Lajme

Tetovë: Hasmëria mes dy familjeve terrorizon qytetarët

Vrasjet e një pas njëshme mes dy familjeve në Tetovë, vijnë pasi Prokuroria Publike dhe Ministria e Punëve të Brendshme nuk arrijnë dot t’i kapin autorët por edhe procedurat gjyqësore për dënimin e kryerësve, i udhëheqin me procedurë të rregullt, duke i lënë të dyshuarit të mbrohen në liri, shkruan Alsat.

Kjo lë hapësirë që të dyshuarit të mund t’i përsërisin veprat, ashtu siç ndodhi edhe dje. Kryeministri Hristijan Mickoski nuk mirëpret veprimet e tilla, duke theksuar se qëndrimet e tij për Prokurorinë janë të njohura. Menjëherë pas zgjedhjeve pritet shkarkimi i Kocevskit.

“Kështu që nëse unë ju them diçka të re tani nuk do ju befasoj sepse e dini se cili është qëndrimi ynë lidhur edhe me Prokurorinë edhe me një pjesë të gjykatësve, edhe një pjesë të prokurorëve, jo të gjithë prokurorët por dihet atje se kush e udhëheqë hetimin e përgjithshëm kështu që shpresoj se menjëherë pas përfundimit të zgjedhjeve lokale do të mbizotërojë pjekuria dhe do të kemi prokurorë dhe gjykatës të cilët do të gjykojnë sipas ligjit dhe kushtetutës. Përndryshe bashkë ndjej dhimbjen me familjet dhe drejtësia duhet të vijë.
A ngeleni në qëndrimin se do ta shkarkoni prokurorin publik?
Ne nuk i ndryshojmë qëndrimet brenda natës!”, tha Hristijan Mickoski – Kryeministër.

Në fakt kundër Kocevskit u votua interpelancë më 29 korrik por e njëjta nuk ka asnjë fuqi juridike pasi interpelanca nuk do të thotë shkarkim. Largimi i tij tani mbetet në vullnetin e Kocevskit por i njëjti ende nuk deklarohet për hapat e tij të mëtejmë. Kocevski ka qenë në detyrë si Prokuror publik i shtetit që nga shkurti i vitit 2024, kur koalicioni LSDM-BDI ishte në pushtet./ Alsat.mk

Policia arrestoi tre persona të dyshuar për vrasjen e djeshme në Tetovë

Policia arrestoi tre persona të dyshuar për vrasjen e djeshme në Tetovë, ku i vdekur mbeti një 46-vjeçar dhe katër të tjerë u plagosën. Arrestimi ka ardhur pas bastisjes në shtëpitë e tyre familjare në fshatin Gajre.

“Lidhur me shkëmbimin e zjarrit të djeshëm me armë në Tetovë, ju njoftojmë se tre persona janë privuar nga liria. Gjatë kontrollit dhe bastisjeve në disa lokacione në fshatin Gajre të Tetovës, janë gjetur objekte me interes për hetimin. Po ndërmerren masa dhe aktivitete për sqarimin e plotë të rastit dhe gjetjen e objekteve dhe personave të tjerë që kanë qenë të përfshirë në shkëmbimin e zjarrit”, thonë nga SPB Tetovë.

Alsat mëson se të arrestuarit janë dy vëllezër të lindur në vitet 2006 dhe 2010. E arrestuar është edhe nëna e tyre. Alsat jo zyrtarisht mëson se në pyetje është marrë edhe ish pronarja e veturës nga ku është shtënë me armë zjarri, targat e së cilës kishin qenë të çlajmëruara. Nga Prokuroria gjithashtu na njoftuan se po mbledhin provat e nevojshme për të zbardhur motivet e të gjithë të përfshirëve në këtë incident.

Nga Klinika e Traumatologjisë njoftojnë se nga Tetova janë sjellë katër pacientë ndërsa tek tre prej tyre është kryer intervenim kirurgjik. Njëri prej të lënduarve që ishte në rrezik jete tani është në gjendje stabile dhe është transferuar në repartin e kirurgjisë torakale. Edhe i plagosuri tjetër gjithashtu është në gjendje stabile. Sa i përket vajzës së mitur 13 vjeçare gjithashtu është operuar në kirurgjinë e fëmijëve dhe tani është në gjendje stabile. Me lëndime ka përfunduar edhe një kalimtar rasti, dhe tek ai gjithashtu është realizuar operacion dhe tani ndodhet në repartin e traumatologjisë.

Incidenti ndodhi dje në mesditë në kryqëzimin e rrugës “Ilinden” dhe “Bllagoja Toska”. Dëshmitarët thanë se gjithçka ndodhi shumë shpejt dhe se makina nga ku u sulmua, u largua me shpejtësi. Jo zyrtarisht, bëhet fjalë për rast hasmërie mes familjeve rivale Terziu nga Tetova dhe një familje tjetër nga fshati Gajre. Deri më tani, si pasojë e përplasjeve të armatosura ka pasur disa viktima nga të dyja familjet./Alsat.mk

3sgIgLJ.png
KddZqn1.gif