Lajme

Shqipëria, prej ditësh në sulm kibernetik nga Irani

Regjimi i ajatollahëve intensifikon sulmet digjitale për të goditur opozitën iraniane në Shqipëri, ndërsa Tirana përpiqet të shmangë përshkallëzimin…

Sulme kibernetike të ndërmarra së fundmi nga Irani kanë pasur si objektiv Shqipërinë, me synimin për të bllokuar dhe monitoruar aktivitetin e opozitës iraniane të strehuar në Manzë. Edhe pse më të kufizuara se ato të vitit 2022, këto sulme konfirmojnë shqetësimin e regjimit të Teheranit ndaj opozitës së drejtuar nga Maryam Rajavi, e cila promovon një model republikan dhe laik për Iranin. Raportet e shërbimeve partnere flasin për një rrjet spiunazhi iranian aktiv në vend, ndërkohë që Shqipëria, me mbështetje kibernetike nga Izraeli, përpiqet të ruajë ekuilibrin mes sigurisë kombëtare dhe presioneve gjeopolitike, në një lojë të ndërlikuar që shkon përtej kufijve të Ballkanit.

Irani ka ndërmarrë prej ditësh sulme kibernetike ndaj Shqipërisë, me synimin për të bllokuar aksesin dhe aktivitetin e opozitës iraniane që ndodhet në Manzë.

Siç mësohet, këto sulme nuk kanë pasur intensitetin e atyre të vitit 2022, kur hakerë iranianë arritën të përvetësonin një pjesë të madhe të të dhënave të qytetarëve shqiptarë, të cilat më pas u publikuan në rrjet.

Ndërkaq, këto sulme janë përballuar nga sistemi mbrojtës kibernetik, të cilin Shqipëria e ka marrë prej vitesh nga Izraeli.

Opozita iraniane në Shqipëri nuk ka qenë shumë aktive kohët e fundit në zhvillimin e një lufte politike të hapur, pavarësisht protestave të vazhdueshme në Iran.

Kjo sepse Tirana zyrtare u ka kërkuar atyre të mos përfshihen në aktivitete diversive, pasi një gjë e tillë do të implikonte drejtpërdrejt Shqipërinë dhe do ta ekspozonte vendin ndaj një përgjigjeje të ashpër nga regjimi i ajatollahëve.

Ndërkohë, shërbimet sekrete partnere kanë dhënë prej kohësh alarmin se në Shqipëri ekziston një rrjet i rëndësishëm spiunazhi iranian, i cili ka si objektiv kryesor përgjimin dhe monitorimin e aktivitetit të muxhahidinëve të Manzës.

Regjimi iranian i frikësohet më shumë kësaj opozite, edhe pse ajo është relativisht e vogël dhe prej vitesh në ekzil.

Kjo sepse opozita e drejtuar nga Maryam Rajavi përfaqëson pikërisht të kundërtën e regjimit të ajatollahëve dhe është kundërshtare e fortë edhe e rikthimit të fronit nga dinastia Pahlavi.

Dinastia Pahlavi po mbështetet fort nga Izraeli, i cili në të njëjtën kohë ka mbajtur të izoluar opozitën e muxhahidinëve. Kjo opozitë përfaqëson një spektrin të gjerë politik dhe etnik të Iranit, duke përfshirë të gjitha kombësitë dhe pakicat që e përbëjnë vendin. Kurdët dhe azerët janë një komponent i rëndësishëm i saj, krahas drejtuesve me kombësi perse.

Muxhahidinët kërkojnë krijimin e një regjimi republikan, me zgjedhje të përgjithshme dhe me një shtet të drejtuar jo nga një regjim klerikal, por nga institucione laike.

Maryam Rajavi ka paraqitur një plan me 10 pika, ku kërkon ndërtimin e një demokracie universale, respektimin e të drejtave të njeriut, veçanërisht të grave, si dhe një përfaqësim proporcional të kombësive dhe pakicave të tjera.

Rajavi kërkon një shtet plotësisht laik dhe respektimin e të gjitha besimeve fetare, të cilat aktualisht mbahen nën frikë nga regjimi klerikal.

Megjithatë, mësohet se si administrata Trump, ashtu edhe Izraeli, e kanë mbajtur larg këtë opozitë laike, duke promovuar djalin e ish-mbretit Reza Pahlavi, i cili urrehet nga një pjesë e madhe e popullit iranian po aq sa Ali Khamenei.

Muxhahidinët e Manzës kanë mbajtur gjithmonë shpresa te Donald Trump dhe republikanët për një qëndrim më të ashpër ndaj regjimit iranian. Por mbajtja e tyre jashtë planifikimeve dhe negociatave që po zhvillohen për të ardhmen e Iranit i ka shqetësuar thellë.

Ata kanë frikë se sërish do të lihen jashtë vendimmarrjes mbi të ardhmen e vendit, ndonëse kanë qenë ndër aktorët më të rëndësishëm në ndihmën ndaj SHBA-së për njohjen e realitetit iranian.

Muxhahidinët kanë luajtur rol kyç, veçanërisht në zbulimin e arsenalit bërthamor të Iranit dhe të zonave të zhvillimit të tij, të cilat u bombarduan nga SHBA gjatë luftës 13-ditore të Izraelit disa muaj më parë.

3sgIgLJ.png