Lajme

Të jesh kryetar komune!

Nga: Alpin Ollogu

Në vjeshtën e vitit 2025, në Maqedoninë e Veriut do të organizohen zgjedhje për vetëqeverisjen lokale. Në garë janë kandidatë të grupimeve dhe rigrupimeve politike shqiptare, të moralshme dhe pamoralshme – marrë parasysh historikun e rivalitetit, me kandidatura të diktuara nga marrëveshje koalicioni, si pasojë, diku anashkaluar fuqinë politike, e diku tjetër cilësinë e kryetarëve aktuale (me gjasë për rizgjedhje).

Në rrethanat e kaosit urbanistik si rezultat i ndërtimeve të egra dhjetëra vjeçare, me arkitekt përpiluesit dhe miratuesit e Ligjit për Trajtimin e Objekteve të Ndërtuara Ilegalisht, në fakt shndëruar në ligj për abuzim dhe kriminalitet me ndërtimet, zaptim i hapësirave publike dhe pronës shtetërore, legalizime në kundërshtim me ligjin, ndërhyrje korruptive në ndryshimet e planeve urbanistike jashtë çdo standarti, i bën zgjedhjet lokale me interes të veçantë. Shtuar keqmenaxhimi me mbetjet urbane, ujërat e zeza, mungesa e ujit të pijshëm, tenderimet e paligjshme, mungesa e tatimit të plotë për koncesionarët e të resurseve natyrore, si ujërat termominerale, mineralet e ndryshme, e gjitha kjo duke dëmtuar buxhetin komunal dhe shtetëror në masë të konsiderushme.

Votuesit gjenden para vendimit se cili është personaliteti, forca politike mbrojtëse dhe zhvilluese e vendbanimeve të tyre. Normalisht, në një shtet ligjor të qenit kryetar komune nuk është privilegj apo benefit vetanak e klanor, ose target pushtetin lokal në hambar të votave për zgjedhjet parlamentare të partisë, partia e cila një ditë të bukur, si “profesionist”, tek sa ishe duke fjetur apo luajtur “solitaire” në zyrë, asnjëherë i interesuar për çështjet me karakter publik – komunal, të bëri kandidat dhe të zgjodhi për të parin e qytetit. Mund të thuhet me të drejtë se ka prej kandidatëve që kanë qenë e kundërta e interesit publik, përkrahës, servilë të dëgjueshëm, zëshëm apo heshtur të gjithë katrahurës dhe paligjshmërisë së kryetarit dhe forcave paraardhëse politike në administrimin e pushtetit lokal.

Të jesh kryetar komune është përgjegjësi, betejë e përditshme mes së mirës dhe së keqes, interesit personal e klanor me atë shoqëror. Të jesh kryetar komune është armiqësi me krimin komunal, nepotizmin, klanin partiak që ka bërë fushatë e mundësuar për tju bërë të parin e qytetit. Kryetar komune i denjë, është të bësh miqësi me ligjin, të bukurën publike, miqësi me nevojtarët e problematikave komunale të cilët nuk kanë mundësi ti zgjidhin punët me xhepin e tyre (traditen e ryshfetit), por me të drejtën ligjore të qytetarit të barabartë, pavarësisht statusit shoqëror. Të jesh kryetar komune për së mbari, tavolina jote e punës apo e ndejes shoqërore, kërkohet të rrethohet me ekspertë, intelektualë, me njerës të vyrtytshëm e moralshëm, e jo me hipokritë, lajkatarë, ose banditë kriminalë që bëjnë sikur të mbrojnë, e në realitet të shfrytëzojnë për të zhvatur të mirën publike dhe dinjitetin tënd prej kryetari.

Nuk mund të jesh garanci e një kryetari të denjë, pa pasur kapital mbi luftën kundër padrejtësive dhe kriminalitetit të ndodhur brenda vendbanimeve. Pa këtë kapital, nuk mund të jesh garanci e besimit elektoral, kandidat serioz për të mirën publike. Garanci nuk të bën dëgjueshmëria e direktivave partiake, edhe kur i ke ndenjur besnik rehatisë e kalkulimeve personale karieriste, për të mos i drejtur gishtin abuzimeve, keqmenaxhimit e injorancës së udheheqjes me komunat. Nuk mund të zgjohesh një ditë dhe të pretendosh të bësh punë për të cilën kurrë nuk ke folur e je angazhuar, e të përdorësh si karem votash komuanl, politikat “patriotike” në pushtetin ekzekutiv. Garanci mund të jesh vetëm e diçkaje, të hedhësh vallen e partisë, edhe kur ajo të dërgon në humnerë.

