Rritja e një fëmije po bëhet çdo vit më e kushtueshme dhe shumë prindër deklarojnë se barrën financiare e ndjejnë shumë më rëndë se brezat e mëparshëm. Anketa e fundit nga “Qendra për Barazi dhe Drejtësi” tregon se shpenzimet vjetore për një fëmijë arrijnë nga 150 deri në 200 mijë denarë, një shumë që shpesh tejkalohet nëse fëmija ndjek aktivitete shtesë, sporte apo kurse jashtëshkollore. Ndërkohë, familjet me të ardhura mesatare ndihen gjithnjë e më të ngarkuara nga inflacioni, rritja e kostove të jetesës dhe mungesa e mbështetjes së qëndrueshme institucionale.
Sot, shpenzimet bazë nuk kufizohen më vetëm te ushqimi, veshmbathja dhe transporti. Kopshtet private arrijnë deri në 10 mijë denarë në muaj, materialet shkollore shënojnë rritje çdo shtator, ndërsa aktivitetet jashtëshkollore kanë krijuar një barrë të re financiare për familjet. Në një familje me dy fëmijë, vetëm kurset e gjuhëve të huaja, sportet dhe aktivitetet kreative mund të arrijnë sa gjysma e një page mesatare, ndërsa shpenzimet shtesë si ekskursionet, ngjarjet e shkollës dhe festimet e ditëlindjeve e tejkalojnë shifrën mujore të 16 mijë denarëve të përllogaritur si mesatare.
Ndikimin më të madh e ndjejnë prindërit e foshnjave, pasi viti i parë i jetës mbetet periudha më e shtrenjtë. Pelenat, qumështi për bebe dhe ushqimet e gatshme kanë shënuar rritje prej 30 deri në 40 për qind krahasuar me vitin 2020. Edhe shërbimet mjekësore kanë pësuar rritje të ndjeshme. Vizitat te pediatri në sektorin privat kushtojnë nga 800 deri në 1.500 denarë, ndërsa shumë prindër detyrohen të paguajnë analiza laboratorike për shkak të pritjeve të gjata në sistemin publik.
Psikologët e fëmijëve e lidhin rritjen e shpenzimeve edhe me presionin social. Sipas psikologes Anesa Aziri, prindërit ndihen të detyruar të investojnë në sa më shumë aktivitete për të mos e ndjerë fëmijën të “prapambetur” në krahasim me bashkëmoshatarët. “Terapitë logopedike, trajtimet për të folurin dhe programet e zhvillimit kognitiv kanë marrë hov, ndërsa çmimet e tyre sillen nga 600 deri në 1,200 denarë për seancë. Teknologjia ka shtuar gjithashtu një dimension të ri, ku telefoni i parë, laptopi për shkollë, pajisjet digjitale dhe abonimet online konsiderohen sot një pjesë e domosdoshme e edukimit”, tha ajo për gazetën KOHA.
Ndërkaq, diferencat mes qyteteve e thellojnë edhe më shumë pabarazinë. Shkupi është pa dyshim qyteti me koston më të lartë për rritjen e fëmijëve. Çerdhet private janë më të shtrenjta, kurset sportive kanë tarifa më të larta dhe jetesa urbane imponon shpenzime shtesë si transporti dhe ushqimi jashtë shtëpisë. Në Tetovë, Gostivar dhe Kumanovë situata nuk ndryshon shumë, pasi sektorët privat të edukimit kanë rritur çmimet për shkak të inflacionit. Ndërkohë, familjet në zonat rurale përballen me të ardhura më të ulëta dhe mundësi të kufizuara zgjedhjeje, ndërsa shpenzimet për transport dhe materiale shkollore mbeten të larta.
Ekonomistët vlerësojnë se paga minimale dhe ajo mesatare nuk pasqyrojnë më realitetin e kostos së rritjes së një fëmije. Sipas tyre, një familje që ka dy fëmijë e konsumon tërësisht pagën mesatare vetëm për nevojat e fëmijëve. Politikat sociale të shtetit mbeten të fragmentuara, ku subvencionet për libra nuk mbulojnë realisht shpenzimet, shtesat për fëmijë janë të ulëta, ndërsa programet e kujdesit falas në arsim janë të pjesshme dhe shpesh të paqasshme për familjet në zonat periferike.
Ndër grupet më të prekura mbeten prindërit e vetëm. Për ta, shpenzimet mujore shpesh kalojnë 20 mijë denarë, sidomos kur nuk kanë një rrjet mbështetjeje familjare. Kostoja e çerdhes private, transporti, kujdestaria pas orarit të punës dhe shpenzimet e paparashikuara i vendosin në kufirin e mbijetesës financiare. Shumë prej tyre jetojnë në varfëri të fshehtë, pa mundësi të ofrojnë shërbimet apo aktivitetet që fëmijët e tjerë i marrin si të mirëqena.
Megjithatë, përtej shpenzimeve të dukshme, fëmijëria moderne ka sjellë edhe kosto të padukshme që nuk përllogariten në statistika. Vetëm një festë ditëlindjeje mund të kushtojë nga 10 deri në 30 mijë denarë, ndërsa ekskursionet shkojnë nga tre deri në shtatë mijë denarë në varësi të destinacionit. Për këtë, shumë prindër detyrohen të përshtaten me trendet për të shmangur që fëmija të ndihet i përjashtuar. (koha.mk)

