Lajme

Tetovë, në çdo cep ndërtohen banesa sipas qejfit të biznesmenëve me ‘Amin’-in e komunës – VIDEO

Tetovarët përditë zgjohen me zhurmën e ekskavatorëve që po ndërtojnë banesa pothuajse në çdo cep të qytetit. Banorët ankohen se Komuna e Tetovës prioritet i ka kërkesat e biznesmenëve dhe jo të qytetarëve të cilët me vite kërkojnë park, por kjo nuk i’u mundësohet. Darijan Sotirovski nga ‘Tetova do park’ ngriti dyshime se në këtë formë bizneset potencialisht i shpërlajnë paratë e zeza. Nga ana tjetër, sipas kryetarit të komunës, Bilall Kasami zgjidhja për këtë betonizim qëndron në Planin Gjeneral Urbanistik, i cili ende as nuk është krijuar, ndërsa i fundit është që nga viti 2003 shkruan Portalb.mk.

Përderisa një pjesë e madhe e banesave janë ndërtuar, aktualisht në Tetovë po punohet për ndërtimin një sërë banesave dhe komplekseve banesore. Portalb.mk bisedoi me aktivistin nga ‘Tetova do park’, Darijan Sotirovskin.

Sotirovski thotë se sipas të gjitha matjeve, Tetova s’ka nevojë për banesa të reja.

“Është për opinionin publik dhe qytetarët në këtë qytet se për kënd janë të nevojshme kaq shumë ndërtesa të reja. Aq etazhitet, dhe aq sipërfaqe kur të gjithë e dimë se qytet nuk ka absolutisht njerëz që të përmbushin as një të dhjetat e atij fonti banesor sepse po të kishte nevojë, edhe këta 10 mijë banesa do të ishin të mbushura me familja të reja, ndërsa nuk është kështu”, tha Sotirovski.

Ai shtoi se i vetmi arsyetim për këtë mund të jetë “bashkëveprimi i mafias urbane ne vetqeverisjen lokale, si një ndër rrugët më të shkurta që kapitali privat të gjejë mënyrë për shumëfishimin e parave të zeza”.

Planet Urbanistike i përpilon biznesi sipas qejfit të vet, komuna vetëm i aprovon

Sotirovski potencoi se planet urbanistike përpilohen nga vetë bizneset dhe shpesh herë plotësojnë vetëm interesin e investitorëve ndërtimor, dhe jo të banorëve.

Darijan Sotirovski, Tetova do park
Darijan Sotirovski, Tetova do park

“Plane detale urbanistike (PDU) duke falënderuar spregata edhe me pushtetin ligjvënës kalojnë në procedura të shkurtuara, procedura të bashkuara ku përnjëherë ndryshohen edhe plane gjenerale edhe urbanistike, përshtaten planet për nevojat e dikujt, ndërsa nuk shihet nevoja e përgjithshme e qytetarëve dhe interesi publik, por shiihet parcialisht sa të kënaqet xhepi i dikujt”, tha Sotirovski.

Madje, ka raste kur investitorët i ndryshojnë vetë PDU-të sipas dëshirës së tyre, dhe atë përderisa janë duke ndërtuar, ndërsa autoritetet komunale vetëm i mbështesin dhe u marrin taksa komunale.

“Këtu mungon syri objektiv i shtetit, që do të thoshte po kjo është ndoshta në interesin tuaj, por jo në interesin e përgjithshëm, dhe kjo e mbështjellur bukur shkon përpara këshillit, atje janë këshilltarët tanë, të zgjedhur bazuar në principin e selektimit negativ të partive politike, sigurisht ata që vetëm ngrenë dy gishta dhe nuk pyesin pse, dhe vijmë deri në këtë situatë të urbanizimit të egër, e cila është larg humanes, dhe në kundërshtim me parimin kushtetutes për ambient jetësor të shëndetshëm dhe human për të gjithë qytetarët”, tha Sotirovski.

