Lajme

TETOVË: Nga 224 qen të kapur, 181 janë kthyer sërish në rrugë!

Qentë endacak muajve të fundit gjithnjë e më shumë po hasen në rrugët e Tetovës dhe jo vetëm. Qytetarët në vazhdimësi postojnë tufa me qen, të cilët lëvizin në rrugët dhe trotuaret kryesore të qytetit të Tetovës, duke rrezikuar të njëjtit. Ndërkaq, statistikat për kafshimet e qytetarëve nga qentë endacak që raporton Sektori për Punë të Brendshme në Tetovë janë të frikshme. Nga viti 2021 e deri më 20 maj të këtij viti, gjithsej 239 persona janë kafshuar në rrugët e Tetovës nga qentë endacak. Edhe pse Komuna e Tetovës vitin e kaluar promovoi strehimoren për qentë endacak në territorin e Komunës së Jegunocit, megjithatë gati se çdo vit – ka mbi 50 kafshime nga qentë endacak. Respektivisht, Komuna e Tetovës në vitin 2024 nënshkroi kontratë me “Ana Agro” në fshatin Ratajë për Programin për zbatimin dhe zgjidhjen e problemit me kafshë të pastrehë në bazë të furnizimit publik.

Nga strehimorja “Ana Agro”, thonë se qentë endacak zakonisht sillen nga qytete tjera dhe lëshohen në rrugët e Tetovës.

“Gjatë punës sonë të deritanishme kemi gjetur disa qen nga qytete tjera dhe bëhet fjalë për pronarë të pandërgjegjshëm. E ka blerë qenin, i njëjti figuron në pronësi të personit fizik, I ka kaluar qejfi, e ka lëshuar. Prej tyre, një pjesë u janë kthyer dhe janë shqiptuar dënime. Kemi gjetur nga Velesi, Struga e kështu me radhë. Ka nevojë për më shumë kujdes, fillimisht pronarë të ndërgjegjshëm, të gjithë institucionet në shtet duhet të kenë më shumë kujdes. Sjelljen e qenve nga qytetet tjera ne nuk mund ta ndalim”, tha Ane Apostolovski, veteriner.

Ndërkaq, Goran Toshevski, pronarë i strehimores “Ana Agro”, tha se për gjashtë muaj respektivisht nga muaji qershor e deri në dhjetor të vitit të kaluar gjithsej në territorin e komunës së Tetovës janë kapur 204 qen endacak.

“Prej tyre, 164 janë kthyer në rrugë, ndërsa 40 janë marrë nga pronarë të rinj. Ndërkaq, gjatë këtij viti janë kapur 20 qen endacak, kurse 17 janë kthyer në lokacionin që janë marrë, ndërsa3 janë marrë nga pronarë të rinj”, tha Goran Toshevski, pronar i strehimores “Ana Agro”. Në korrik të vitit të kaluar, Komuna e Tetovës miratoi udhëzues për përcaktimin e rregullave dhe mënyrën e kompensimit të dëmit të shkaktuar nga kafshimi i qenve endacak. Më pas, në muajin tetor, po ashtu Komuna e Tetovës njoftoi se do të shpërblejë ata persona që sjellin prova fotografi ose video të individëve që lëshojnë qen endacak në qytet.(koha.mk)

3sgIgLJ.png
3svPxtI.png