Lajme

Televizioni që shpalli Putinin “Sundimtar të Botës” hap studio në Maqedoni

Pas zgjerimit të rrjetit të saj në rajon dhe hapjes së studio-ve në Sarajevë dhe Podgoricë, televizioni Newsmax Balkans nga nesër, e hënë, 28 korrik, do të fillojë punën edhe në Shkup, me një studio të re në kryeqytetin e Maqedonisë së Veriut, shkruan Racin.

Në javët e fundit, ky televizion ka realizuar përfshirje direkte me gazetarë nga qytete të ndryshme të Maqedonisë, ndërsa hapja e studios në Shkup pritet të forcojë mbulimin lokal dhe të thellojë raportimin për temat që prekin qytetarët e vendit.

Studioja do të bëhet pjesë e emisionit rajonal “Qëndrimi i Rajonit”, i cili do të transmetohet çdo ditë pune në orën 19:30, me përmbajtje politike, ekonomike dhe sociale nga Maqedonia dhe rajoni. Emisioni nga Shkupi do të udhëhiqet nga Predrag Kukiq.

Por përtej formës dhe ambalazhit profesional, ky zhvillim ngre pyetje serioze për natyrën dhe prapavijën politike të këtij televizioni, i cili ka lidhje të thella me qarqe të ekstremit të djathtë në SHBA dhe me qëndrime të buta ndaj regjimeve autoritare si ai i Vladimir Putinit.

Çfarë qëndron pas “Newsmax Balkans”?

Newsmax Balkans është pjesë e rrjetit më të madh mediatik amerikan Newsmax, një televizion konservator që u shfaq si alternativë ndaj mediave tradicionale amerikane. Themeluar nga Christopher Ruddy, ky rrjet është promovuar shpesh është kritikuar për përhapjen e teorive konspirative dhe dezinformatave.

Nga Beogradi në Shkup: Transmetimi i një ideologjie

Qendra rajonale e Newsmax Balkans është e vendosur në Beograd, nga ku menaxhohet edhe rrjeti i redaksive që tashmë është shtrirë në Podgoricë, Sarajevë dhe tani në Shkup. Kjo strukturë nxit dyshime mbi qëllimet reale të këtij rrjeti mediatik, i cili mund të shërbejë si kanal ndikimi për interesat serbe dhe ruse në rajon, veçanërisht në një kohë kur proceset euroatlantike në Maqedoni po përballen me rezistencë të brendshme dhe ndikim të jashtëm.

Një histori e lavdërimit të Putinit

Më e habitshme është fakti se Newsmax u gjend në qendër të kritikave në dhjetor të vitit 2021, kur revista e saj shpalli Vladimir Putinin “Sundimtar i Botës”, në një kohë kur SHBA po përpiqej të ndalojë agresionin e Rusisë në Ukrainë. Vetëm dy muaj pas këtij “titulli”, Putin nisi pushtimin e plotë të Ukrainës.

Ky veprim u cilësua si akt propagande pro-ruse nga vetë republikanët në SHBA. Deputeti Adam Kinzinger e krahasoi Newsmax me propagandën e “Russia Today”.

Çfarë rrezikon Maqedonia e Veriut?

Hapja e studios së Newsmax në Shkup nuk duhet të shihet thjesht si një zgjerim i një televizioni të huaj, por si një përpjekje e koordinuar për të depërtuar në opinionin publik me narrativat e ekstremit të djathtë, proserb dhe madje edhe proruse.

Në një kohë kur Maqedonia e Veriut përballet me sfida të mëdha në procesin e integrimit evropian, kthimi i vendit në një fushë betejë mediatike ku transmetohen mesazhe që relativizojnë agresionin rus dhe promovojnë aleanca të rrezikshme ideologjike, paraqet rrezik serioz për orientimin strategjik të shtetit.

Prania e Newsmax në Shkup mund të shihet si një hap i vogël mediatik, por një lëvizje e madhe gjeopolitike – një sinjal alarmi që dëshmon se ndikimi i botës serbe dhe ruse nuk ndalet më vetëm në diplomaci apo energji, por tani vjen nëpërmjet ekranit – direkt në shtëpitë e qytetarëve të Maqedonisë.(PressOnline.al)

3sgIgLJ.png
3svPxtI.png