Lajme

Sulmi ndaj Iranit me kosto miliona USD, Thesari: Nuk janë problem financat, kemi fonde boll

Sekretari i Thesarit i Shteteve të Bashkuara, Scott Bessent, deklaroi se Uashingtoni ka kapacitete të mjaftueshme financiare për të mbështetur luftën kundër Iranit, pa pasur nevojë për rritje taksash.

Në një intervistë për emisionin “Meet the Press” në NBC News, ai u shpreh se “ka fonde të bollshme për të financuar këtë luftë”. Bessent shtoi se një kërkesë shtesë buxhetore e paraqitur nga Pentagoni – që sipas raportimeve arrin në rreth 200 miliardë dollarë – synon të forcojë kapacitetet ushtarake për të ardhmen.

Ai theksoi se presidenti Donald Trump ka investuar në forcimin e ushtrisë, si gjatë mandatit të parë ashtu edhe në të dytin, me synimin për të garantuar që forcat e armatosura të jenë të pajisura në mënyrë të qëndrueshme.

Bessent nuk e konfirmoi shifrën e raportuar prej 200 miliardë dollarësh, ndërsa kërkesa për financim shtesë përballet me kundërshti në Kongres. Ligjvënës nga Partia Demokratike, si dhe disa republikanë, kanë vënë në pikëpyetje nevojën për këtë fond, duke pasur parasysh rritjen e konsiderueshme të shpenzimeve për mbrojtjen në vitin e kaluar.

Deklaratat pasqyrojnë qëndrimin e administratës amerikane, ndërsa debati mbi kostot dhe pasojat e konfliktit mbetet i hapur në politikën e brendshme të SHBA.

3sgIgLJ.png