Lajme

Tragjedi/ Shembet skela, humbin jetën 4 shqiptarë

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në Vjenë, ku shembja e skelave në një kantier ndërtimi u mori jetën katër punëtorëve shqiptarë. Një tjetër, në gjendje kritike.

Një aksident i rëndë në një kantier ndërtimi në Vjenë të Austrisë ka përfunduar në tragjedi, duke lënë katër persona të vdekur dhe një të plagosur rëndë.

Ngjarja ndodhi pasditen e sotme në lagjen Alsergrund, në rrugën Porzellangasse, gjatë punimeve për rikonstruksionin e një papafingoje. Sipas autoriteteve austriake, skelat dhe kolonat e betonit u shembën rreth orës 14:30, duke rrëzuar disa punëtorë në oborrin e një ndërtese të vjetër.

Sipas raportimeve të mediave dhe familjarëve, viktimat dyshohet se janë shtetas nga Kosova. Mes tyre është identifikuar edhe Pajtim Bajrami nga fshati Klinë e Poshtme në Skënderaj.

“Me dhimbje të thellë morëm lajmin për humbjen e jetës së djalit të axhës… bashkë me tre shokët e tij nga Kosova”, thuhet në reagimin e familjarëve.

Tragjedi në Vjenë/ Shembet skela, humbin jetën 4 shqiptarë

Pajtim Bajrami- viktima

Zëdhënësi i zjarrfikësve të Vjenës, Martin Hofbauer, bëri të ditur se e gjithë struktura u shemb, duke zënë poshtë pesë persona. Operacioni i shpëtimit rezultoi i vështirë, pasi në disa raste materialet e ndërtimit u hoqën manualisht.

Një punëtor 45-vjeçar u nxor i gjallë nga rrënojat, por me lëndime të rënda në kokë, shtyllën kurrizore dhe gjymtyrë. Ai u transportua në spital dhe ndodhet në gjendje të rëndë.

Fillimisht pati dyshime për persona të tjerë të bllokuar, por rreth orës 18:00 autoritetet konfirmuan bilancin tragjik me katër viktima.

Policia dhe inspektorët e punës kanë nisur hetimet për të zbardhur shkaqet e aksidentit, ndërsa zona është rrethuar dhe dëshmitarët po merren në pyetje.

3sgIgLJ.png