
Nga Lume HYSENI
Fushata ndërkombëtare “Ndaje një Coca-Cola” synon të afrojë njerëzit duke personalizuar produktin me emra dhe shprehje të njohura.Kjo fushatë filloi në Australi në vitin 2011 dhe është shtrirë globalisht, përfshirë mbi 120 vende deri në vitin 2025. Aktualisht kjo fushatë në mënyrë selektive zbatohet edhe në Republikën e Maqedonisë së Veriut.
Kompanitë multinacionale si Coca-Cola zakonisht respektojnë diversitetin e tregjeve ku promovojnë dhe shesin produktet e tyre. Por Birraria e Shkupit, ku Coca-
Cola prodhohet lokalisht për këtë treg të vogël me më pak se 1.8 milion banorë, pati guximin të veprojë ndryshe!
Dhe këtë, sipas shembullit të “heroit” kombëtar maqedonas Sashe Golemiot, i cili në një shekull që nuk ekziston pushtoi tokat e Indisë, vetëm falë guximit – dhe mbeti atje sepse nuk dinte si të kthehej! Se ndryshe nuk ka si ta mos dijë Birraria e Shkupit se 24.03% e popullsisë në Maqedoninë e Veriut janë shqiptarë dhe gjysma e konsumatorëve të produkteve Coca-Cola janë shqiptarë, që i bie se nëse injoron shqiptarët, injoron gjysmën e tregut të produkteve që shet!
Faqja zyrtare e Coca-Cola Maqedoni e Veriut është vetëm në maqedonisht, ndërsa bilbordet e fushatës “Ndaje një Coca-Cola” janë ekskluzivisht me emra sllavë dhe torbeshë, të shkruar me alfabet cirilik. Lista e qyteteve ku konsumatorët mund të regjistrojnë emra që do të gjenden në shishet dhe kanaçet e Coca-Cola përfshin Shkupin, Shtipin, Gjevgjelinë, Manastirin dhe Dojranin. Mario, Maja, Lupço… Drugar, Genijalec, Bajram, Jusuf… dhe vetëm në çdo 7000 shishe del një Fatmir i shkruar me alfabet cirilik – një “makedonski albanec” i krijuar me zor!
Birraria e Shkupit vepron sikur të ishte një nëndegë e VMRO-së në Dolno Dupeni, dhe jo pjesë e korporatës ndërkombëtare Coca-Cola HBC. Madje, me guximin e Sashe Golemiot, mendon se mund të gjenerojë fitim duke anashkaluar tregun prej 672,840 shqiptarësh.Prandaj, është detyrë e jona si shqiptarë të dëshmojmë se gjykimi i tyre nuk është vetëm i gabuar – por është idiot! Urojmë fat në përpjekjen për të shitur Coca-Cola-t “Лупчо” në Dojran dhe Dellçevë! Ne Coca-Cola “Лупчо” nuk blejmë!
Në rast të ndonjë krize eventuale për këtë pije, produktet e Coca-Cola Shqipëria – edhe pse më të pakta në numër – prapëseprapë gjenden në tregun e shtetit tonë të dashur multietnik, Maqedonia e Veriut, i cili është aq njëkombësh sa është edhe Luksemburgu!
Ndërkohë, të gjithë qytetarët shqiptarë të Republikës së Maqedonisë së Veriut, përveç se të mos blejnë Coca-Cola-t “Лупчо, Маја,Марио, Генијалец, Долнодупенец…”, inkurajohen t’i bashkohen eventit Bojkoto produktet e Coca-Cola Maqedonia e Veriut në Facebook: https://fb.me/e/3esXBoBj7 dhe të nënshkruajnë peticionin:
Urge Coca-Cola HBC to Include Albanian Language in Campaigns and Products, i cili do t’i dërgohet zyrës qendrore evropiane të Coca-Cola HBC në Zvicër dhe zyrës rajonale në Greqi, ku do të kërkohet respektimi i tregut të larmishëm, konsumatorëve shqiptarë dhe emrave shqip nga ana e prodhuesit lokal në Maqedoninë e Veriut.
Ndoshta ata as që e dinë se çfarë bën Birraria e Shkupit, si një degë e VMRO-së së Dolno Dupenit! Ndoshta pasardhësit e “Sashe Golemiot” në birrarinë e Shkupit do të detyrohen ta respektojnë shumëllojshmërinë etnike të tregut ku operojnë. Ndoshta Coca-Cola Shqipëria do të rrisë kapacitetin e prodhimit dhe, përveç Kosovës, do të mbulojë të gjithë tregun shqiptar këtu.
Ta shohim!
Por si fillim, më e rëndësishmja është që bojkoti të jetë masiv dhe shitja e produkteve “Лупчо Cola” nga Birraria e Shkupit të shënojë një rënie epike!
Le t´ju ngеl gjysma e Лупчо Cola-ve në depo.