është pothuajse një mrekulli që dronët dhe raketat iraniane, të cilat depërtuan rregullisht në sistemet si Iron Dome, shkaktuan një numër kaq të ulët viktimash. Me fjalë të tjera: Izraeli shkon deri aty sa i lejon mbështetja amerikane. Kur SHBA thotë ndal, si në këtë rast, atëherë ndalet. Dhe kjo është humbje edhe për izraelitët, sepse sondazhet tregojnë se 82% e qytetarëve izraelitë (93% mes hebrenjve) mbështesnin luftën kundër Iranit.
Por a mjafton kjo për të thënë se Irani ka fituar? Sipas mendimit tim, jo. Para së gjithash, sepse bëhet fjalë për një armëpushim, jo për paqe. Sigurisht, Irani nuk u rrëzua, përkundrazi, vuri nën presion Ngushticën e Hormuzit dhe vendet fqinje të Gjirit Persik. Negociatat që nisin në Islamabad të premten do të kenë si bazë fillestare dhjetë pikat e hartuar në Teheran. Por çfarë do të ndodhë nëse negociatat dështojnë? Dhe çfarë do të duhet të japë Irani për t’i bërë ato të suksesshme, duke qenë se çdo zgjidhje do të jetë domosdoshmërisht kompromis? Për më tepër, pa dashur të bëjmë parashikime të zymta: ka ndodhur tashmë dy herë që SHBA ka sulmuar Iranin gjatë negociatave. Mund të jetë rastësi, por transporti ajror i avionëve C-17 amerikanë vazhdon të zhvendosë trupa dhe mjete drejt Lindjes së Mesme. Nuk ka dy pa tre, thuhet shpesh, por le të presim të paktën fundin e armëpushimit para se të tregojmë optimizëm.
Armëpushimi qëndron, marrëveshja arrihet, po pastaj?
Një tjetër çështje: le të supozojmë se armëpushimi do të mbahet, negociatat do të zhvillohen dhe një marrëveshje do të arrihet. Çfarë ndodh më pas? Disa pika reflektimi:
Së pari: kush do të qeverisë në Iran? Deri tani kanë mbijetuar disa figura të nivelit të lartë: presidenti Masoud Pezeshkian, ministri i Jashtëm Abbas Araghchi dhe kryetari i Parlamentit Mohammad Bagher Ghalibaf. Pastaj është edhe udhëheqësi suprem trashëgimtar, Mojtaba Khamenei, djali i Ali Khameneit të ndjerë: për të nuk dihet as nëse është gjallë dhe nuk duket si një figurë që mund të marrë drejtimin e vendit. Të parët konsiderohen pjesë e kampit “moderat” dhe Ghalibaf është emëruar drejtues i delegacionit në negociatat me SHBA.
Një rol i rëndësishëm, por edhe i rrezikshëm: nëse negociatat shkojnë mirë, ai do të përfitojë politikisht; nëse dështojnë, përgjegjësia do të bjerë mbi të. Megjithatë, ekziston një realitet i fortë: “fitorja” ka qenë kryesisht ushtarake, e ushtrisë dhe Gardës Revolucionare. Do të jetë e vështirë që këto struktura të mos kërkojnë shpërblim në formën e posteve dhe ndikimit. Për këto struktura dhe figurat e tyre më me ndikim dihet pak, si për shkak të humbjeve nga sulmet amerikane dhe izraelite, ashtu edhe për shkak të organizimit të fshehtë që ka mbajtur Irani.
Së dyti: deri në çfarë mase mund të priten reforma në pushtetin iranian? Përtej sanksioneve perëndimore dhe të ardhurave nga eksportet e naftës dhe gazit (80% e totalit), ekziston e ashtuquajtura “Ekonomia e Ajatollahëve”. Konglomerati më i madh industrial, Khatam al-Anbiya, kontrollohet nga Garda Revolucionare dhe menaxhon porte, naftësjellës, autostrada dhe projekte publike. Po ashtu janë fondacionet bonyad, të krijuara që në kohën e Khomeinit, të cilat sot kontrollojnë sektorë të mëdhenj të ekonomisë. Këto struktura operojnë jashtë kontrollit të qeverisë dhe përfitojnë nga përjashtime të gjera fiskale. Ky sistem pasuron një elitë të privilegjuar dhe siguron mbështetje për regjimin, duke e bërë të vështirë kthimin e protestave në revolucion. Pa ndryshime në këtë sistem, Irani do të mbetet një teokraci autoritare dhe joefikase.
Së treti: duke iu përgjigjur sulmeve të SHBA-së dhe Izraelit, Irani ka goditur disa vende fqinje, Arabinë Saudite, Omanin, Katarin, Bahreinin, Kuvajtin dhe Irakun, duke u izoluar edhe më shumë. Në këto kushte, a do të heqë dorë Irani nga ambiciet për dominim rajonal? A do të tërhiqet Hezbollah nga përballja me Izraelin? Si do të jenë marrëdhëniet e Iranit me pjesën tjetër të Lindjes së Mesme?
Këto janë pyetje që lidhen drejtpërdrejt me këtë armëpushim. Ka dy javë kohë për reflektim. Sidomos për ata që kanë mbështetur këtë luftë, shpesh mbi baza të dobëta njohjeje dhe gjykimi./ Përshtati “Pamfleti”, nga “InsideOver”.

