Lajme

SHBA-ja heq nga Lista e Zezë katër persona nga Ballkani

Departamenti Amerikan i Thesarit bëri të ditur se ka hequr nga lista e sanksioneve katër aleatë të ish-presidentit të entitetit serb të Bosnjës, Millorad Dodik, pa dhënë ndonjë sqarim për arsyet e këtij vendimi.

Jellena Pajiç Bastinaç, Danijel Dragiçeviç, Goran Rakoviç dhe Dijana Millankoviç u sanksionuan në janar për shkak se ndihmuan në organizimin e festimeve të paligjshme të “Ditës së Republikës Sërpska”, e cila u shënua nga serbët e Bosnjës më 9 janar.

Dodik është sanksionuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Britania për pengimin e zbatimit të Marrëveshjes së Dejtonit për paqe, e cila i dha fund luftës në Bosnje në vitet ’90, si dhe nga disa vende evropiane që vlerësojnë se politikat e tij separatiste rrezikojnë paqen dhe stabilitetin në Bosnje.

Mandati i Dodikut si president i entitetit serb të Bosnjës iu hoq nga Komisioni Qendror Zgjedhor i Bosnjës, pasi Gjykata e Apelit e Bosnjës mbajti në fuqi dënimin e tij të shkurtuar me një vit burgim dhe me ndalim të ushtrimit të detyrës për gjashtë vjet.

Ai u dënua për mosrespektim të vendimeve të përfaqësuesit të lartë të bashkësisë ndërkombëtare në Bosnje, të vendosura për të parandaluar kthimin e vendit në dhunë etnike.

DIK-300x250-AL
3sgIgLJ.png