Tetova, ndër qytetet e vetme pa park

Ligjërisht, për t’u konsideruar një hapësirë si park publik, duhet të ketë hapësirë të gjelbërt prej më së paku 1 hektarë, Tetova nuk ka një të tillë.

“Kriva Pallanka dhe Dellçeva në këtë segment janë më të zhvilluara se Tetova, të mos flasim për Manastirin, për Strumnicën, për Shtipin, për Kavadarin.. këto janë qytete të cilat realisht tejkalojnë mesataren në shtet, dhe ne si qytetarë të cilët jetojmë këtu, por edhe dëshirojmë të jetojmë këtu, kjo realisht çdo ditë neve na krijon sfida dhe probleme”, tha Sotirovski.

Ai shtoi se edhe hapësirën e vetme rekreative që e kemi, Banjën e Qytetit, komuna e injoron totalisht, duke lejuar që veturat të ngulfasin atë pjesë në çdo kohë të ditës.

“E kemi edhe zonën rekreative banjën, si iniciativë Tetova do park deri te këshilli çdo vit dërgojmë propozime që të limitohet vozitja me automjete në atë kohë kur qytetarët më së shumti e shfrytëzojnë për rekreacion, sepse ekspozohen nga gazrat e makinës, nga vozitja.. Në këtë qytet për nevojat normale, për hapësira të gjelbra, për sport, për rekreacion, nuk ka dëgjim”, tha Sotirovski.

Kasami: Së shpejti do e kemi draftin e parë të Planit Gjeneral Urbanistik

Tetova që nga viti 2003 nuk ka Plan Gjeneral Urbanistik, kjo është ndër arsyet e kaosit urbanistik në qytet. Kasami për Portalb.mk tha se një kompani veçse po punon në këtë drejtim.

Kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami: Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk
Kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami: Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

“Në bazë të kontratës, nga momenti i nënshkrimit të kontratës duhet që brenda një viti të kemi draftin e parë të planit, në bazë të dinamikës së paraparë. Tash janë në fazën e përpilimit të detyrës projektuese, duhet të bëhet azhurimi i të dhënave për rajonin i cili do të përfshihet në planin gjeneral, por edhe sot përfaqësues të kompanisë janë në komunë të Tetovës dhe në përditshmëri ne po punojmë që të arrihet ky afat i paraparë me kontratë”, tha Kasami.

Plani Gjeneral Urbanistik i ri për qytetin pritet të miratohet në vitin e ardhshëm 2026, pas zgjedhjeve lokale që pritet të mbahen në vjeshtën e këtij viti.

Përveç Shkupit, Tetova është  qyteti me numrin më të madh të lejeve për ndërtim në periudhën 2018-2022. Për këto katër vite komuna ka lëshuar 1.073 leje ndërtimi, tregon kështu hulumtimi i Qendrës për Komunikime Qytetare.

Kujtojmë që Portalb-i para pak javësh zbuloi se tek ish-Monopolli do të ndërtohet një kompleks banesor me dritë të gjelbërt nga komuna e Tetovës, madje duke ja lehtësuar procedurat biznesmenit.

Përndryshe, në programin zgjedhor ‘Me ka krejt për Tetovën’ 2021-2025 me të cilin kryetari i Komunës së Tetovës Bilall Kasami garoi dhe fitoi në zgjedhjet e fundit lokale tetorin e vitit 2021, mes tjerash përmend edhe hapësirat e gjelbra.

Te pjesa e urbanizmit, konkretisht në faqe 22 thuhet se do të revidohet dhe zgjerohet Plani Urbanistik për të lejuar ndërtimin e komplekseve banesore, apo edhe qendrave biznesore, sipas standardeve ku së paku 1/3 e hapsirës të jetë me pjesë të gjelbëruar dhe me zona rekreacioni. 

Ndërkaq në faqe 26 premtohet: Plan afatmesëm për zgjerimin e hapsirave të gjelbërta. 

Por, tashmë afër fundit të mandatit, këto pika të programit nuk janë realizuar në terren./Portalb

3sgIgLJ.png
3svPxtI.png