Lajme

Studenti i Universitetit të Tetovës fitues i Çmimit “Unaza e Inxhinierit 2025”

Në qytetin e Ohrit, më 3 shtator 2025 u zhvillua ceremonia solemne e ndarjes së Çmimit “Unaza e Inxhinierit” për vitin 2025. Kjo ngjarje u mbajt për të 22-tën herë me radhë, nën patronazhin e Presidentit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, në organizim të Odës së Arkitektëve dhe Inxhinierëve të Licencuar dhe Institutit të Inxhinierisë së Maqedonisë.

Këtë vit, mes 14 inxhinierëve më të suksesshëm të rinj në vend, u përzgjodh edhe Gzim Dervishi, i diplomuar në Universitetin e Tetovës – Fakulteti i Shkencave të Zbatuara, programi studimor Ndërtimtari. Ky sukses konfirmon edhe një herë traditën e UT-së për të nxjerrë kuadro të dalluara që vlerësohen në nivel kombëtar.

Në ceremoni morën pjesë edhe dekani i FSHZ-së, Prof. Dr. Enis Jakupi, dhe Prof. Dr. Shinazi Zejneli, të cilët e uruan studentin Gzim Dervishi për këtë arritje të veçantë, duke theksuar rëndësinë e përkushtimit dhe punës së tij akademike.

Çmimi “Unaza e Inxhinierit” ndahet çdo vit për studentët më të mirë të diplomuar nga fakultetet inxhinierike në vend, duke vlerësuar rezultatet e tyre akademike, profesionalizmin dhe potencialin për të kontribuar në zhvillimin shoqëror e ekonomik të Maqedonisë së Veriut.

3sgIgLJ.png
KddZqn1.gif