Lajme

Skandali që po zien në heshtje: Si ‘zhdukja’ e spiunëve kinezë në Beograd po teston durimin amerikan

Diplomatico

FBI në kërkim të “fantazmave”, ndërsa Serbia hesht. A ka dorë Kina apo Beogradi është kthyer në strehë të të padëshiruarve të Perëndimit?

Në një skandal që ka kaluar në mënyrë të çuditshme pa jehonë ndërkombëtare, dy persona të kërkuar nga FBI për spiunazh industrial dhe trafikim të teknologjisë ushtarake, janë zhdukur nga arresti shtëpiak në Serbi pa lënë asnjë gjurmë. Çështja, që përfshin një qytetar britanik dhe një kinez të identifikuar si Cuja Guanghaj, i cilësuar nga Kina si “agjent i mirë”, ka alarmuar qarqet amerikane të sigurisë dhe ngre pyetje serioze për qëndrueshmërinë e partneritetit Beograd-Washington në fushën e inteligjencës dhe luftës kundër krimeve teknologjike.

Sipas mediave serbe, të dy të dyshuarit ndodheshin në arrest shtëpiak në dy adresa të ndryshme, nën mbikëqyrje elektronike, por arritën të largohen në mënyrë të sinkronizuar pa u pikasur nga autoritetet. Një “arratisje perfekte”, që më shumë ngjan me një skenar filmash të shërbimeve sekrete sesa me një dështim banal të pajisjeve të sigurisë. Për më tepër, vetëm pas orësh të tëra u raportua arratisja dhe u lëshua kërkesa për ndihmë nga Interpoli, vonesë që ekspertët e sigurisë e quajnë “jashtë çdo protokolli”.

Në Uashington, kjo ngjarje po trajtohet me shqetësim të thellë, edhe pse reagimi publik është ende i përmbajtur. Zyrtarë të paidentifikuar në Departamentin e Drejtësisë dhe në FBI e konsiderojnë rastin si një “test të vullnetit politik” të Serbisë për të bashkëpunuar realisht me SHBA-në në luftën kundër krimeve të rënda ndërkombëtare. Kjo ndodh në një moment kur marrëdhëniet Beograd-Washington janë të tensionuara për shkak të bashkëpunimit të Vuçiç me Moskën dhe lidhjeve gjithnjë e më të ngushta me Pekinin.

Për disa analistë, arratisja e spiunëve është një mesazh i koduar që Serbia, përmes inercisë ose tolerancës, dëshiron t’i çojë Perëndimit: “ne luajmë në të dyja anët e fushës”. Për të tjerë, ky është një rast i pastër i infiltrimit të strukturave të sigurisë nga interesa të huaja, që i tejkalojnë kapacitetet e shërbimeve vendase. Por në të dy rastet, kostoja për Beogradin do të jetë e pashmangshme.

Nëse del që autoritetet serbe kanë qenë të paafta apo të pavullnetshme për të ndaluar largimin e tyre, atëherë do të hapet një plagë e re në marrëdhëniet me SHBA-në. Mund të pasohet nga kufizime në bashkëpunim bilateral për çështjet e sigurisë, ndalim të shkëmbimit të ndjeshëm të informacionit, apo edhe vendosje të sanksioneve ndaj individëve të përfshirë në rast. Për më tepër, Beogradi rrezikon të shndërrohet në një terren “gri” ku shërbimet lindore operojnë me liri relative, në zemër të Ballkanit.

Kjo ngjarje ndodh në një moment kritik për rajonin: SHBA po ripozicionon interesin e saj në Ballkan, BE po rishikon politikën e zgjerimit, ndërsa Rusia dhe Kina rrisin ndikimin ekonomik dhe diplomatik në zonë. Çdo episod që minon besueshmërinë e aleatëve lokalë shihet me sy kritik nga Washingtoni, i cili ka ende ndikim të konsiderueshëm në proceset e integrimit dhe në sigurinë e Ballkanit.

Në këtë kontekst, Serbia do të duhet të zgjedhë: do të tregojë se është partnere e besueshme në luftën kundër spiunazhit dhe krimit ndërkombëtar, apo do të mbetet një “zonë tampon” e interesave të përplasuara midis Lindjes dhe Perëndimit. Heshtja e tanishme zyrtare nuk është neutralitet është komprometim i njëanshëm.

SHBA nuk harron. E aq më pak kur bëhet fjalë për teknologji, spiunë dhe siguri kombëtare.

DIK-300x250-AL
3sgIgLJ.png