Lajme

Teqeja ‘Harabati Baba’ në Tetovë, sprova e religjiozitetit shqiptar

Shkruan: Col Mehmeti

Odiseada gjyqësore rreth pronarit të teqesë bektashiane në Tetovë ka përfunduar juridikisht, por jo edhe sprovat rreth saj. Ndonëse shteti në ‘defterët’ e tij e quan si monument të mbrojtur të trashëgimisë, ngrehat në kompleksin ‘Harabati Baba’ po kafshohen çdo ditë nga dhëmbi i kohës. Pas një rragatje të stërlodhshme mbi 20-vjeçare, pronësia ka kaluar te Bashkësia Fetare Islame në Maqedoninë e Veriut, institucion të të cilit i është njohur si vakëf. Sidoqoftë, komuniteti vendës bektashian e ka përjetuar këtë vendim si padrejtësi të radhës. Si urdhër misticist brenda tradicionit islamik, me rituale heterodokse e interpretime esoterike tekstesh fetare, bektashinjtë kanë bërë histori si ‘frontmenë’ të çështjes kombëtare shqiptare. Në vitin 2002, kjo teqe sufiste u zaptua me përdhuni nga elementë vahabistë. Është thënë edhe nga studiues të huaj se struktura të caktuara brenda shtetit maqedon yshtën me kast skena të tilla. Qëllimi i tyre largvajtës ishte për të mbjellë sherr ndërfetar mes shqiptarësh. Edhe shteti turk me sa duket tani nuk i fsheh prirjet për të instrumentalizuar probleme bektashiane, veçmas për t’iu kundërvënë idesë që bektashizmi shqiptar të gëzojë një ‘shtet’ të vetin. Derisa institucionet fetare në Maqedoni të Veriut zotohen se dervishët e baballarët bektashianë nuk do të privohen nga ushtrimi i besimit të tyre, teqeja ‘Harabati Baba’ ka përballë vete një rrugë plot ndeshtrasha. NACIONALE sjell një kronikë nga e tashmja dhe e kaluara e këtij urdhëri mistik.

Col Mehmeti

25 mars 2026 – Me një paqe të qelqtë dhe besatim për ruajtjen e harmonisë ndërfetare është mbyllur një nga mosmarrëveshjet më të gjata në Maqedoninë e Veriut.

E nisur plot njëzet e tre vjet më parë si përplasje mbi pronësinë e kompleksit grandioz të teqesë ‘Harabati Baba’ në Tetovë, një marrëveshje shitblerje e ka bërë Bashkësinë Fetare Islame (BFI) si pronare të vakëfit.

Në bazë të një marrëveshje të vërtetuar nga noteri më 10 shkurt të këtij viti, teqeja është regjistruar në Agjencinë e Kadastrës së Maqedonisë së Veriut si pronë e BFI-së.

Me këtë rast asaj i është taksur edhe roli i menaxhueses së kompleksit historik e fetar në Tetovë.

Më 18 shkurt gjatë një vizite në mjediset e ‘Harabati Baba’, kreu i BFI-së në Maqedoninë e Veriut, Shaqir ef. Fetai, e kumtoi vendimin e fundit për pronësinë mbi kompleksin në fjalë.

BFB: “A mund të ndërtohet drejtësi moderne mbi padrejtësi të trashëguara”

Por një pjesë e bashkësisë bektashiane është vrenjtur për atë që po e përjetojnë si padrejtësi të radhës nga ana e shtetit.

reagimin e lëshuar në po të njëjtën ditë, Bashkësia Fetare Bektashiane, me seli në Kërçovë, akuzoi se shteti nuk e korrigjoi padrejtësinë ndaj kësaj bashkësie, por prodhoi padrejtësi të reja në emër të ligjit për denacionalizim.

Duke ngulmuar që teqeja e Harabatit ka qenë historikisht vakëf bektashian, BFB-ja është ankuar se, pavarësisht fakteve të qarta, realiteti institucional mbetet i paqartë.

Për shekuj me radhë, Arabati Baba Teqe ishte qendër shpirtërore e urdhrit bektashi në Ballkan. Ajo nuk ishte vetëm vend adhurimi, por institucion kulturor, arsimor dhe identitar për shqiptarët bektashinj”, ishte thënë në kumtesën e kësaj bashkësie që selinë e ka në teqenë ‘Hider Baba’ në Kërçovë.