Raporti me korrupsionin, mbrojtja e buxhetit komunal, kushte të drejta për investime të kapitalit të huaj e vendor, mbrojta e pronës publike, është e gjitha një zjarr komunal që për të dalë faqebardhë, për të mos u nxirë, sakrifica është domosdoshmëri, madje të durosh edhe kërcënime e atentate për shëndetin dhe jetën, ashtu si përballet e punon kryetari aktual i komunës së Haraçinës, Ridvan Ibraimi, ndër kryetarët më të mirë e të dëshmuar që kanë udhëhequr me komunat shqiptare (marrë parasysh edhe problematikat në Komunën e Haraçinës).

I pari i qytetit miraton plan urbanistik vetëm me praktikat më të mira për mbrojtjen e burimeve natyrore, zhvillimit me standarte të qyteteve dhe fshatrave, e jo planit urbanistik përshtatur interesave të nje grupi ndërtuesish, zaptuesish, ose ajo që njihet në zhargonin popullor, mafies urbane që ka shkatërruar e po shkatërron lumenjtë, bregliqenet, pyjet, kullosat, ka shkatërruar tokën bujqësore. Nuk të bën kryetar të denjë komune, dhënia e pagave mujore për administratën komunale, mbushja e ndonjë grope aty këtu, shtrimi i ndonjë klm asfalti apo trotuari, mbajtja e fjalimeve boshe në festa zyrtare ose organizimi i koncerteve “artistike” (me figura të degjeneruara, pa vlera morale e artistike të mirëfillta).

Realisht pozita e kryetarit të komunës është ndër pozicionet më të vështira në vendin tonë për arsye të problematikave të lartëshënuara, e faktikisht është pozitë që ka djegur shumë figura politikanësh e profesionistësh të cilët para se të merrnin këtë detyrë, shkëlqenin në profesionet e tyre, si shembulli i ish kryetarës se komunës së Tetovës, Teuta Arifi, nga një funskionare dhe deputete e artikuluar dhe e zëshme në pushtetin ekzekutiv e legjislativ, në një dështim si kryetare komune. Këtu qëndron edhe zgjedhja e gabuar e partive, të cilët më shumë se interesi qytetar, aftësia dhe prirja e kandidatit, i

intereson mbledhja e votave për të shtënë në dorë komunat, pavarërisht dështimit të një kandidati që kurrë nuk ka qenë i interesuar për çështjet me karakter komunal, as aftësi për tu marrë me ato çështje, thjesht ka pasur apo ka rejting elektoral në pushtetin ekzekutiv, dhe partia e bën kurban komunal.

Përpos diturisë, me patjetër duhet guximi, guxim për të pasur aleancë kryesore qytetarin, tendertimet me ofertën më të mirë, cilësinë dhe koston e saj, pavarësisht përkatësise politike, etnike apo religjioze të konkuruesve në tenderime. Të jesh kryetar i denjë komune, do të thotë që të dërgosh para gjyqit penal e civil, këdo që ka prekur interesin publik, ka dëmtuar pronën dhe të drejtën e tjetrit. Shumëkush mund të thotë se në këto kohë kandidatë të tillë janë të rrallë ose nuk ekzistojnë, atëherë mos kandido dhe mos u kandido, mos i bëj dëm vetes e as shoqërisë. Nëse votuesit nuk kanë mundësi të zgjedhin një kandidat të denjë, apo afër të denjës, aty ku ata votojnë, më mirë le të bojkotojnë zgjedhjet deri në gjetjen e duhur, sesa të jenë pjesëmarës në shkatërimin e rradhës me vendbanimet e tyre. Bojkoti është armë zgjedhore, është rezistencë ndaj pa-alternativës zgjedhore, rebelizëm ndaj shantazhit nga forcat politike dhe kandidatët zgjedhor. Zgjedhjet janë hakmarrja e qytetarit, thotë politikani i shquar anglez David Lloyd George!

3sgIgLJ.png
KddZqn1.gif