Shqipëria, parajsa fiskale për pensionistët italianë!
Një zhvillim i papritur ka ardhur nga raportet më të fundit mbi lëvizjet e pensionistëve italianë jashtë vendit. Ndërsa në përgjithësi numri i të moshuarve që zgjedhin të jetojnë në shtete të tjera është në rënie, një përjashtim i qartë ka dalë në pah: Shqipëria. Vendit tonë po i shtohet gjithnjë e më shumë një kategori e re emigrantësh, pensionistët italianë që kërkojnë një jetë më të lirë, më të ngrohtë dhe me taksa minimale.
Sipas të dhënave zyrtare nga INPS (Instituti Italian i Sigurimeve Shoqërore), Shqipëria është një nga destinacionet e pakta që ka regjistruar rritje të ndjeshme të pensionistëve të ardhur gjatë pesë viteve të fundit. Vetëm në vitin 2023, janë transferuar rreth 100 pensionistë italianë, duke e çuar totalin në rreth 200 që nga viti 2019.
Pse po zgjedhin Shqipërinë?
Sipas “Corriere Della Sera”, arsyeja kryesore është regjimi fiskal i favorshëm: që nga viti 2021, Shqipëria ofron përjashtim të plotë nga tatimi për të ardhurat nga pensionet. Me pak fjalë, pensionistët italianë marrin të njëjtin çek nga INPS, por nuk paguajnë taksa në Shqipëri.
Përveç kësaj, Shqipëria ofron një kosto jetese shumë më të ulët se Italia, sidomos në qytete si Vlorë, Durrës apo Sarandë, dhe një klimë të butë mesdhetare që tërheq të moshuarit që kërkojnë paqe, diell dhe më pak shpenzime. Infrastruktura shëndetësore është gjithashtu në përmirësim, dhe shumë nga spitalet private ofrojnë shërbime cilësore me çmime konkurruese.
Rënia e destinacioneve të tjera
Ndërsa Spanja, Portugalia, Tunizia dhe Rumania mbeten ndër zgjedhjet tradicionale të pensionistëve italianë, shumica e këtyre vendeve kanë filluar të heqin lehtësirat fiskale për të ardhurit e rinj. Portugezët, për shembull, kanë anuluar nga 2024 përfitimet për pensionistët e ardhur pas 2023, ndërsa Spanja ka rritur gradualisht taksat dhe kostot e jetesës.
Përkundrazi, Shqipëria po hyn në listën e vendeve që ofrojnë më shumë për më pak, një alternativë për një jetë të qetë, por ekonomike
Pensionistët zëvendësojnë rininë
Në një vend ku rinia po largohet masivisht drejt Perëndimit, ku shkollat mbyllen nga mungesa e nxënësve dhe ku fshatrat dhe qytetet e vogla po shndërrohen në rrënoja urbane, ironia është therëse: vendi po mbushet me pensionistë italianë.
Ndërkohë që shqiptarët kërkojnë çdo mënyrë për t’u larguar nga Shqipëria për një jetë më të mirë, italianët e moshuar e zgjedhin këtë vend pikërisht për atë që shqiptarët po braktisin: diellin, qetësinë dhe çmimet e ulëta.
Një absurd i madh social dhe ekonomik, që tregon kontrastin brutal mes asaj që Shqipëria ofron në sytë e të huajve dhe asaj që nuk arrin të ofrojë për të vetët.

