Lajme

Takimi që mund të tronditë botën: Xi hyn në lojë me tjetër vetëbesim!

SkyNews

Trump në Azi: përballja me Kinën, prova e vërtetë e udhëtimit të tij

Udhëtimi aziatik i Donald Trump ka qenë i mbushur me formalitete, pritje madhështore dhe lavdërime diplomatike, por edhe me marrëveshje reale për forcimin e tregtisë, diversifikimin e zinxhirëve të furnizimit dhe thellimin e aleancave ekzistuese.

Megjithatë, pas gjithë bujës dhe ndikimit që Trump duket se ushtron në rajon, qëndron një sfidues i madh, një fuqi që asnjë aktor global nuk mund ta injorojë: Kina.

Trump dhe Xi, përballja pas gjashtë vitesh

Që nga takimi i tyre i fundit në vitin 2019, kanë kaluar më shumë se gjashtë vite. Të dy liderët do të takohen sërish nesër, një moment kyç për të zbutur tensionet që kanë dëmtuar marrëdhëniet amerikano-kineze dhe kanë tronditur ekonominë botërore që nga fillimi i presidencës së parë të Trump.

Kjo marrëdhënie gjeopolitike është shumë më e ndërlikuar se çdo çështje tjetër që Trump ka trajtuar gjatë këtij turneu aziatik, dhe për shumë analistë, ky takim është testi i vërtetë i suksesit të vizitës.

Një Kinë ndryshe, një Xi ndryshe

Sot Trump do të përballet me një Xi Jinping ndryshe nga ai i vitit 2019, më i kujdesshëm dhe më i përgatitur në raport me mënyrën e negociatave të Trump.

Pas përvojave të vështira gjatë mandatit të parë të Trump, Xi ka mësuar të mos pranojë marrëveshje të shpejta për hir të kompromisit.

Në vend të kësaj, Pekini po luan me të njëjtën strategji si Uashingtoni, duke iu kundërpërgjigjur forcës me forcë, presionit me presion, dhe paparashikueshmërisë me paparashikueshmëri. Deri më tani, kjo qasje i ka dhënë rezultate Kinës.

Në shtëpi, Xi ruan imazhin e tij si “udhëheqës i fortë”, dhe qëndrimi i tij përballë Trump – veçanërisht vendimi për të përgjigjur tarifat amerikane me tarifa të njëjta, edhe pse në disa raste kanë arritur në 145% – është pritur mirë nga publiku kinez.

Kina vjen në tavolinë me vetëbesim të ri

Ky vetëbesim buron nga disa faktorë:

-përparime të rëndësishme teknologjike, si krijimi i DeepSeek, një sistem inteligjence artificiale me burim të hapur, shumë më i lirë se alternativat perëndimore;

-dhe një zgjerim i fuqishëm ushtarak në rajonin Indo-Paqësor.

-Por karta më e fortë e Kinës në negociata mbetet kontrolli i industrisë së metaleve të rralla (rare earths) – elementë strategjikë për prodhimin e makinave elektrike, çipave, armëve inteligjente dhe inteligjencës artificiale. 

Kina zotëron rreth 60% të rezervave botërore dhe kontrollon 90% të përpunimit global.

Në javët e fundit, Pekini ka rritur kufizimet e eksportit, duke vendosur një sistem të ri licencash që kërkon miratim shtetëror për çdo produkt që përmban edhe sasi minimale metalesh të rralla. Ky ligj, që pritet të hyjë në fuqi ditët e ardhshme, mund të godasë rëndë industrinë amerikane dhe do të jetë temë qendrore e bisedimeve Trump–Xi.

Përballë presionit, kërkohet një marrëveshje e shpejtë

Ekipet negociatore nga të dyja palët kanë punuar intensivisht për të përgatitur terrenin, dhe një marrëveshje e pjesshme ekonomike duket e mundshme, për të qetësuar një situatë që është bërë e papërballueshme për të dyja vendet.

Në tavolinë mund të jenë edhe tema të tjera si trafiku i drogës sintetike (fentanyl) dhe rregullimi i aplikacionit TikTok.

Por një marrëveshje politike afatgjatë, që të rikthejë besimin mes dy fuqive, vështirë se do të ndodhë. Pengesat mbeten të shumta:

-nga mosmarrëveshjet e thella politike për Tajvanin,

-te kontrasti i stilit të udhëheqjes — Trump mbështetet te karizma dhe presioni personal, ndërsa Xi kërkon proces të detajuar dhe vendimmarrje kolektive.

Një botë në ankth, një rajon që pret stabilitet

Në sfond, rreziku mbetet real. Siç shprehet një burim afër qeverisë kineze, “mundësia e një konflikti të armatosur nuk është zero.”

Çdo hap drejt stabilizimit do të mirëpritej në Azi dhe në botë, por pak kush beson se qetësia do të zgjasë.

Në një kohë kur ekonomia globale është e brishtë dhe luftërat rajonale po shtohen, takimi Trump–Xi është më shumë se diplomaci: është përballja e dy botëve që po përcaktojnë të ardhmen e rendit ndërkombëtar.

DIK-300x250-AL
3sgIgLJ.png