Shkruar nga Andrea Malaguti
Është kazinoja e madhe e Donald Trump-it…
E djathta botërore, e udhëhequr nga presidenti spekullator Donald Trump, i cili grumbullon qindra miliona dollarë ndërsa tregjet lëkunden dhe dollari zhvlerësohet, ka kuptuar diçka që progresistëve, të fiksuar pas pasqyrës retrovisore, u shpëton. Fuqia e vërtetë, ajo që ndryshon jetën e njerëzve dhe mundëson grumbullimin e kapitaleve të mëdha, nuk është më në duart e politikës, por të teknologjisë. Edhe paraja dixhitale, si bitcoin dhe kriptovalutat, mund të zëvendësojë arin.
Vlera e monedhave, aftësia e tyre për t’u shumëfishuar, për të paguar rrogat, pushimet apo pensionet tona, nuk do të varet më nga rezervat e arit në banka, por nga algoritme që simulojnë një lidhje direkte mes monedhës së letrës dhe arit të ruajtur në kasaforta. Kjo, falë, ose për faj të, Charles de Gaulle, i cili në mesin e viteve ’60 tha: “Sistemi monetar ndërkombëtar funksionon keq, sepse SHBA-ja mund të përballojë inflacionin pa e paguar atë”.
Ai kërkoi që kreditë e Francës të shlyheshin në ar, jo në dollarë. I shqetësuar dhe pa arin e nevojshëm, në vitin 1972, Richard Nixon ndërpreu të drejtën për të këmbyer dollarin me ar, duke e kthyer monedhën në një monedhë-fiat, vlera e së cilës bazohet në besimin te shteti që e emeton. Pesëdhjetë vjet pas kësaj thyerjeje dhe marrëveshjes së Bretton Woods, shpërthimi i inteligjencës artificiale ka sjellë një përmbysje përfundimtare dhe ngre dy çështje kyçe. E para: A mund të lihet menaxhimi i botës së re teknologjike në dorën e interesave private, ligjit të më të fortit, siç po ndodh në SHBA? Apo duhet të drejtohet nga publiku, në respekt të një pakti shoqëror që mbron interesat gjithnjë e më të brishta kolektive? E dyta: Bashkimi Evropian nuk do të mbijetojë pa një monedhë dixhitale, e cila nuk u pëlqen nacionalistëve dhe shqetëson bankat, sidomos ato franceze, që druhen se do të humbasin një pjesë të kursimeve të destinuara për qytetarët.
E ardhmja të frikëson: ose e kapërcen, ose të fshin. Nëse japonezët kanë të drejtë kur thonë se “mjafton një fllad për të çuar një vinç jashtë kursit”, atëherë me stuhi atlantike, vinçat do të fluturojnë drejt një galaktike tjetër.
Çfarë më bëri përshtypje këtë javë
Në Greqi, ish-kryeministri Giorgios Papandreu organizoi takimin e përvitshëm të progresistëve evropianë, ku ishte i ftuar edhe Gabriele Segre. “Nuk kam parë kurrë një nivel kaq të lartë hutimi te e majta”, tha ai.
Politikanë, akademikë dhe opinionistë janë të tronditur nga kthesa e shpejtë që ka marrë historia, ku Donald Trump është pasojë, jo shkak. Në thelb, fuqitë e mëdha janë përqendruar te një numër i vogël oligarkësh, nga Rusia në Uashington dhe Pekin. Konflikti i interesave mes politikës dhe bizneseve nuk ka qenë kurrë kaq i ngushtë, duke rrezikuar të copëtojë indin shoqëror dhe të riformësojë vlerat dhe raportet e forcës në Perëndim. Zgjidhje për këtë rrëshqitje? “Asnjë, për momentin”, thotë Papandreu.
Përtej një thirrjeje të përgjithshme për besim në demokraci, kur demokracia reduktohet në besim, do të thotë se je me shpinë pas murit. Kontrolli nuk është më në duart e qeverive. Logjika fituese është ajo e rrjeteve sociale, ku pjesëmarrja e pakontrolluar e kthen inteligjencën në zhurmë, duke i dhënë Big Tech një dominim që askush nuk mund ta sfidojë. Fuqia kërkon aftësi shtrënguese, të cilën politika nuk e ka më. Kjo është çfarë duhet të diskutonte me ngulm kampi progresist.
Ndërkohë, siç shkruan Fabrizio Goria te La Stampa, Uashingtoni synon të heqë dorë nga dollari dixhital publik, duke u mbështetur te Stablecoin-et private, ndërsa politika monetare amerikane favorizon privatin, duke mbushur xhepat e figurave të rëndësishme. Brukseli, i dobët, përpiqet të gjejë zgjidhje që mund të realizoheshin brenda dy vitesh dhe që tashmë janë gati në sirtarët e Bankës Qendrore Evropiane, bashkë me strategji për mbrojtjen e konsumatorëve.
Në ditët kur Trump miratoi në Dhomën e Përfaqësuesve deregullimin e egër të kriptovalutave me Genius Act (një emër me prirje për ekzagjerime karikatureske), rileximi i fjalimeve të fundit të Fabio Panettas ndihmon për të kuptuar madhësinë e sfidës dhe rrezikut.
Pse Stablecoin-et dhe kriptovalutat, të futura në sistemet zyrtare të pagesave, janë problem? Monedha emetohet nga shteti dhe duhet të jetë e sigurt, pa rreziqe. Ndryshe nga aksionet apo titujt e shtetit, monedha nuk mund të ndryshojë vlerë. Heqja e këtij uniciteti do të komplikonte shkëmbimet dhe do të lëkundte tregjet.
Kalimi në dixhital është i pashmangshëm. Monedha letër po bëhet gjithnjë e më e rrallë. Duhet pranuar kjo për të mos u kapërcyer nga realiteti. Asnjë kriptovalutë, madje as Stablecoin-et (të lidhura me titujt e shtetit dhe të përdorshme si kartë krediti apo transfertë), nuk kanë një vlerë nominale të garantuar.
Në shekullin e 19-të, sistemi i Free Banking në SHBA lejonte bankat e Dallasit të emetonin dollarët e tyre, të cilët, kur mbërrinin në Buffalo, kishin vlerë tjetër. Për këtë u krijuan bankat qendrore, për të garantuar stabilitetin e monedhës dhe tregjeve. Tani po kthehemi pas, drejt fundit të ndërmjetësimit financiar. Kush është më i aftë, fiton; kush është më i dobët, humb para dhe të ardhmen.
Pa një rregullim të menjëhershëm të këtyre mjeteve dixhitale gjithnjë e më të nevojshme, të gjithë mund të humbasim, përveç Trump-it, mbështetësve të tij dhe krimit të organizuar, që, falë kriptovalutave, ka një aftësi të paprecedentë për pastrim parash anonim.
Po shkojmë drejt çrregullimit, një moçali të paqëndrueshmërisë ku siguria zëvendësohet me bast dhe me premtime mashtruese të privatit më të fortë. Është kazinoja e madhe e Donald Trump-it, një njeri që, pas tarifave të larta, luftës Rusi-Ukrainë dhe planeve për dëbime masive, tani kërkon të japë goditjen përfundimtare ndaj sigurisë monetare. Për të, një miliarder 80-vjeçar në kërkim të një daljeje spektakolare dhe të pamenduar, ky është një bast ku ai vetëm fiton. Pyetja është po ne?