Lajme

SHBA largon trupa nga bazat në Katar dhe Bahrein, ja arsyeja

Shtetet e Bashkuara kanë larguar qindra ushtarë nga baza ajrore Al Udeid në Katar, ndërsa kanë reduktuar praninë edhe në bazat amerikane në Bahrein, raportoi New York Times duke cituar burime në Pentagon. Zhvillimi rrit spekulimet për një goditje të mundshme amerikane ndaj Iranit.

Sipas gazetës, një zyrtar i lartë i Pentagonit ka theksuar se forcat amerikane do të përballeshin me rrezik më të madh nëse SHBA do të ndërmerrte një sulm të drejtpërdrejtë, dhe jo Izraeli. Trupa amerikane janë të dislokuara gjithashtu në Irak, Siri, Kuvajt, Arabinë Saudite, Jordani dhe Emiratet e Bashkuara Arabe.

Lëvizjet vijnë në një kohë kur Uashingtoni po forcon praninë ushtarake në Lindjen e Mesme, duke lënë të kuptohet se mund të ndërhyjë nëse negociatat për programin bërthamor të Iranit dështojnë. Presidenti amerikan Donald Trump deklaroi më herët se po shqyrton mundësinë e një “sulmi të kufizuar” për të shtuar presionin ndaj Teheranit që të arrijë një marrëveshje.

Dy zyrtarë amerikanë i thanë agjencisë Reuters, në kushte anonimiteti, se përgatitjet ushtarake kanë hyrë në fazë të avancuar. Sipas tyre, skenarët përfshijnë sulme të synuara ndaj individëve të caktuar dhe, nëse jepet urdhri politik, edhe opsione që lidhen me ndryshim regjimi në Iran. Ata nuk dhanë detaje mbi objektivat konkrete apo mënyrën e realizimit të një skenari të tillë pa operacion tokësor në shkallë të gjerë.

Reuters raportoi më herët se ushtria amerikane po përgatitet për një operacion të zgjatur, që mund të zgjasë disa javë dhe të përfshijë goditje ndaj objekteve të sigurisë dhe infrastrukturës bërthamore iraniane. Sipas burimeve, planet janë bërë më të detajuara në pritje të një vendimi të mundshëm nga presidenti.

Nga ana tjetër, ministri i Jashtëm i Iranit, Abbas Araghchi, deklaroi se brenda dy ose tre ditësh Teherani do të përgatisë një projekt-marrëveshje për çështjen bërthamore, të cilin do t’ia dërgojë Uashingtonit.

Presidenti Trump ka grumbulluar forca të konsiderueshme në rajon, përfshirë anije luftarake dhe avionë luftarakë, ndërsa një operacion i zgjeruar ajror mund të mbështetet edhe nga bombardues që operojnë nga territori amerikan.

Gjatë mandatit të tij të parë, Trump miratoi në vitin 2020 eliminimin e gjeneralit iranian Qasem Soleimani, komandant i Forcës Quds të Gardës Revolucionare. Në vitin 2019, administrata amerikane e shpalli zyrtarisht Gardën Revolucionare organizatë terroriste.

Një nga zyrtarët e cituar nga Reuters vuri në dukje se përplasja 12-ditore mes Izraelit dhe Iranit gjatë verës tregoi efektivitetin e goditjeve të synuara ndaj drejtuesve ushtarakë. Sipas burimeve rajonale, atëherë u vranë të paktën 20 komandantë të lartë, përfshirë shefin e forcave të armatosura iraniane, gjeneralin Mohammad Bagheri.

3sgIgLJ.png