Arena Channels, një grup mediatik në pronësi të Telekom Srbija, ka vendosur të hyjë në tregun shqiptar. Një javë më parë, shoqëria serbe ka krijuar kompaninë Arena News Channels Two Albania, e cila është regjistruar këtë të enjte në Qendrën Kombëtare të Biznesit.
Sipas ekstraktit, shoqëria do të ketë si objekt aktiviteti; Prodhimin, transmetimin dhe shpërndarjen e përmbajtjeve audiovizive nëpërmjet televizionit, internetit, platformave digjitale dhe rrjeteve sociale.
Po kështu pjesë e aktivitetit të saj do të jetë edhe botimi dhe administrimi i publikimeve elektronike dhe mediave online.
Arena News Channel Two Doo u themelua më 13 mars 2009 nga Goran Đaković. Në atë kohë, ajo quhej “Telecommunications Company HD-WIN doo”. Më 22 maj 2019, kompania u ble nga “Telekom Srbija” AD, çka e bën atë një kompani që indirekt zotërohet nga qeveria e Serbisë.
Aktualisht Arena Channel Group është mbajtësja e të drejtave për transmetimin e kanaleve sportive në territorin e Serbisë, Bosnje Hercegovinës, Malit të Zi dhe Kroacisë. Po kështu ky grup mediatik mban edhe liçencën e kanalit të njohur Euronews për Serbinë.
Ardhja e Arena Channel në Shqipëri përkon me disa ndryshime të rëndësishme në tregun mediatik shqiptar, raporton “Kapitali”.

