Shkruar nga Diplomatico
Epoka e improvizimit ushtarak: si po ndryshon lufta në Ukrainë dhe çfarë paralajmëron ajo për botën mbarë…
Lufta në Ukrainë ka hyrë në një fazë të re, më të errët dhe më të paparashikueshme. Sipas një analize të fundit të CNN, të dyja ushtritë; ajo ukrainase dhe ajo ruse, po i përshtaten realiteteve të lodhjes, mungesës së furnizimeve dhe kërkesës për efikasitet të menjëhershëm në fushën e betejës, duke kthyer çdo mjet, çdo avion, çdo raketë të vjetër, në një armë të improvizuar vdekjeprurëse.
Kjo nuk është më lufta e avionëve F-16 apo e raketave me sistem GPS; është një garë teknologjike e improvizimit, ku krijimtaria dhe nevoja kanë marrë përparësi mbi sofistikimin dhe normat ushtarake të shekullit XXI.
Nga njëra anë, Ukraina po demonstron një aftësi të rrallë për të përshtatur teknologjitë civile në funksione ushtarake; dronë komercialë të modifikuar për sulme në thellësi, avionë sportivë të kthyer në mjete vetëvrasëse për të depërtuar në bazat ruse, apo raketa të rikuperuara që i japin jetë të re arsenaleve të konsumuar.
Nga ana tjetër, Rusia, e mbyllur në izolimin e sanksioneve dhe kufizimeve të teknologjisë perëndimore, po përpiqet të ringjallë armë të epokës sovjetike, duke u shtuar motorë, sensorë apo module drejtimi për t’i shndërruar në “raketa të varfra” por efektive. Lufta është bërë një laborator improvizimi, ku çdo copë hekuri mund të shndërrohet në mjet shkatërrimi.
Ky zhvillim përbën një kthesë thelbësore për sigurinë ndërkombëtare: armët po bëhen më të lira, më të vogla dhe më të thjeshta për t’u prodhuar, ndërsa efektiviteti i tyre po rritet në mënyrë disproporcionale.
Në një botë ku inteligjenca artificiale, printimi 3D dhe pajisjet e kontrollit në distancë janë të aksesueshme për pothuajse këdo, rreziku që luftërat e improvizimit të përhapen jashtë Ukrainës, bëhet real. Ky është një paralajmërim për çdo vend të vogël, përfshirë Shqipërinë, se epoka e “superarmëve” nuk është më garanci sigurie, sepse tashmë mjafton një garazh, një inxhinier kreativ dhe një dron i modifikuar për të krijuar një kërcënim strategjik.
Në planin diplomatik, kjo tregon se lufta në Ukrainë nuk është më vetëm një përballje midis Moskës dhe Kievit, por një eksperiment global që po teston kufijtë e teknologjisë ushtarake dhe të etikës ndërkombëtare. Perëndimi, me gjithë mbështetjen e tij për Ukrainën, po përballet me një sfidë të re: si të mbajë një balancë mes furnizimit të një ushtrie që po improvizon armë në mënyrë kreative, dhe ruajtjes së kontrollit mbi shpërndarjen e teknologjive që mund të dalin jashtë duarve të ligjit. Rusia nga ana e saj, e ndëshkuar me sanksione por e pandalur në agresion, po dëshmon se kufizimet nuk e ndalin luftën, ata vetëm e bëjnë më të egër dhe më të papërmbajtshme.
Për Shqipërinë dhe rajonin, mësimi është i qartë: siguria e shekullit XXI nuk matet më me numrin e tankeve apo avionëve, por me aftësinë për t’u përshtatur me teknologjinë dhe për të parandaluar rreziqet që lindin nga improvizimi.
Në një Ballkan të mbushur me tensione të ngrira dhe aktorë që ende luajnë lojën e vjetër të ndikimit gjeopolitik, shfaqja e këtij modeli lufte është një kambanë alarmi. Sepse në momentin që improvizimi ushtarak bëhet normë, kufiri midis mbrojtjes dhe terrorit, midis shtetit dhe grupit të armatosur, fillon të zbehet.
Ukraina dhe Rusia po na tregojnë një të ardhme ku lufta nuk do të shpallet më me nota diplomatike, por me një klikim të butonit në një dron të modifikuar. Dhe nëse bota nuk arrin të mësojë nga kjo fazë e improvizimit, ajo do të zgjohet në një realitet ku çdo konflikt mund të shpërthejë nga duart e kujtdo që ka fantazi teknike dhe pak dëshpërim. Kjo nuk është më vetëm lufta e tyre; është pasqyra e një epoke që po shpik armët më shpejt se paqen.


