Lajme

Shtrenjtime pafund të banesave  

Tregues të ndryshëm konfirmojnë shtrenjtimin e madh të banesave në vend. Vetëm bazuar në shpalljet për Shkupin si kantierin dhe tregun më të madh në Maqedoni, çmimi arriti në mesatare në 2000 euro metri katror në fillim të dhjetorit nga 1660 euro sa ishte një vit më parë. Mirëpo, çmimet arrijnë edhe deri në 3000 euro në Shkup si çmime maksimale për një metër katror. Njëherësh në Shkup vështirë se mund të gjendet banesë me një kosto nën 1000 euro për një metër katror.

Shtrenjtimi i sipërfaqes së banesave në kryeqytet vazhdoi në gjysmën e parë të këtij viti, me më shumë se 22 për qind në bazë vjetore. Megjithatë, ritmi u ngadalësua disi në tremujorin e dytë, sipas të dhënave nga Banka Popullore mbi çmimet e pasurive të paluajtshme. Vlerësohet se përderisa oferta nuk është më e madhe se kërkesa, nuk do të ketë rënie të çmimeve të apartamenteve. Për më tepër, në disa komuna më tërheqëse si Qendra, Karposhi, Aerodromi, apartamentet po shiten përtej pritshmërive, që ndikon më tej në shtrenjtimin e tyre. “Edhe pse shteti ka mekanizma për të ndikuar në çmimin e një metri katror banesor, unë besoj se ndikimi i tyre është i kufizuar në kushtet e kërkesës së lartë”, vlerëson Andrea Serafimovski, presidenti i Shoqatës për Ndërtim.

Sipas tij, çmimet e apartamenteve pritet të stabilizohen në të ardhmen e afërt sepse janë shumë të larta. “Çmimet e apartamenteve nuk janë realiste dhe ka shumë abuzime nga kompanitë e ndërtimit. Të njëjtat çmime ofrohen për apartamente me cilësi të ndryshme ndërtimi. Në vendin tonë po ndodh një paradoks, domethënë, apartamente ofrohen për 2.500 euro për metër katror në një ndërtesë me mbi 70 apartamente dhe vetëm një ashensor. Dhe pyesim veten se kush i blen këto apartamente që shiten me çmime shumë të larta. Çdo gjë që ofrohet në treg aktualisht po shitet. Për sa kohë që oferta nuk është më e madhe se kërkesa, nuk ka rënie të çmimeve të apartamenteve”, shpjegon Serafimovski.

Një mbështetje të madhe ndaj bumit ndërtimor shfaqet edhe nga bankat që shpesh në bashkëpunim me kompanitë ofrojnë banesa në ndërtim e sipër. Kreditë banesore arritën në mbi 1.7 miliardë euro në tetor të vitit 2025 nga 720 milionë euro sa ishte vlera e tyre në tetor të vitit 2018.

Nga ana tjetër, profesori nga Universiteti i Manastirit, Dejan Trajkovski, përmes një postimi në profilin e tij në Facebook, thotë se çmimet e apartamenteve do të vazhdojnë të rriten, siç thotë ai, për sa kohë që ka njerëz të gatshëm të paguajnë shuma kaq të paarsyeshme, shpesh vetëm për shkak të dëshirës me patjetër për të jetuar në kryeqendrën e Maqedonisë.

“Çmimet e apartamenteve në Shkup janë pothuajse dyfishuar në 5-6 vitet e fundit, gjë që tregohet qartë nga indeksi i çmimeve, i cili u rrit nga 100 në 192.80. Ky indeks është përgatitur nga Banka Popullore bazuar në të dhënat mbi apartamentet e reklamuara në shitje në territorin e qytetit të Shkupit. A do të vazhdojnë të rriten çmimet? Përgjigja, për fat të keq, është gjithmonë e njëjtë: ato do të rriten për sa kohë që ka njerëz të gatshëm të paguajnë shuma të tilla të paarsyeshme, shpesh vetëm për shkak të dëshirës ‘me çdo kusht’ për të jetuar në Shkup”, thekson profesori Trajkovski.

Nga sektori i ndërtimtarisë thonë se si kudo në botë, edhe në vendin tonë, çmimi i apartamenteve për metër katror është një kategori tregu dhe varet nga marrëdhënia midis ofertës dhe kërkesës, investimi në patundshmëri, dhënia me qira, çmimi i parcelave ndërtimore që shpesh mungojnë në Shkup si dhe nga vendndodhja, cilësia e ndërtimit dhe gjendja ekonomike në të cilën ndodhet shteti si dhe inflacioni, diferenca ndërmjet ofertës dhe kërkesës, shtrenjtimi i komunaleve dhe kostot e ndërtimit. Koha

3sgIgLJ.png