Lajme

SANKSIONET NDAJ LUKOIL-it: Pasojat do të ndjehen edhe në Maqedoni!

Sanksionet e fundit të vendosura nga Shtetet e Bashkuara kundër kompanive ruse të naftës Lukoil dhe Rosneft nuk do të kenë një ndikim të drejtpërdrejtë në furnizimin me karburant në Maqedoni për momentin. Institucionet në vend sigurojnë që tregu vendas mbetet i qëndrueshëm. Sanksionet po japin edhe rezultatet e para në botë. Kina ka pezulluar më 23 tetor blerjet e naftës ruse, pas paketës së sanksioneve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës ndaj kompanive më të mëdha në Moskë, Rosneft dhe Lukoil.

Kjo rënie e kërkesës nga gjigantët rusë do të ushtrojë presion mbi të ardhurat e Moskës nga nafta dhe do t’i detyrojë importuesit kryesorë në botë të kërkojnë furnizime alternative dhe të rrisin çmimet globale. Kompanitë kombëtare kineze të naftës PetroChina, Sinopec, CNOOC dhe Zhenhua Oil do të bllokojnë përkohësisht tregtinë me Kremlinin, për aq kohë sa SHBA-të dhe Bashkimi Evropian po mbajnë këtë qëndrim të ashpër. Sanksionet e tilla do të ndikojnë në mënyrë të drejtpërdrejta apo në tërthorazi edhe në tregjet e naftës në Evropë dhe botë.

PASOJAT NË VEND

Në ndërkohë, autoritetet në Maqedoni sigurojnë se nuk priten probleme me furnizimin me naftë dhe derivate të saj pas vendosjes së sanksioneve amerikane ndaj kompanive ruse të naftës. Megjithatë, shtojnë se janë të mundshme ndryshimet në çmimet me pakicë për shkak se ato varen nga kursi i këmbimit të dollarit, ndërsa çmimet e bursës do të preken nga sanksionet. “Sanksionet që SHBA-të kanë vendosur ndaj kompanive ruse të naftës nuk pritet të kenë një efekt negativ në furnizimin me derivate të naftës në vendin tonë, sepse pothuajse 86 për qind e naftës së disponueshme në vend importohet nga Greqia. Megjithatë, këto sanksione ndikojnë në çmimet e tregut të aksioneve, të cilat, së bashku me kursin e këmbimit të dollarit, merren parasysh gjatë formimit të çmimit me pakicë të derivateve të naftës”, thonë nga Komisioni Rregullator i Energjetikës.

Për më tepër, sipas raportit të saj të vitit të kaluar, importi i naftës në vend dominohet nga Greqia, ndërsa nga Bullgaria prej nga furnizohet Lukoil në Maqedoni blihen afër 10.5 për qind të naftës. Në ndërkohë “Lukoil Macedonia” në një përgjigje dërguar “Faktor” thotë se kompania aktualisht po operon pa pengesa në importin dhe shitjen me pakicë të karburanteve, pas sanksioneve të vendosura nga Shtetet e Bashkuara.

Kjo kompani është importuesi i tretë më i madh i derivateve të naftës në Maqedoni, pas OKTA-s dhe SUPERTRADE, dhe ka rrjetin e dytë më të madh të shitjes me pakicë përmes stacioneve të benzinës pas Makpetrol me mbi 40 pompa të benzinës. SHBA-të kanë vendosur sanksione ndaj dy kompanive të mëdha ruse të energjisë – Rosneft dhe Lukoil, dhe administrata në Shkup thotë se aktualisht po zhvillohen vetëm konsultime me firmat më të mëdha ligjore dhe se gjithçka tjetër po ecën në mënyrë rutinore. Lidhur me zhvillimet aktuale në lidhje me sanksionet e vendosura nga Mbretëria e Bashkuar dhe Shtetet e Bashkuara ndaj kompanisë “LUKOIL”, kompania LUKOIL Macedonia DOOEL Skopje njofton se po funksionon normalisht dhe si zakonisht. I gjithë komunikimi afarist, prokurimi, transporti dhe pagesa e mallrave me shumicë dhe pakicë po zhvillohen në mënyrën e zakonshme, pa asnjë kufizim. “Po mblidhen mendime ligjore nga firma avokatësh me reputacion të mirë mbi përmbajtjen, fushëveprimin dhe pasojat e sanksioneve. LUKOIL Macedonia SHPKNJP Shkup mbetet e përkushtuar ndaj respektimit të ligjit dhe të të gjitha rregulloreve përkatëse kombëtare dhe ndërkombëtare që zbatohen për biznesin tonë dhe ndaj transparencës në marrëdhëniet me partnerët tanë të biznesit. Kompania jonë, me një angazhim të konsiderueshëm nga menaxhmenti dhe punonjësit e saj, do të vazhdojë të punojë me përkushtim për të kapërcyer të gjitha vështirësitë e mundshme”, thonë nga “Lukoil Macedonia”.

