Shtrenjtimet të papritura në ushqime si domate, vezë dhe kafe, si dhe nxehtësia përvëluese, përmbytjet dhe uraganet që po shënojnë rekord, janë dukuri që sipas ekspertëve, nuk janë rastësi, por të lidhura ngushtë me njëra-tjetrën, ka raportuar TIMES.
Një raport i ri i publikuar në revistën shkencore Environmental Research Letters tregon se si ngjarjet ekstreme të motit ndikojnë drejtpërdrejt në prodhimin bujqësor dhe rrisin çmimet e ushqimeve pothuajse menjëherë pas tyre. Në fakt, studiuesit e quajnë rritjen e çmimeve të ushqimeve ndikimin e dytë më të madh të ndryshimeve klimatike në mbarë botën, menjëherë pas valëve ekstreme të të nxehtit.
“Shumë nga kushtet klimatike që kanë shkaktuar këto rritje të çmimeve janë të paprecedenta. Ato tregojnë se ndryshimet klimatike po e çojnë shoqërinë drejt kushteve gjithnjë e më pak të njohura”, thuhet në raportin e studimit, që është udhëhequr nga Maximilian Kotz, studiues në Institutit të Potsdamit për Studimin e Ndikimit Klimatik.

Ngjarjet ekstreme që çojnë në rritje drastike të çmimeve
Studiuesit analizuan 16 raste ekstreme të motit që nga viti 2022 që ndikuan drejtpërdrejt në korrje:
-Në SHBA, thatësia në Kaliforni dhe Arizona çoi në rritje prej 80 për qind të çmimeve të perimeve brenda një viti. Kalifornia prodhon mbi 40 për qind të perimeve në vend.
-Në Meksikë, thatësira e vitit 2023 solli rritje prej 20 për qind në çmimin e perimeve në janar të vitit pasues.
-Në Brazil, mungesa e reshjeve rriti çmimin global të kafesë me 55 për qind.
-Në Japoni, valët e të nxehtit në vjeshtën e vitit 2024 rritën çmimin e orizit me 48 për qind.
Në Mbretërinë e Bashkuar, dimrat jashtëzakonisht të lagësht rriten çmimin e patateve me mbi 22 për qind.
“Kjo ndodh sepse ushqimi prishet shpejt. Nëse nuk mund të korrësh një kulturë me kohë, nuk ke çfarë të shesësh”, ka shpjeguar Marc Bellemare, profesor i ekonomisë në Universitetin e Minesotës.
Nuk është vetëm thatësia: uragane, përmbytje dhe acar
David Ortega, ekonomist i ushqimit në Universitetin Shtetëror të Michiganit, ka thënë se nuk janë vetëm nxehtësia dhe thatësira ato që ndikojnë në prodhimin ushqimor.
“Edhe stuhitë, uraganet dhe ngricat e parakohshme ose të vonuara mund ta shkatërrojnë prodhimin bujqësor”, ka thënë ai për TIME.
Ai ka përmendur shembullin e Floridës, ku uraganet e vitit 2024 shkatërruan prodhimin e agrumeve.
Ndikimi i motit ekstrem vërehet edhe në vendet që prodhojnë sasi të mëdha të një kulture të vetme. Sipas profesor Andrew Hultgren nga Universiteti i Illinois, rasti më i dukshëm është ai i Ganasë dhe Bregut të Fildishtë, që prodhojnë 60% të kakaos në botë.
“Temperaturat e jashtëzakonshme në muajin shkurt të vitit 2024 rritën çmimin global të kakaos me rreth 300 për qind deri në prill”, ka thënë ai.
Të varfrit janë më të prekurit nga ky ndryshim
Rritja e çmimeve të ushqimeve i prek më shumë familjet me të ardhura të ulëta, që shpenzojnë një pjesë më të madhe të buxhetit të tyre për ushqim.
“Shtatë nga dhjetë amerikanë janë shumë të shqetësuar për rritjen e çmimeve të ushqimeve”, tregon një sondazh i Pew Research Center i realizuar në prill.
“Një familje mesatare amerikane shpenzon rreth 10 për qind të buxhetit për ushqim. Kjo është shumë më e lartë për familjet me të ardhura të ulëta”, ka theksuar Bellemare.
Sipas Hultgren, edhe ndihmat sociale si SNAP nuk e përballojnë dot këtë luhatje.
“Kur ndihma jepet në shuma fikse parash, vlera reale e saj bie kur ushqimi bëhet më i shtrenjtë. Kjo e vështirëson krijimin e buxhetit për nevoja të tjera jetike”, thotë ai.
Ai shton se në vendet më të varfra, këto rritje çmimesh nuk janë thjesht inflacion, por mund të shndërrohen në kriza të vërteta.
Klima nuk është i vetmi faktor, por është thelbësor
Studiuesit theksojnë se ndryshimet klimatike nuk janë i vetmi faktor që ndikon çmimet. Edhe lufta në Ukrainë dhe problemet me zinxhirët e furnizimit kanë kontribuar. Por ndryshimet klimatike i kanë përkeqësuar të gjitha këto.
Ortega e quan vitin 2022 “vitin me rritjen më të lartë të çmimeve të ushqimeve në një brez”.
“Ndikimi i ngjarjeve ekstreme klimatike është vetëm duke filluar. Do të përkeqësohet”, ka shtuar ai.
Raporti i studimit paralajmëron se valët e shpeshta të motit ekstrem mund të rrezikojnë edhe stabilitetin ekonomik.
“Banka qendrore do ta ketë më të vështirë të ruajë stabilitetin e çmimeve nëse ngjarjet klimatike e bëjnë ushqimin të paqëndrueshëm në tregun vendas dhe atë global”, thuhet në studim.
Si mund të përshtatet njerëzimi?
Sipas Bellemare, jo gjithçka është humbje.
“Po ndodh përshtatja. Ka sigurime të reja për fermerët. Po zhvillohen instrumente për t’u mbrojtur ndaj pasojave të klimës”, ka thënë ai.
Edhe vendimet që marrin fermerët mund të ndihmojnë, shton Hultgren.
“Ata mund të zgjedhin çfarë të mbjellin në bazë të çmimeve dhe parashikimeve të sezonit. Por kjo varet nga qasja në informacion”, ka thënë ai.
Por Ortega paralajmëron se pa investime në studime dhe teknologji, nuk mund të ketë mbrojtje afatgjate.
“Kam shumë shqetësime për shkurtimet buxhetore në SHBA. Duhet të investojmë në shkencë, në krijimin e farërave rezistente ndaj thatësirës dhe sëmundjeve, që bujqit të kenë mjetet për të përballuar krizën klimatike”, ka thënë ai.