Infermieret në Tetovë shprehen të zhgënjyera nga Ministria e Shëndetësisë dhe Qeveria. Prisnin vendimet e punës, por në vend të tyre, sërish iu erdhën kontratat e punës edhe atë me afat deri në dhjetor. Iu premtua edhe një herë dhënia e rrogave të mbetura, por nuk ndodhi.
“Ne presim tash. Drejtori na informoi se do na bëhet pagesa, por problem mbetet ende çështja e vendimeve që nuk ka informatë. Drejtori u shpreh se ai nuk jep vendime andaj i tha që të drejtohemi në ministri. Presim zgjedhjen e ministrit pastaj të takojmë edhe atë për të drejtat që na takojnë”, deklaroi Flutura Islami, Infermiere.
“Ne do vazhdojmë me moratoriumin e protestës deri në zgjedhjen e ministrit të ri që pastaj të shohim se si do vazhdojmë më tutje”, u shpreh Fjolla Alia, Infermiere.
Edhe drejtori i Spitalit klinik të Tetovës, është shprehur se pasi Ministri i ri të marrë detyrën, do këmbëngul që statusi i tyre të zgjidhet me vendime të përhershme pune.
“Patjetër që do vazhdojmë të kërkojmë. Kjo nuk mund të vazhdoj kështu sepse edhe intenca e Qeverisë së re është që të sistemohen këta njerëz. Shpresojmë që të kemi mirëkuptim me ministrin e ardhshëm që tua rregullojmë këtë status”, theksoi Agim Berisha, Drejtor i Spitalit klinik të Tetovës.
Mbi 130 infermiere dhe staf teknik i spitalit klinik të Tetovës, që prej një jave janë hedhur në protesta shkaku i mos pagesës së rrogave dhe mos zgjidhjes së statusit të tyre të punës. Ata sot u shprehën se nëse nuk do të ketë zgjidhje për statusin e tyre, protestat do ti vazhdojnë në Shkup para Ministrisë së Shëndetësisë. /Alsat