Një shtet demokratik nuk matet vetëm nga ekzistenca e procedurave, por nga aftësia për të mbrojtur edhe komunitetet më të vogla. Bektashinjtë nuk kërkojnë privilegj; ata kërkojnë njohje të trashëgimisë së tyre dhe trajtim të barabartë institucional. Kur proceset zgjasin dekada pa zgjidhje të qartë, vonesa vetë shndërrohet në padrejtësi.”

Një odiseadë gjyqësore për teqenë e Harabatit

Me Bjeshkët e Sharrit si sfond hijerëndë, hapësira trehektarëshe e kompleksit ‘Harabati Baba’ paraqet një nga pamjet më të hijshme në qytetin e Tetovës.

Edhe nga jashtë rrugës ‘Luboteni’, teqeja bashkë me ngrehat shoqëruese ngashnjen vazhdimisht mysafirë të panumërt.

Kopshti i saj hapësirëgjerë u bën vend bujarisht faltores, konakut veror, bibliotekës, shatërvanit, mauzoleumit, kuzhinës së vogël, kullës së bijës së Rexhep Pashës, hambarit dhe kullës së rojës.

Në Bashkësinë Fetare Islame kanë mohuar se beteja për pronësinë mbi kompleksin ‘Harabati Baba’ ka qenë me bektashinjtë.

Ky institucion thotë se pronësinë mbi kompleksin e fituan më 2017, përmes ligjit për denacionalizim i fuqizuar më 2001.

Për BFI-në, kontesti ka qenë me ndërmarrjen AD Teteks, e cila në kohën e sistemit komunist e kishte marrë një pjesë të konsiderueshme të hapësirës së kompleksit.

Në kohë të ish-Jugosllavisë, organet e atëhershme të Maqedonisë i kishin dhënë leje ndërtimi për katër objekte që i shfrytëzonte për qëllime hotelierike gjer më 2001.

Duke u nisur nga këto vendime të ish-sistemit, ndërmarrja AD Teteks ishte ankuar në Gjykatë ndaj vendimit të Komisionit për Denacionalizim, duke e paditur me këtë rast BFI-në.

Më 2023, kjo ndërmarrje fitoi të drejtën e shfrytëzimit për 12,000 metra katrorë dhe katër objektet brenda Kompleksit.

Reciprokisht, BFI-ja qe ankuar ndaj këtij vendimi, dhe mëpastajshmëria në gjykata e kishte shndërruar në një nga betejat më të gjata juridike në Maqedoninë e Veriut.

BFI: “Askush nuk do t’i prekë bektashinjtë”

Përfaqësues të Bashkësisë Fetare Islame në Maqedoninë e Veriut kanë thënë se nuk i kanë privuar e as nuk e kanë ndërmend t’i privojnë besimtarët bektashianë as nga teqeja e as nga kompleksi përreth saj.

Fehmi Ebibi, drejtor i vakëfeve pranë BFI-së, ka thënë se nuk kanë ndonjë problem me komunitetin apo dervishët bektashianë që shërbejnë në teqe.

Edhe pas kemi fituar pronësinë e Kompleksit Arabati Baba, dervishët dhe kreu i komunitetit bektashian në Tetovë vazhdojnë të qëndrojnë dhe të kryejnë aktivitetet e tyre pa asnjë pengesë”, ka thënë Ebibi në një prononcim për gazetën NACIONALE.

Disa javë pas vendimit mbi pronësinë juridike të teqesë, presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj vizitoi kompleksin ‘Harabati’.

Pos ambasadorit të Tiranës në Maqedoninë e Veriut, Denion Mejdani, me të ishte edhe Kryegjyshi Botëror i Bektashinjve, Haxhi Dede Baba Edmond Brahimaj.

Në këtë takim ku ishin të pranishëm edhe përfaqësues të institucioneve shtetërore e fetare në Tetovë, kreut të shtetit shqiptar iu adresuan edhe disa nga shqetësimet e bashkësisë bektashiane.

Në BFI kanë thënë se vazhdojnë të kenë kontakte të rregullta institucionale me përfaqësuesit e shtetit shqiptar dhe të gjitha organizatat fetare në rajon.

Shqetësimet e adresuara janë marrë gjithmonë në konsideratë”, ka thënë Ebibi.

