Lajme

Si ndryshon trupi juaj kur hiqni mishin e kuq nga dieta?

Nëse dëshironi të shpëtoni kafshët, të mbani mjedisin apo thjesht të rregulloni dietën tuaj, heqja e mishit të kuq nga ushqimi mund të sjellë ndryshime të dukshme në trupin tuaj.

Për revistën Healthy, Doktoresha e Shkencave Sally Warren ka zbuluar disa nga përfitimet që mund të ndodhin pas eliminimit të mishit të kuq, por përmendi edhe disa pengesa.

Humbje peshe

Mishi i kuq është i pasur me kalori, prandaj heqja e tij nga dieta mund të rezultojë me peshë më të ulët.
“Shumica e porcioneve me mish përmbajnë më shumë proteina sesa nevojitet në të vërtetë. Një porcion prej 90 gramësh me mish viçi mund të ketë rreth 170 kalori, por një porcion me fasule mund të ketë rreth 100 kalori dhe tofu rreth 70 kalori,” thotë Dr. Warren.

Një studim i vitit 2015 në Journal of General Internal Medicine tregoi se njerëzit në një dietë vegjetariane humbën më shumë peshë sesa ata që konsumonin mish, ndërsa veganët humbën më shumë se ata që hanin vezë dhe produkte qumështi.

Reduktim i fryrjes dhe inflamacionit

Trupi tret mishin e kuq më ngadalë, prandaj mund të përjetoni kapsllëk, gazra dhe dhimbje barku pas një darke të bollshme me biftek. Megjithatë, eliminimi i mishit të kuq dhe ushqimi i pasur me fibra ndihmon në shtimin e baktereve të shëndetshme në zorrë, duke zvogëluar inflamacionin dhe ndihmuar trupin të ndihet më pak i fryrë.

Përmirësim i lëkurës

Një dietë e shëndetshme me fruta dhe perime pasuron organizmin me vitamina A, C dhe E, të cilat luftojnë radikalet e lira dhe mund të bëjnë lëkurën më të pastër.

Ulja e niveleve të kolesterolit

Heqja e mishit të kuq ul yndyrën e ngopur, e cila lidhet me kolesterol të lartë. “Ky grumbullim quhet aterosklerozë, e cila mund të çojë në sëmundje të arteries koronare (CAD), atak në zemër, goditje në tru ose atak ishemik kalimtar (TIA) dhe sëmundje të arteries periferike,” thotë Warren.

Reduktim i rrezikut të sëmundjeve të rënda

Eliminimi i mishit të kuq mund të zvogëlojë rrezikun e sëmundjeve kardiovaskulare, obezitetit, diabetit dhe madje sëmundjeve neurodegjenerative si Alzheimeri. Studimet tregojnë se konsumimi i mishit të kuq prodhon trimetilaminë-N-oksid (TMAO), një përbërës që rrit rrezikun për sëmundjet e zemrës.

Më shumë energji

Zëvendësimi i mishit të kuq me ushqime të pasura me fibra dhe lëndë ushqyese si fasulet, drithërat e plota, frutat dhe perimet mund të përmirësojë energjinë dhe shëndetin e përgjithshëm.

Mungesa e disa lëndëve ushqyese

Megjithatë, disa nutrientë të rëndësishëm mund të mungojnë pa mishin e kuq, si vitamina B12 dhe hekuri. Dr. Warren sugjeron që të merren suplemente të cilësisë së lartë dhe të përfshihen ushqime si tofu, soja, vezët dhe produktet e qumështit për të kompensuar mungesat. Suplementet e magnezit, vitamina D3 dhe probiotikët gjithashtu ndihmojnë në përthithjen e ushqimit dhe shëndetin e zorrëve.

3sgIgLJ.png
KddZqn1.gif