Lajme

Tre skenarët e së ardhmes: Tranzicion demokratik, kaos apo protektorat ushtarak?

Një analizë e thelluar e faktorëve gjeopolitikë dhe forcave të brendshme që do të përcaktojnë nëse kapja e Nicolás Maduros do të shërbejë si katalizator për rilindjen demokratike të Venezuelës, apo si hapja e një “Kutie të Pandorës” që do të çojë drejt një faze të re të dhunës asimetrike dhe fragmentimit të shtetit...

Operacioni i nisur mëngjesin e sotëm në Karakas, i koduar me emrin “Shtiza Jugore”, shënoi përfundimin e një strategjie të gjatë izolimi të ndërtuar nga administrata e dytë Trump. Për vite me radhë, Uashingtoni kishte lëvizur midis sanksioneve ekonomike dhe presionit diplomatik, por ishte emërimi i Marko Rubios si Sekretar Shteti ai që e ndryshoi rrënjësisht lojën.

Rubio arriti të ngrinte një kornizë ligjore dhe politike ku Nikolas Maduro nuk trajtohej më si një lider legjitim, por si kreu i një “narko-shteti” transnacional. Ky ri-etiketim e lejoi SHBA-në që sulmin ta formulonte jo si një akt lufte tradicionale, por si një operacion masiv të zbatimit të ligjit kundër narko-terrorizmit.

Logjika e “prerjes së kokës” (Decapitation Strike) u ekzekutua me saktësi nga forcat speciale amerikane. Brenda pak orësh, mbrojtja ajrore e Venezuelës u neutralizua dhe forcat speciale Delta depërtuan në qendrat e komandës, duke kapur Maduron dhe rrethin e tij të ngushtë.

Ky moment nuk ishte thjesht një fitore ushtarake; ai ishte një goditje e fortë që synonte të shkatërronte besimin e ushtrisë tek regjimi. Duke e nxjerrë Maduron jashtë vendit për t’u përballur me drejtësinë amerikane, SHBA-ja krijoi një vakum të menjëhershëm, duke i detyruar pasardhësit e tij të zgjedhin midis rezistencës së dëshpëruar dhe negociatave për mbijetesë.

Pasardhësit dhe lufta për trashëgiminë e Çavizmit

Me kapjen e Maduros, pyetja më e rëndësishme është: kush mund t’i mbajë bashkë mbeturinat e “Revolucionit Bolivarian”? Kandidatja e parë sipas hierarkisë është zëvendëspresidentja Delsi Rodrigez. Ajo përfaqëson vazhdimësinë ideologjike dhe lidhjen e ngushtë me rrjetet e inteligjencës.

Megjithatë, Rodrigez përballet me një sfidë ekzistenciale: pa karizmën e dikurshme të Çavezit apo kontrollin e hekurt të Maduros mbi flukset e parave, pushteti i saj është kryesisht retorik. Ajo po tenton të aktivizojë “Kushtetutën” për të shpallur veten presidente legjitime, por pa një njohje ndërkombëtare dhe me llogari bankare të ngrira, autoriteti i saj po zbehet nga ora në orë.

Në hije qëndron Diosdado Kabejo, njeriu i fortë i partisë (PSUV) dhe i lidhur ngushtë me strukturat ushtarake dhe paraushtarake. Kabejo është figura më e rrezikshme për një tranzicion paqësor sepse, në dallim nga Rodrigez, ai kontrollon “colectivos” (grupet e armatosura) dhe ka mbështetjen e disa segmenteve të vijës së ashpër të ushtrisë që i frikësohen ekstradimit në SHBA.

Skenari i një “rezistence në bunker” udhëhequr prej tij mund ta kthejë Karakasit në një zonë konflikti urban. Nga ana tjetër, figura që pritet të marrë frenat e tranzicionit civil është Maria Korina Maçado. E njohur për qëndrimin e saj të pakompromis kundër regjimit aktual, ajo gëzon një legjitimitet të madh popullor dhe mbështetjen e pakursyer të Uashingtonit.

Sfida e saj kryesore është të shndërrohet nga një udhëheqëse e opozitës në një presidente të unitetit kombëtar, duke bindur oficerët e mesëm të ushtrisë se e ardhmja e tyre është më e sigurt në një Venezuelë demokratike sesa në një luftë civile për llogari të elitave të vjetra çaviste.

Tre skenarët e mundshëm

E ardhmja e Venezuelës pas ngjarjeve të sotme luhatet midis tre skenarëve kryesorë.

  1. “Tranzicion i kontrolluar”: Ky është skenari optimist i SHBA-së: ushtria braktis pasardhësit e Maduros në këmbim të amnistisë, Delsi Rodrigez detyrohet të arratiset jashtë vendit dhe një qeveri kalimtare e udhëhequr nga Maçado shpall mbajtjen e zgjedhjeve të lira brenda 6 muajve. Ky skenar kërkon një injektim masiv kapitali për të stabilizuar monedhën vendase dhe për të siguruar furnizimin me ushqime, duke e blerë kështu qetësinë sociale.
  2. “Fragmentim alla somalez”: Nëse ushtria ndahet në fraksione dhe Kabejo aktivizon grupet paraushtarake, vendi mund të rrëshqasë në një konflikt asimetrik. Në këtë rast, pasardhësit e Maduros nuk do të qeverisnin më shtetin, por do të udhëhiqnin kartele dhe celula guerile që kontrollojnë burimet e naftës dhe minierat e arit në jug. Ky skenar do të kërkonte një prani të zgjatur ushtarake amerikane, diçka që Trump ka dëshirë ta shmangë për të mos u përfshirë në “një Irak tjetër”.
  3. “Protektorat ushtarak”: Në këtë variant, ushtria e merr pushtetin për të “rivendosur rendin”, duke mënjanuar edhe pasardhësit e Maduros, edhe opozitën civile. Ky do të ishte një model tranzicioni i stilit egjiptian, ku gjeneralët premtojnë demokraci por mbajnë kontrollin mbi ekonominë dhe sigurinë.

Në rrafshin gjeopolitik, apatia e Rusisë dhe Iranit (pavarësisht deklaratave formale) sugjeron se ata po presin të shohin se cili nga këta skenarë do të triumfojë. Moska nuk do të rrezikojë një luftë për një regjim që tashmë ka rënë, por me siguri që do të përdorë dezinformimin për të nxitur ndjenjat anti-amerikane, sidomos nëse tranzicioni bëhet i dhunshëm.

Fati i Venezuelës nuk varet më nga kapja e një njeriu, por nga aftësia e Uashingtonit dhe opozitës për të menaxhuar pasardhësit e regjimit pa e kthyer vendin në një vatër zjarri në zemër të Amerikës Latine./ Përshtati “Pamfleti” nga “Lansing Institute”

3sgIgLJ.png