Manjatët dixhitalë dhe udhëheqësit e fortë janë më shumë sesa thjesht prishës të rendit të vjetër liberal. Së bashku ata kërkojnë ta shkatërrojnë atë...
Në kohëra të turbullta, indinjata publike është strehë e lehtë: të revoltohesh, të dënonosh, të mbash një qëndrim moral, pa hyrë thellë në analizë. Por në botën që po formësohet përmes kaosit digjital dhe liderëve të rinj që flasin me gjuhën e përplasjes, një “qëndrim moral” nuk mjafton më për të kuptuar çfarë po ndodh realisht.
Kur Elon Musk doli në një tubim të organizuar nga një figurë ekstreme në Britani dhe deklaroi se “dhuna po vjen” dhe “ose lufton, ose vdes”, politika reagoi me panik. Por ky nuk është një incident i shkëputur. Nuk është as ekscentriciteti i një miliarderi me humor të paqëndrueshëm. Është një sinjal i qartë se kemi hyrë në një epokë të re, ku teknologët dhe populistët kanë bashkuar forcat për të përmbysur rendin e vjetër liberal.
Për dekada me radhë, vendimmarrja globale ishte e menaxhuar nga një kastë teknokratësh: politikëbërës të matur, të moderuar, të parashikueshëm, që flisnin me PowerPoint dhe visheshin me këmisha blu në samitet ndërkombëtare. Por “konsensusi i Davosit” është sot një relike. Në vend të tij kanë dalë në skenë figura që nuk kërkojnë të ruajnë rendin, por të prishin çdo strukturë që ngjan me të.
Elita e re digjitale (Musk, Zuckerberg, Altman, dhe të tjerë) nuk janë thjesht sipërmarrës të suksesshëm. Ata janë ideologë të një bote të re. Bëjnë pjesë në një brez të cilit “rregulli” i vjetër i duket si një gënjeshtër për ta mbajtur shoqërinë nën kontroll. Në vend të konsensusit, ata besojnë në kaos të kontrolluar. Në vend të ligjit, në efikasitetin brutal të algoritmit. “Vepro shpejt dhe shkatërro gjithçka” nuk është më një slogan start-up-i, por një filozofi politike në veprim.
Dhe në këtë vizion, janë shumë më afër Trump-it, Bolsonaro-s, Milei-t, sesa Merkel-it apo Macron-it. E përbashkëta? Urrejtja ndaj burokracisë, mosbesimi ndaj ekspertizës dhe një përbuzje e thellë ndaj elitave të vjetra. Këta figura besojnë se realiteti nuk duhet menaxhuar, por sfiduar, përmbysur, rindërtuar në formën e një utopie personale.
Kjo nuk është thjesht një rrymë kulturore, por një betejë për pushtet. Dikur teknologët kishin nevojë për politikën. Sot ndihen më të fuqishëm se ajo. Nuk bëjnë më diplomaci, kërkojnë dominim. Musk, për shembull, nuk është më thjesht CEO i një kompanie. Është një figurë globale me ndikim më të madh se shumë shtete. Dhe nuk fshihet më pas një “profil të ulët” si Eric Schmidt dikur, por bën thirrje për veprim politik të dhunshëm dhe përmbysje institucionale.
Nga ana tjetër, politikanët tradicionalë ende nuk kanë kuptuar se çfarë po ndodh. Ata mendojnë se kjo është një garë idesh, ndërsa kundërshtarët e tyre po luajnë për një ndryshim regjimi. Dhe publiku, lodhur nga sistemet që nuk funksionojnë, po i dëgjon me interes. Sepse populistët, të veshur me kostum ose me kapuç, ofrojnë premtimin e “mrekullisë politike”: një akt të jashtëzakonshëm që sfidon ligjin, etikën dhe racionalitetin, por që jep rezultat. Në një botë ku njerëzit mendojnë se vota nuk ndryshon asgjë, akti i paligjshëm bëhet simbol i shpresës.
Kështu vepron Trump me urdhra presidencialë që sfidojnë çdo precedent ligjor. Kështu vepron Bukele duke burgosur dhjetëra mijëra persona pa gjyq në emër të “luftës ndaj bandave”. Kështu vepron Milei në Argjentinë, duke “prerë” burokracinë me sharrë zinxhir. E gjithë kjo bëhet në emër të substancës – jo formës. Dhe çdo rregull që qëndron në mes, shihet si një konspiracion i elitave për të ruajtur kontrollin.
Por ky lloj pushteti nuk vjen vetëm nga karizma. Vjen nga një ekosistem i ri komunikimi – një internet që është kthyer në një “Somali digjitale”, ku nuk ka rregulla, nuk ka shtet, nuk ka ligj. Dhe kush ka më shumë influencë, ka edhe më shumë pushtet. Aty ku dikur debatet ndodhnin në parlament, tani ndodhin në “X”, në TikTok apo në një podcast të errët, ku audienca është globale dhe pa ndërmjetës.
Në këtë realitet, elitat tradicionale – juristët, akademikët, politikanët e moderuar – janë duke humbur terren. Dhe bashkë me ta, mund të shembet vetë demokracia liberale siç e kemi njohur. /Përshtati “Pamfleti” nga “Financial Times”
*Giuliano da Empoli, një ish-këshilltar i lartë i kryeministrit italian Matteo Renzi, është autori i romanit “Magjistari i Kremlinit”.