Teqeja në Tetovën ku lindi ideja e Shqipërisë së pavarur

Ndonëse hedh rrënjë qysh në shekullin e 16-të, prania e bektashinjve shqiptarë në Maqedoni është e mirëdokumentuar nga shekulli i 18-të e këndej.

Sipas studiuesve, përhapja e këtij urdhri përkoi jo rastësisht me fuqizimin e pashallarëve të pavarur shqiptarë që krijuan hapësirat e tyre gjysmë të pavarura.

Duke qenë se bektashianët e asociuar me jeniçerët shiheshin vëngër nga Porta e Lartë, një numër i tyre u vendosën në tokat shqiptare.

Mendohet se në këtë kohë bektashinjtë morën edhe më shumë elemente vendëse, përfshirë edhe aso të krishtera, çka ndikoi që doktrina dhe ritualet e tyre të tërhiqnin një numër jo të vogël njerëzish.

Më 1909, zëvendëskonsulli francez në Manastir, Max Choublier pati rastin të vizitonte për së afërmi teqenë e Harabati Babës në Tetovë. Asobote, brenda saj shërbente si postnişin baba Aliu.

Diplomati francez vuri re se ideja për një Shqipëri të pavarur përkrahej nxehtësisht mes bektashinjve në këtë teqe, sidomos prej njerëzve nga radhët e bejlerëve të vegjël dhe shtresës së mesme.

Kur Pollogu u pushtua nga ushtria serbe e pastaj edhe nga ajo bullgare, teqeja do të pushonte së funksionuari.

1941, viti kur u bë Shqipnía

Teqeja bektashiane e Tetovës do të ngjallej më 1941, atëherë kur rrethanat e reja gjeopolitike sollën bashkimin e përkohshëm të Shqipërisë me Kosovën dhe disa vise në Maqedoninë perëndimore.

Kur në krye të bashkisë së Tetovës u vu përmetari Xhafer Sylejmani (1887-1953), ai urdhëroi që të ngjallej teqeja bektashiane në qytet.

Shi për këtë qëllim ai ngarkoi dervishët bektashianë nga Gjakova Qazim Bakalli (1895-1981) dhe Musa Himaduna (1900-1975).

Histori që s’harrohen – (nga e majta në të djathtë) dervishët bektashianë Qazim Bakalli e Musa Himaduna. Fotoja është shkrepur më 1943 në Tetovën e çliruar.

Duke përfituar nga rrethanat e reja kur administrata u bë shqiptare, të dy klerikët bektashianë u përkujdesen për restaurimin e teqesë dhe rikthimin e pronave vakufnore të teqesë që ishin konfiskuar nga pushteti serb.

Në bazë të lejes së dhanun bashk me Dervish Musa Hinademën me datën 6 X 1941 u nisëm nga Elbasani dhe arrijm në Tetovë, në shtëpi të Doktor Xhafer Sylejmanit, myhib i vjetër i atij vendi. Me ndihmën e doktorit në fjalë, mbas dy ditvet lirohet pjesa e teqes që quhej (ambar evi) që d.m.th shtëpija e hamarit, mbasi që pjesët tjera të saj ishin të pa banushme dhe të zhgatrrueme deri në pikën e fundit. Zyra e vakëfit t’atij vendi, këtyne dy dervishve, ju hapi nji farrë krediti për me marrë nga dy kile bukë në ditë nga furra e teqes dhe gjys kile mish e asgjë tjetër”, do të shkruante Bakalli në një raport të kohës.

Baba Qazim Bakalli qëndroi në këtë teqe gjër më 1947, vit kur organet e pushtetit komunist e detyruan të largohej nga Tetova.

Komunizmi femohues iku, por liria fetare vonoi

Rrëzimi i komunizmit në ish-Jugosllavi e Shqipëri u përjetua si një mundësi për shprehje të lirisë fetare dhe afirmim të përkatësive të mohuara.

Por teqeja ‘Harabati Baba’ u përball me sulme e desakrime të vazhdueshme.

Aq të paduruara ishin bërë ato sa në mars të vitit 1994 drejtuesi i teqesë baba Tajar Gashi (1915-1994) tok me dervishë të tjerë hynë në grevë urie.

Kërkesa e bektashinjve shqiptarë për t’u njohur si bashkësi me vete, ndaraz prej Bashkësisë Fetare Islame, u ballafaqua me ndeshtrasha burokratike qysh prej vitit 1993.

