Tiranë – Paga mesatare ka pësuar sërish rritje gjatë 3 muajve të parë të 2025, sipas të dhënave zyrtare të Institutit të Statistikave. Rritja më e madhe paradoksalisht është regjistruar në sektorin publik, aty ku përveç korrupsionit dhe abuzimit me pronën e përbashkët edhe produktiviteti është më i ulët.
Gjatë periudhës janar-mars të këtij viti, paga mesatare mujore bruto për një të punësuar ishte 82.210 lekë, ose rreth 820 euro, me një rritje prej 11,6%, krahasuar me tremujorin e parë të vitit 2024, thuhet në raportin e fundit të INSTAT.
Aktivitetet ekonomike me pagë mesatare më të lartë se mesatarja kombëtare janë aktivitetet financiare dhe të sigurimit, ndjekur nga informacioni dhe komunikacioni.
Sipas INSTAT rritja më e madhe e pagës gjatë këtij viti, krahasuar me tremujorin e 2024, rezultoi tek administrata publike, sigurimi social i detyrueshëm, arsimi, shëndetësia dhe aktivitetet e punës sociale me +16,7%. Gjithashtu, rritje të pagave sipas INSTAT patën edhe forcat e armatosura dhe specialistët me arsim të lartë përkatësisht prej 23,1% dhe 13,7%. Ndërsa rritje të pagës me +5.3% kanë pasur edhe punonjësit e kualifikuar të sektorëve të bujqësisë, pyjeve dhe peshkimit.
Sipas të dhënave të INSTAT, gjatë kësaj periudhe është vënë re një ulje e numrit të punonjësve me pagë minimale dhe një rritje e numrit të punonjësve me paga më të larta.