Kthimi i shumëpritur i Barcelona-s në stadiumin e rinovuar “Camp Nou” rrezikon të shtyhet përsëri.
Sipas stacionit radiofonik katalanas “RAC1”, një inspektim fillestar i kryer nga Këshilli i Qytetit të Barcelonës për lëshimin e certifikatës ECA ka zbuluar mbi 200 mangësi strukturore që duhet të adresohen përpara se të fillojë faza e parë e rihapjes së stadiumit.
Klubi Blaugrana kishte planifikuar të inauguronte objektin e ri gjatë Trofeut Joan Gamper, i cili, megjithatë, u luajt në stadiumin “Johan Cruyff” për shkak të vonesave.
Më pas, u arrit një marrëveshje me Këshillin e Qytetit për të lejuar një kthim gradual të spektatorëve në tribuna, duke filluar me ndeshjen kundër Valencia-s, e planifikuar për fundjavën e 14 shtatorit.
Ky plan, duke pasur parasysh rrethanat e reja kritike, tani është seriozisht në rrezik.
Situata mund të bëhet edhe më e ndërlikuar në prag të Champions League. Rregulloret e UEFA-s kërkojnë që të gjitha ndeshjet e fazës së ligës të luhen në të njëjtin stadium.
Nëse “Camp Nou” nuk është gati në kohë, Barcelona do të detyrohet të luajë ndeshjet e saj evropiane në “Lluis Companys Olympic Stadium” për të gjithë fazën e ligës, me ndikime të pashmangshme sportive dhe financiare.