Pavarësisht kësaj, ngulmimi i tyre doli i fituar kur në korrik të vitit 2000, shteti maqedon njohu si grup fetar ‘Bashkësinë bektashiane në Republikën e Maqedonisë’.

Por, kjo fitore do të kthehej në zero kur më 2007 u miratua Ligji për statusin legal të Kishave, bashkësive fetare dhe grupeve fetare’.

Rrjedhimthi, të gjitha kishat, bashkësitë e grupet fetare që u regjistruan pas 1998-s e humbën statusin e tyre legal dhe duhej të regjistroheshin nga e para.

15 gushti, dita kur u godit palcërisht harmonia ndërshqiptare

15 gushti i vitit 2002 nuk ishte aspak një ditë e zakontë vere.

Një grup i armatosur me kallashnikovë e pistoleta hynë përdhunshëm në teqenë ‘Harabati Baba’, duke e zaptuar atë.

Të identifikuar si fanatikë vahabistë, këta njerëz e arsyetuan vërsuljen e tyre mbi teqenë sufiste si rikthim të saj në ‘xhami’.

Ata u përpoqen ta shndërronin Kubeli mejdani-n, duke vendosur zmadhues zëri për kumtimin e ezanit.

Nga ajo kohë e tutje, zaptuesit ndërhynë edhe në Mihmam Evi, siç quhet dhoma e mysafirëve, duke penguar ardhjen e tyre në teqe.

Deri në vitin 2008, vahabistët bënë edhe ndërhyrje të tjera, duke shkatërruar edhe pemë brenda oborrit hapësirëgjërë të teqesë.

Siç e evokonte atë ditë, dervishi Abdylmytalip Xhaferi, grupi në fjalë e kishte okupuar mejdanin i cili, sipas praktikës bektashiane, është vendi ku bëhen ritualet.

Baba Tahir, asokohe murshid e njeri i ngritur, pati thënë: ‘Ne pushkë nuk do të ngremë se këta janë vëllezërit tanë edhe nga kombi, edhe nga feja’”, kishte rrëfyer Xhaferi vite më parë.

Schwartz: “Autoritetet maqedone, të përfshira në ngatërresa”

Hija e ngjarjes së 15 gushtit është e tillë që për vite me radhë helmatisi paqen e harmoninë ndërfetare të shqiptarëve në Pollog e më gjerë.

Katër vite më vonë, Departamenti amerikan i Shtetit, në raportin e vitit 2006 për lirinë fetare në rrafsh ndërkombëtar, i kishte vënë në spikamë ankesat e bektashianëve për zaptimin e teqesë së tyre nga elementë të dhunshëm.

Raporti, njashtu, e vuri theksin te rrethana që Bashkësia Islame në vend ngulmonte se teqeja ishte pronë e saj dhe se bektashinjtë janë sekt i fesë islame.

Por, njohësi i religjionit dhe sufizmave Stephen Suleyman Schwartz pati vlerësuar se në prapavijë qëndronin vetë autoritetet sllavomaqedone.

Autoritetet sllavomaqedone duken të prirura për të mbjellë sherr në bashkësinë e madhe shqiptare brenda kufijve të tyre”, kishte shkruar Schwartz me tone alarmuese.

Sipas tij, bektashinjtë po u kundërviheshin ndërhyrjeve të jashtme, në këtë rast vahabistëve të mbështetur nga arabët.

Autori amerikan shtronte pyetjen se përse vahabistët dukeshin kaq të prirur për të zaptuar teqenë Harabati Baba në një kohë kur Tetova kishte 25 xhami, prej të cilave 12 sish ishin në qendër të qytetit.

Por, vahabistët janë të motivuar, siç është e qartë për këdo, nga armiqësia ideologjike. Pikësëpari, bektashinjtë përfaqësojnë një trend liberal mes shiave, dhe vahabistët i përbuzin shijat më tepër se ç’urrejnë hebrenjtë apo të krishterët. Pikësëdyti, bektashinjtë njihen se konsumojnë pije dehëse. Dhe pikësëtreti, burra e gra janë të barabartë në ritualet bektashiane. Disa baballarë bektashinj kanë ngulmuar para meje që ata janë elementi ‘më përparimtar’ në Islamin botëror, dhe ata e mbështesin këtë pohim me përkushtimin e tyre të gjatë, të provuar e të ethshëm ndaj qeverisjes sekulare dhe arsimit popullor”, kishte shkruar Schwartz.

