Lajme

Trefishohet inkasimi nga tatimi i pronës në Tetovë

Komuna e Tetovës ka trefishuar arkëtimin e tatimit në pronë krahasuar me vitet e mëhershme. Kështu thonë nga Sektori për Financa në Komunën e Tetovës. Nga ky sektor vlerësojnë se dukshëm është rritr niveli i pagesës së tatimit në pronë si tek personat fizikë po ashtu edhe tek personat juridikë. Nga ky sektor thonë se deri tek rritja e pagesës së tatimit në pronë ka ardhur për shkak se të neglizhencës së të dhënave.

“Që nga fillimi i mandatit ne jemi përkushtuar për azhurnimin e të dhënave nga data baza e komunës, të cilën e gjetëm, të cilën e gjetëm në një gjendje jo të mirë dhe me pagesa shumë të ulëta të tatimeve. Vlen të theksohet se në vitin 2020 pagesa e tatimit në pronë për persona fizikë ka qenë 15 milion denarë, kurse në vitin e fundit kalendarik pra në vitin 2024, qytetarët kanë paguar tatim në pronë në vlerë rreth 51 milionë denarë. Ndërsa, sa i përket tatimit në pronë për personat juridik, të ardhurat në vitin 2020 kanë qenë rreth 5 milionë denarë, kurse deri në këtë periudhë të ardhurat janë 21 milionë denarë”, deklaroi Nuredin Deari, udhëheqës i Sektorit për Financa dhe Buxhet në Komunën e Tetovës.

Më tej, nga sektori për financa në Komunën e Tetovës thonë se një nga arsyet që është trefishuar pagesa e tatimeve është edhe rritja e besueshmërisë në këtë institucion. “Nëse bëjmë krahasim të të ardhurave që arkëtohen nga tatimet në pronë me periudhën e kaluar, kemi trefishim të pagesës dhe kjo është falë angazhimit dhe besueshmërisë që qytetarët kanë krijuar për komunën. Pengesë ka qenë mos shpërndarja në kohë e vendimeve për pagesë të tatimeve dhe mos azhurnimi i të gjitha pronave që i ka Komuna e Tetovës”, njofton udhëheqësi i sektorit për financa, Nuredin Deari.

Gjithsej në Komunën e Tetovës, janë të regjistruar rreth 28 mijë persona fizikë respektivisht qytetarë që kanë prona dhe 350 persona jurdikë respektivisht kompani që kanë prona. Në Komunën e Tetovës po ashtu janë të regjistruara 5500 ndërmarrje të vogla dhe të mesme dhe në të njëjtën kohë theksohet se edhe tek kjo kategori e tatimpaguesve të hyrat janë trefishuar. Të hyrat nga këto taska janë rreth 7 milionë e 800 mijë denarë, tha Deari. “Duke marrë parasysh se të hyrat kryesore të Komunës janë nga tatimet e ndryshme, siç janë tatimi në pronë për qytetarët dhe kompanitë private, por edhe taksat tjera, për çdo vit kemi pasur rritje të këtyre të hyrave dhe kjo është falë punës dhe realizimin e buxhetit, ku e kemi ulur edhe borxhin. Pra, falënderojmë qytetarët që nga viti në vit paguajnë tatimet dhe kjo është në rritje e sipër”, tha Deari.

Nga Sektori i Financave në Tetovë thonë se inkasimi i tatimeve në pronë ka kaluar pritshmëritë e vet komunës. (koha.mk)

3sgIgLJ.png
KddZqn1.gif