Lajme

Shqipëria dhe shqiptarët kanë çdo arsye, për marrëdhënie të mira fqinjësore, me maqedonasit

Mentor Nazarko

Maqedonia, prej perspektivës sime modeste, vijon të ketë vështirësi serioze n krijimin e një versioni të konsoliduar të historisë. Këto vështirësi vijnë si nga presionet e brendshme dhe nevoja e imponuar për formimin e kombit, ashtu edhe nga ndikimet e fqinjëve. Fillimisht, si pjese e Mbretërisë Jugosllave, më pas e Jugosllavisë së Titos, e më vonë si shtet i pavarur, ajo ka pasur liderë që kanë ofruar narrativa te ndryshme, shpesh kontradiktore dhe konfuzuese.

Në ndërkohë, siç pranojnë sot edhe disa intelektualë maqedonas që dikur ishin në role kyçe të shtetit të ri, frika se shtëpia e pavarur mund të ndahej me shqiptarët, ka nxitur një qasje të fortë etnocentrike në shkrimin e historisë, duke përjashtuar e relativizuar rolin e shqiptarëve. Vetëm tani shihet me mirënjohje pranimi i bashkëpunimit të çetave shqiptare me maqedonasit në luftën çlirimtare gjatë Perandorisë Osmane. Por, fatkeqësisht, origjina shqiptare e banorëve të Gornë Rekës ende nuk pranohet publikisht, megjithëse prania e tyre është një kapital i gjallë gjuhësor e folklorik – një bekim për realitetin multietnik. Shqiptarët ortodoksë mund të jenë dhe duhet të jenë një urë e re pajtimi e miqësie midis maqedonasve dhe shqiptarëve.

Kjo tregon se krijimi i një vetëdijeje të përbashkët shtetërore dhe kombëtare, mbetet sfidë. Përpjekjet partiake për të zhbërë arritjet e Marrëveshjes së Ohrit – prova më e madhe e pjekurisë së dy etnive – si përdorimi korrekt i gjuhës shqipe, apo parimi i Badinterit, përbëjnë hapa pas dhe rrezik për destabilizim.

Shqipëria dhe shqiptarët kanë çdo arsye, të ndërtojnë marrëdhënie të mira fqinjësore me maqedonasit, diçka që përkrahet fuqimisht edhe nga miqtë tanë perëndimorë. Për arsye historike, por edhe për arsye aktuale. Adriatiku, përmes Korridorit Tetë, mund të jetë deti ynë i përbashkët.

3sgIgLJ.png
KddZqn1.gif