“Kundër çdo dhune ndaj bektashianëve”

Raste të tilla mujsharie janë shënuar edhe mars e maj tëvitit 2008.

Më 2022, në ditën e fundit të agjërimit të Matemit, teqeja ishte përballur edhe me një tjetër përpjekje për uzurpim.

Sipas njoftimit të lëshuar asokohe nga kreu i Gjyshatës Bektashiane në Maqedoni të Veriut, Arben Sylejmani, dervishët ishin mbajtur në Polici për disa orë me radhë.

Ndërkohë, në Bashkësinë Fetare Islame kanë thënë se si institucion janë kundër çdo lloj dhune a kërcënimi.

Bashkësia Fetare Islame e Republikës së Maqedonisë së Veriut ju siguron se gjithmonë ka qenë kundër çdo lloj dhune apo kërcënimi ndaj dervishëve bektashianë në Kompleksin Arabati në Tetovë. Andaj, ju bëjmë thirrje që të paraqesin ankesat konkrete në BFI, për kërcënimet dhe pengimin e dervishëve në ritualet e tyre”, ka thënë Ebibi nga Drejtoria e Vakëfeve.

Labirinthet e ligjit

Një problem jo më i vogël i bashkësisë bektashiane në Maqedoni të Veriut ka qenë rruga drejt njohjes si bashkësi më vete.

Pasi Ligji i 2007-s e ktheu në pikën fillestare regjistrimin, kjo u shfrytëzua nga grupe të tjera bektashiane për të marrë flamurin e përfaqësimit të këtij tarikati.

Më 1 shtator 2010, pjesëtarë të pakicës turke u regjistruan si Grupi Fetar Bektashian Ehl-i beit në krye me Murteza Pashon, që pati edhe mbështetjen e BFI-së.

Kjo shkaktoi zemëratë te pjesa më e madhe e bektashinjve shqiptarë në Maqedoni.

Sidoqoftë, këta të fundit u ndanë mes vete.

Hëpërhë, në Komisionin për Marrëdhënie mes Bashkësive dhe Grupeve Fetare në Maqedoninë e Veriut, janë të regjistruara dy bashkësi fetare që e përfaqësojnë bektashizmin.

Njëra është ‘Bashkësia Fetare Bektashiane – me seli në teqenë Hider Baba në Kërçovë’, dhe tjetra është ‘Kryegjyshata Botërore Bektashiane – selia bektashiane në Republikën e Maqedonisë së Veriut, teqeja Harabati Baba’.

Derisa të parët nuk e njohin autoritetin e Kryegjyshatës Botërore Bektashiane për shkak të pakënaqësive ndaj Edmond Brahimajt, i njohur ndryshe si Baba Mondi, të dytët e pranojnë autoritetin e tij.

Raporte nga Washingtoni, Helsinku e Strasbourgi

Çështja bektashiane në Maqedoni të Veriut ka përkapur vëmendjen edhe të organizatave dhe institucioneve perëndimore.

Me një supozim se numri i tyre mund të mbërrijë deri në dhjetëra mijëra, shqetësimet e bektashinjve ishin zëruar edhe nga Komiteti maqedon i Helsinkit.

Në një raport të vitit 2009, shteti maqedon ishte kritikuar për Ligjin mbi Fetë simbas të cilit nuk përkufizoheshin qartë kategoritë ‘komunitet’, ‘bashkësi’ dhe ‘grup fetar’.

Gjithnjë sipas Komitetit të Helsinkit, qasja e shtetit për të favorizuar vetëm dy komunitetet kryesore fetare dëmtoi bashkësitë e tjera më të vogla. Kështu, sipas raportit, kërkesa e bektashinjve për njohje ligjore u nëpërkëmb.

Më 2013, Departamenti amerikan i Shtetit në raportin e tij mbi gjendjen e lirisë fetare sërish e apostrofoi rastin e bektashinjve në Maqedoni.

Sipas vlerësimit nga Washingtoni, kjo bashkësi përballej sa me zvarritje procedurash për t’u regjistruar poaq edhe me privimin e pronësisë nga tempulli i tyre në teqenë ‘Harabati Baba’.

E proceduar si çështje edhe në instanca evropiane te drejtësisë, Gjykata Evropiane për të drejtat e Njeriut (GjEDNj), më 12 prill 2018, konstatoi se shteti maqedon në mënyrë të paligjshme cenoi të drejtën e bektashinjve për të ekzistuar e vepruar si grup fetar.

