Tarifat bankare në Maqedoninë e Veriut prej vitesh përbëjnë një barrë të ndjeshme për qytetarët dhe bizneset, të cilët çdo muaj ndeshen me komisione të shumta për shërbime që në shumë vende të Bashkimit Evropian (BE) janë krejt minimale ose madje falas. Realiteti i sektorit bankar në vend krijon një kontradiktë të fortë, ku qytetarët paguajnë çmime të larta, ndërkohë që standardi ekonomik mbetet i ulët dhe shumë nën mesataren evropiane.
Tarifat për shërbime bazike përfshijnë 35 denarë në muaj për një llogari bankare në denarë dhe 50 deri në 150 denarë për llogari në valutë të huaj. Tërheqjet nga bankomatet përkatëse janë falas ose me një komision minimal prej 10 denarësh, por tërheqja e parave jashtë vendit mund të kushtojë nga 150 deri në 300 denarë për transaksion. Pagesa e faturave në sportel tarifohen nga 50 deri në 150 denarë, ndërsa pagesat përmes “e-banking” shkojnë deri në 25 denarë për çdo transaksion. Edhe përdorimi i kartave vjen me kosto të qëndrueshme, ku një kartë debiti kushton të paktën 300 denarë në vit, ndërsa karta e kreditit kërkon rreth 800 denarë. Nëse pagesat kryhen jashtë vendit, zbatohet një komision konvertimi prej 1.5 për qind plus një shumë fikse, duke e rritur akoma më shumë çmimin e përdorimit të kartës.
Këtyre u shtohen komisionet për dërgesat ndërkombëtare, 0.1 deri në 0.5 për qind për euro dhe 1 për qind për valutë tjetër, si dhe komisionet për kreditë konsumatore, të cilat sillen nga një deri në tre për qind. Mbyllja e hershme e një kredie gjithashtu tarifohet me një deri në tre për qind, ndërsa edhe një konsultim i thjeshtë në sportel mund të kushtojë së paku 100 denarë. Kur këto tarifa kombinohen në një muaj të vetëm, shumë klientë shpenzojnë nga 500 deri në 1.500 denarë, një barrë e rëndësishme për një ekonomi me paga të ulëta dhe me rritje të ngadalësuar të fuqisë blerëse.
Nga ana ekonomike, këto tarifa prekin drejtpërdrejt buxhetet e familjeve, sepse ulin paratë që njerëzit kanë në dispozicion për shpenzime të tjera të nevojshme. Për bankat, komisionet janë një burim i madh fitimi, ku Banka Popullore thotë se ato përbëjnë deri në 18 për qind të të ardhurave neto të sektorit bankar. Në vend që të fitojnë kryesisht nga kreditimi apo shërbimet inovative, bankat në vend vazhdojnë të mbështeten te komisionet, çka tregon konkurrencë të dobët dhe çmime të ngrira në të gjithë sistemin.
Guvernatori i Bankës, Trajko Slaveski, në qershor theksoi se tarifat në Maqedoni janë shumë më të larta se ato në BE. “Tarifat bankare në vend janë dukshëm më të larta se ato në BE, ku rregulloret, standardizimi dhe konkurrenca u mundësojnë qytetarëve që shërbime të ngjashme t’i marrin falas ose me kosto minimale. Prandaj, është e domosdoshme të ulen komisionet për pranimin e kartave te tregtarët dhe të hiqen komisionet për tërheqjen e parave në bankomatet e bankave të tjera. Nëse bankat nuk ndërmarrin hapa në këtë drejtim, Banka Popullore do të detyrohet të ndërhyjë me rregullore të reja për të siguruar transparencë të plotë në strukturën e çmimeve”, tha ai.
Një zhvillim që pritej të sillte ndryshim thelbësor ishte anëtarësimi i Maqedonisë në Sistemin e Vetëm të Pagesave në Euro (SEPA) më 6 tetor 2025. Ky integrim duhet të ulte ndjeshëm kostot e transfertave në euro, duke i afruar qytetarët drejt standardeve evropiane të pagesave. Megjithatë, zbatimi është i ngadaltë, ku disa banka e kanë aktivizuar SEPA-n, ndërsa të tjera jo, dhe aplikacionet bankare mobile nuk ofrojnë ende opsion për pagesa SEPA, duke kufizuar përfitimet praktike për përdoruesit.
Ndryshe, krahasuar me BE-në, hendeku mbetet i dukshëm. Në shumicën e vendeve evropiane, tërheqjet nga bankomatet në një shtet tjetër tarifohen njësoj si ato brenda vendit, zakonisht falas ose nën një euro, ndërsa në Maqedoni ato jashtë vendit mund të kushtojnë deri në 300 denarë. Pagesat elektronike në BE shpesh ofrohen pa kosto, ndërsa në vend deri në 25 denarë për transaksion. Transfertat SEPA brenda BE-së janë zakonisht falas ose shumë të ulëta, ndërsa në Maqedoni aplikohen përqindje mbi shumën e transferuar. Edhe kartat bankare kanë kosto më të ulët në BE, shpesh pa tarifë vjetore, ndërsa në vend ato arrijnë deri në 800 denarë në vit. (koha.mk)
