Lajme

Shqiptarët ruajnë përqindjen, maqedonasit me rënie drastike (TABELA)

Te shqiptarët, situata është më e qëndrueshme. Në vitin 1994, shqiptarët kishin 12.010 lindje (35.86%), ndërsa në vitin 2024 – ky numër është 5.475 lindje (34.09%). Rënia në numra absolutë ekziston, por përqindja ndaj totalit është pothuajse e pandryshuar, duke konfirmuar se shqiptarët po ruajnë pjesën e tyre demografike

Evis HALILI

Shkup, 29 shtator – Të dhënat më të fundit të EUROSTAT-it për lindjet në Maqedoninë e Veriut tregojnë një rënie të vazhdueshme të numrit të foshnjave të lindura në vend, duke reflektuar krizën demografike që po përfshin të gjithë rajonin. Në vitin 1994, në vend janë regjistruar 33.487 lindje, ndërsa në vitin 2024 ky numër ka rënë në vetëm 16.061 – gati përgjysmë brenda 30 viteve, shkruan gazeta KOHA. Sipas të dhënave të EUROSTAT-it e të përpunuara nga të dhënat e Entit Shtetëror të Statistikave të Maqedonisë së Veriut, rënia më e madhe vërehet te popullsia maqedonase. Në vitin 1994 maqedonasit kanë pasur 16.704 lindje, që përbënin 49.88% të totalit, ndërsa në vitin 2024 kjo shifër ka rënë në vetëm 6.842 lindje, me 42.60% të totalit. Ky është tregues i qartë i plakjes së popullsisë maqedonase dhe i natalitetit të ulët.

Te shqiptarët, situata është më e qëndrueshme. Në vitin 1994, shqiptarët kishin 12.010 lindje (35.86%), ndërsa në vitin 2024 – ky numër është 5.475 lindje (34.09%). Rënia në numra absolutë ekziston, por përqindja ndaj totalit është pothuajse e pandryshuar, duke konfirmuar se shqiptarët po ruajnë pjesën e tyre demografike. Ndër vite, shqiptarët e kanë ruajtur 33-34% të numrit të lindjeve në Maqedoninë e Veriut. Kaq sillet edhe numri i fëmijëve që nisin klasën e parë në shkollat e vendit.

300600-Banner-AKi

Ndërkohë, komuniteti rom ka rritje përqindjeje në raport me popullsinë e përgjithshme. Në vitin 1994 – romët përbënin 4.12% të lindjeve, ndërsa në vitin 2024 përfaqësojnë 5.71% të lindjeve, me 917 foshnja të lindura. Te turqit shifrat kanë rënie të lehtë – nga 1616 lindje (4.83%) në 1994, në 602 lindje (3.75%) në vitin 2024. Edhe te boshnjakët dhe serbët shifrat janë më të ulëta: boshnjakët kanë 150 lindje (0.93%) ndërsa serbët vetëm 84 lindje (0.52%) në vitin 2024.

Megjithatë, në nivel shteti, rënia e përgjithshme e numrit të lindjeve është alarmuese. Nga viti 2012, kur janë regjistruar 23.568 lindje, numrat kanë vazhduar të bien çdo vit. Vetëm në periudhën 2021-2024, vendi ka humbur gati 2600 lindje në vit.

Një element që bie në sy në vitin 2024 është kategoria “e pa specifikuar”, ku regjistrohen 1815 lindje ose 11.30% e totalit – shifra më e lartë ndonjëherë. Kjo mund të tregojë mungesë të deklarimit të etnisë nga prindërit ose ndryshime në mënyrën e regjistrimit të të dhënave. Të dhënat tregojnë se Maqedonia e Veriut po përballet me një krizë serioze demografike. Rënia e natalitetit prek të gjitha etnitë, por më së shumti komunitetin maqedonas, duke ndryshuar gradualisht përbërjen etnike të popullsisë. Në të njëjtën kohë, shqiptarët dhe romët ruajnë ose rrisin pjesën e tyre relative, ndërsa komunitetet më të vogla si turqit, boshnjakët dhe serbët mbeten në shifra të ulëta.

Ekspertët vlerësojnë se nëse kjo tendencë vazhdon, pas disa dekadash vendi do të përballet me një strukturë popullsie shumë më në moshë nga komunitetet jomaqedonase dhe me mungesë fuqie punëtore në përgjithësi, duke nxitur nevojën për politika serioze për stimulimin e natalitetit dhe mbështetje për familjet e reja. (koha.mk)

DIK-300x250-AL

3sgIgLJ.png