Sipas kësaj gjykate me seli në Strasbourg, autoritetet në Maqedoni në rastin e bektashinjve kishin shkelur nenin 9 mbi lirinë e fesë dhe nenin 11 mbi lirinë e organizimit.

Çfarë duan bektasho-alevitët nga Turqia?

Gacat e përçarjeve janë shpërpushur edhe më fort nga Turqia.

Si vëng për këtë shërbeu kur në fundvitin 2024 kryeministri shqiptar, Edi Rama, kumtoi synimin e tij që Kryegjyshatës Botërore Bektashiane, në Tiranë, t’i jepej një status special si shtet në kajde të Vatikanit.

Grupe bektashiano-alevite nga Turqia e kishin kundërshtuar këtë ide edhe duke invokuar argumente doktrinare.

Federata Alevito-Bektashiane (Alevi Bektaşi Federasyonu), me seli në Ankara, e kryesuar nga Hüseyin Güzelgül, i kishte vlerësuar hapat e kryeministrit shqiptar për bektashinjtë, por jo edhe idenë e një shteti për ta.

E po kështu edhe Federata e Shoqatave Alevite (Alevi Dernekleri Federasyonu), e udhëhequr nga Zeynel Abidin Koç, e kishte kundërshtuar idenë e një shteti fetar në rrethanat kur vetë bektashinjtë janë të rrënjosur me vlerat e sekularizmit.

Shkatërrimi i trashëgimisë

Përtej mosmarrëveshjeve dhe politizimeve, dhëmbi i kohës dhe shkujdesit tashmë ka lënë shenja të dukshme në gjithë kompleksin e teqesë.

Në hapësirën e gjithëmbarshme të saj prej 26.700 metrave katrorë, shumë nga ngrehat brenda kompleksit janë leskëruar dhe rrezikohen nga shembja.

Më së keqi paraqitet muri i jashtëm rrethues ku vende-vende është shembur.

Përveç kësaj, pjesë të tëra pranë kompleksit janë vërshuar nga hedhurinat.

BFI premton restaurimin e kompleksit historik

Derisa institucionet shtetërore në Maqedoni të Veriut, përfshirë edhe MInistrinë e Kulturës, nuk japin ndonjë plan konkret për restaurim, në Bashkësinë Fetare Islame janë shprehur optimistë që sivjet do të nisin punimet për restaurim.

Sipas Ebibit, projekti tashmë është i hartuar dhe mjetet financiare janë ndarë.

Është hartuar projekti për restaurimin e plotë të Kompleksit, janë siguruar edhe mjete financiare, organizatë që do ta financojë, dhe pas procedurave për marrjen e lejeve përkatëse këtë vit pritet të fillohet me restaurimin e Kompleksit Arabati në Tetovë”, ka thënë ai.

Tradita shumëshekullore e misticizmit shqiptar

Si më e madhja dhe më impozantja e teqeve bektashiane në Ballkan, teqeja e Harabati Babës e heq zanafillën te benefaktori i saj, Sersem Ali Baba.

Për të thuhet se qe i lindur në Tetovë dhe se shërbeu si vezir në kohën e Sulltan Sylejmanit; në vitet e mëpastajme ai iu përkushtua jetës asketike të sufizmit duke jetuar në teqenë e Haxhi Bektash Veliut ku dhe vdiq më 1569.

Sipas amanetit të lënë, e gjitha pasuria e tij u vu në shërbim të ëndrrës për të ndërtuar një tempull bektashian në qytetin e tij të lindjes.

Por ngreha e mori formën e saj bashkëkohore nga Harabati baba (1799), pas të cilit teqeja e mori emrin.

Ajo u naltësua edhe më në kohën e sundimtarit të fuqishëm shqiptar, Rexhep Pasha, i cili urdhëroi që ajo të ishte vakëf.

Si më e madhja teqe në Shqipëri, shumica e baballarëve që shërbyen në udhën e misticizmit bektashian ishin shqiptarë.

Kur Tetova e teqetë sufiste gëlonin nga librat e dorëshkrimet

Ka studiues që e lidhin ekspansionin e bektashizmit në trojet shqiptare me daljen në skenë të pashallarëve të fuqishëm vendës të cilët krijuan hapësira gati të pavarura prej pushtetit osman.

