Lajme

Si ka arritur Irani të depërtojë nëpër sistemet e mbrojtjes ajrore të Izraelit?

Raketat hipersonike, ndër teknikat e reja që mund të mashtrojnë sistemet e mbrojtjes ajrore…

Të premten, Irani reagoi fuqishëm ndaj sulmeve izraelite duke lëshuar një breshëri raketash balistike dhe dronësh drejt Izraelit. Disa prej këtyre raketave arritën të depërtojnë sistemet e mbrojtjes ajrore dhe goditën objektiva strategjike në tokën izraelite.

Pavarësisht faktit që Izraeli përdori me intensitet sistemet e tij të mbrojtjes, përfshirë Kupolën e Hekurt (Iron Dome), disa raketa iraniane arritën të godasin Tel Avivin dhe zona të tjera qendrore, duke shkaktuar viktima dhe dëme të konsiderueshme. Bilanci deri tani flet për mbi 240 të vrarë në Iran nga sulmet izraelite, përfshirë gra e fëmijë, dhe të paktën 24 të vrarë në Izrael nga kundërsulmet iraniane, si dhe qindra të plagosur.

Në një deklaratë të dhënë të martën, Irani pretendoi se kishte goditur një qendër ushtarake të inteligjencës dhe një qendër operative të Mossad-it në Izrael. Kjo konsiderohet një përshkallëzim serioz dhe një demonstrim i faktit se mbrojtja ajrore izraelite, megjithë teknologjinë e saj të avancuar, nuk është e pathyeshme.

Çfarë është Kupola e Hekurt (Iron Dome)?

Iron Dome është komponenti më i njohur i mbrojtjes ajrore izraelite. Ai është i dizajnuar për të kapur raketa me rreze të shkurtër dhe të mesme, si dhe granata të lëshuara nga militantët. U bë operativ më 2011 dhe ka një shkallë efektiviteti prej rreth 90%. Sistemi funksionon duke zbuluar raketën hyrëse, llogaritur trajektoren e saj dhe dërguar një raketë interceptuese vetëm nëse objektivi rrezikon një zonë të banuar.

Por Iron Dome është vetëm njëra shtresë e mbrojtjes ajrore të Izraelit. Sistemi është pjesë e një arkitekture shumë-shtresore që përfshin:

Barak-8: kundër raketave me rreze të mesme.

David’s Sling: për raketat me rreze të mesme deri të gjatë.

THAAD dhe Arrow-2/3: për raketa balistike me rreze të gjatë dhe ndërkontinentale.

Si funksionon mbrojtja ajrore?

Sistemet e mbrojtjes ajrore përbëhen nga tre elementë: radarët që zbulojnë raketat armike, qendrat e komandës që analizojnë objektivin, dhe lëshuesit që dërgojnë raketat interceptuese. Zakonisht për çdo raketë armike, Izraeli lëshon dy interceptues për të rritur mundësinë e suksesit.

Megjithatë, numri i raketave interceptuese është i kufizuar. Nuk dihet saktësisht sa raketa mbrojtëse ka në dispozicion Izraeli, por një sulm masiv si ai iranian e vë sistemin në presion ekstrem.

Si po i kapërcen Irani këto mburoja?

1. Mbushja e sistemeve mbrojtëse me objektiva

Irani lëshon një numër të madh raketash dhe dronësh njëkohësisht, shumë prej të cilave janë të pavlera – thjesht për të mbushur radarët dhe për të konsumuar interceptuesit izraelitë. Këto objektiva mashtruese, të njohura si “decoys”, i bëjnë sistemet të shpenzojnë raketa mbrojtëse para se të vijnë raketat e vërteta.

2. Raketat hipersonike

Irani ka zhvilluar raketa që lëvizin me shpejtësi më të madhe se Mach 5, të cilat lëshohen shpejt dhe udhëtojnë me trajektore të paparashikueshme. Disa prej tyre kanë të ashtuquajturat HGV (Hypersonic Glide Vehicles), që fluturojnë me zig-zag në atmosferë, duke e bërë gati të pamundur parashikimin dhe interceptimin.

3. Raketat cruise

Ndryshe nga raketat balistike që fluturojnë lart, raketat cruise udhëtojnë afër sipërfaqes, si avionë pa pilot. Janë më të ngadalta, por më të vështira për t’u zbuluar dhe neutralizuar. Irani ka përdorur raketa të tilla si Hoveyzeh kundër Izraelit.

4. Teknologji kundër radarëve

Disa raketa janë të pajisura me teknologji që i bëjnë më të vështira për radarët të zbulojnë, përmes bllokimit të sinjalit ose reduktimit të reflektimit.

A mund të mbarojnë raketat?

Ekspertët paralajmërojnë se lufta aktuale po zhvillohet në një model “attricional” – d.m.th. përplasje e gjatë, ku palët konsumojnë burimet e njëra-tjetrës. Sasia e raketave që ka Irani mbetet e paqartë, por është një ndër arsenalet më të mëdha në rajon.

Nga ana tjetër, edhe kapaciteti izraelit për të lëshuar interceptues nuk është i pakufizuar. Sidomos sistemet Arrow-2 dhe Arrow-3, që përdoren për mbrojtjen kundër raketave të fuqishme balistike, janë të kushtueshme dhe të pakta.

Shtetet e Bashkuara mund të ndihmojnë me furnizim ajror të avionëve izraelitë, por kjo e ul fshehtësinë e avionëve luftarakë. Distanca prej 1,000–1,500 km mes Iranit dhe Izraelit e bën çdo ndërhyrje më komplekse dhe më të shtrenjtë logjistikisht. 

3sgIgLJ.png
3svPxtI.png