Bektashianët veçmas morën haz në kohën e sanguinit, Ali Pashë Tepelena, i cili përballjen e tij me Portën e Lartë e shfrytëzoi për të krijuar lidhje me kundërshtarët e saj të brendshëm.

Teqeja e Harabati Babës, duke qenë qendër fetare e kulturore, kishte edhe një librari të begatë me dorëshkrime që prej shekullit të 15-të.

Kjo pasuri librore u asgjësua kur partizanët maqedonas i vunë zjarrin më 1948.

Një historizë shpjeguese mbi zanafillën e bektashizmit

Me zanafillë të tejlargët nga Anadolli i shekullit të 13-të, duke pasur si eponim mistikun e dijetarin nga Khorasani Haxhi Veli Bektashi, bektashizmi është një urdhër sinkretik e heterodoks.

Prej korpuseve të tij shkrimore e deri te praktikat qindravjeçare, bektashizmi mbahet gjallë nëpërmjet katër shtyllave: sharia (shartet fetare), tarikah (rrugëtimi shpitëror), marifa (dija e vërtetë) dhe hakika (e vërteta).

Derisa historia e lajmërimit të bektashizmit në trevat e banuara me shqiptarë prapakthehet në kohë deri në shekullin e 13-të (siç janë rrëfenjat për Sari Salltëkun), pjesa më e madhe e studiuesve veçojnë dy ngjarje madhore që e bën të lidhur urdhrin me Shqipërinë dhe shqiptarët.

Qysh në kohën e sundimit të Ali Pashë Tepelenës, një numër baballarësh bektashianë gjetën strehë në Janinë e qendrat e tjera të jugut shqiptar.

Vendimi i sulltanit Mahmudi II më 1826, sipas të cilit urdhri ndalohej në Perandori për shkak të asocimit të tij me jeniçerët, bëri që plot bektashianë të merrnin udhë drejt Shqipërisë.

Nga përndjekja prej Atatürkut te ferri i Enverit

I përhapur kryesisht në jug, harta e bektashizmit u zgjerua edhe në veri të Shkumbinit mes gegësh. Kështu, urdhri gjeti tokë pjellore edhe në Dibër, Kërçovë, Tetovë dhe Gjakovë.

I njohur për natyrën e tij tejet liberale e gjithëpërfshirëse, bektashizmi u pranua lehtësisht prej shqiptarësh.

Rezistenca antiosmane e shqiptarëve në kapërcyell të shekujve 19-të dhe 20-të ka rregullisht për protagonistë plot klerikë (baballarë) bektashianë, ashtu sikurse edhe teqetë e tyre u shndërruan në vatra të përhapjes së ideve të Rilindjes Kombëtare.

Duke pasuar vendimin e Mustafa Qemal Ataturkut, i cili më 1925 i ndaloi të gjithë urdhrat dervishë në Turqinë republikane, kryegjyshi i atëhershëm bektashian Sali Nijaziu nga Kolonja (1876-1941) mori vendim që selia e bektashizmit të kalonte nga qyteti i Haxhibektashit në Tiranë.

Por, ardhja në fuqi e komunistëve i ndërroi hesapet kryekreje.

Nëse në kohën e Zogut e deri në Luftën e Dytë Botërore, bashkësitë fetare fituan një individualitet e vulë shqiptare, regjimi komunist u shqua me jotolerancë të plotë ndaj tyre.

Edhe para ndalimit të fesë më 1967, aparati represiv goditi suprastrukturën e bashkësive fetare, duke përndjekur edhe klerikë të dalluar intelektualë. I tillë ishte edhe një bektashian nga Gjirokastra.

I ikur nga Shqipëria menjëherë pasi komunistët e morën pushtetin, Rexhep Beqiri (i njohur si Baba Rexhepi), në fundvitet ’60, në Shtetet e Bashkuara në Amerikë, e botoi librin e tij “Misticizma Islame dhe Bektashizma”.

Themeluesi i teqes në Detroit, gjirokastriti bektashian ra në kontakt me literaturë të sofistikuar mbi llojet e sufizmit islamik, sidomos me veprat e orientalistit Henry Corbin.

Për këtë arsye, ai u përpoq ta vinte bektashizmin në perspektivën e misticizmave myslimane, duke sipërfaqësuar sidomos afërsitë me shiizmin pers. /Nacionale/

3sgIgLJ.png