Sanksionet kanë tërhequr vëmendjen edhe në Serbi, ku Lukoil është zinxhiri i dytë më i madh. Ekspertët atje thonë se sanksionet do ta bëjnë indirekt më të vështirë për Industrinë e Naftës të Serbisë, pjesërisht në pronësi ruse. Lukoil Serbia tha se kompania aktualisht po operon normalisht, pa kufizime në furnizim, transport apo pagesa. “Kompania LUKOIL SERBIA SHPK aktualisht po operon normalisht. I gjithë komunikimi biznesor, prokurimi, transporti dhe pagesa e mallrave me shumicë dhe pakicë për momentin kryhen në mënyrën e zakonshme, pa asnjë kufizim. Po merren mendime ligjore nga zyra avokatësh të njohura mbi përmbajtjen, fushëveprimin dhe pasojat e sanksioneve”, thuhet në deklaratën që iu dha mediave.

“LUKOIL SERBIA” SHPK operon nëpërmjet një rrjeti prej 112 stacionesh benzine aktive në të gjithë Serbinë.

TREGU BULLGAR

Biznesi bullgar i naftës thotë se sanksionet janë të kufizuara territorialisht dhe prekin kompanitë dhe qytetarët amerikanë. “Nuk priten ndërprerje në tregun e karburanteve në Bullgari, as rritje çmimesh pas sanksioneve të vendosura nga Shtetet e Bashkuara kundër kompanive ruse të naftës Rosneft dhe Lukoil”. Këtë e deklaroi kryetari i Shoqatës Bullgare të Naftës dhe Gazit, Svetoslav Bençev, për BTA-në.

“Për momentin, nuk pres që të ndodhë diçka. Ka sasi të mjaftueshme karburanti në treg dhe gjithçka është siguruar, stacionet e benzinës janë duke punuar”, siguron Bençev.

Sipas tij, sanksionet e vendosura nga SHBA-të janë të kufizuara territorialisht dhe prekin kompanitë dhe qytetarët amerikanë, pa pasur një efekt të drejtpërdrejtë në territorin e vendeve të tjera, përfshirë Bullgarinë. Bençev shtoi se megjithëse çmimet e naftës u rritën me mbi 3 për qind në tregtimin aziatik të premten, kjo lëvizje është afatshkurtër dhe nuk pritet një trend i qëndrueshëm në rritje. “Nuk ka arsye për panik apo spekulime me çmimet”, u shpreh ai.

Ministri bullgar i energjisë Zheço Stankov tha të premten se furnizimet me karburant motorik në tregun vendas janë siguruar plotësisht deri në fund të vitit, pavarësisht sanksioneve të SHBA-së ndaj Lukoil të Rusisë dhe degëve të saj, përfshirë rafinerinë e vetme të naftës në Bullgari, Lukoil Neftochim Burgas, dhe shitësin me pakicë të karburantit Lukoil Bulgaria, raportuan mediat lokale.

Kryeministri bullgar, Rosen Zhelezkov tha se Sofja ka afat deri më 21 nëntor për të marrë një vendim mbi të ardhmen e rafinerisë Lukoil Neftokhim Burgas, e vetmja në vend, për shkak të sanksioneve të vendosura nga Uashingtoni ndaj pronarit të saj rus. Ai theksoi se sanksionet nuk do të pengojnë prodhimin dhe furnizimet e naftës, pasi rafineria nuk ka përdorur lëndë të para ruse për një kohë të gjatë.

Parlamenti i Bullgarisë ka miratuar ndryshimet në Aktin e Promovimit të Investimeve, duke futur rregulla të reja që rregullojnë shitjen e mundshme të aseteve të Lukoil në vend. Votimi pasoi debate të ashpra dhe përkoi me një seancë të jashtëzakonshme të Këshillit të Ministrave të thirrur pasi Shtetet e Bashkuara vendosën sanksione ndaj gjigantëve rusë të naftës Rosneft dhe Lukoil. Sipas dispozitave të reja, çdo shitje e aseteve të Lukoil do të jetë e mundur vetëm pas një vendimi formal nga Këshilli i Ministrave dhe një opinioni pozitiv nga Agjencia Shtetërore për Sigurinë Kombëtare (SANS). Ligji përcakton që SANS duhet të kryejë një hetim paraprak të detajuar dhe të japë një vlerësim me shkrim përpara se të miratohet çdo transaksion që përfshin aksione ose kapital të Lukoil Bulgaria EOOD, Lukoil Neftochim Burgas AD, Lukoil Aviation Bulgaria EOOD ose Sustainable Energy Supply OOD. Kjo vlen edhe për çdo kompani tjetër të lidhur me Lukoil, pavarësisht nëse është e regjistruar në Bullgari apo jashtë vendit, kur është në pronësi të drejtpërdrejtë ose të tërthortë të kompanisë mëmë ruse.

Javën e kaluar, Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, njoftoi se po vendos sanksione ndaj kompanive ruse të naftës Lukoil dhe Rosneft. Arsyeja për këtë është refuzimi i Presidentit rus Vladimir Putin për të ndaluar sulmet ndaj Ukrainës. Për Putinin, vendimi për sanksione të reja do të shkaktonte probleme ekonomike dhe e quajti atë “një akt armiqësor që nuk kontribuon në forcimin e marrëdhënieve ruso-amerikane”.

Në të njëjtën kohë në Bruksel, ambasadorët ranë dakord për paketën e 19 të sanksioneve që nga shkurti 2022. Paketa përfshin ndalimin e parë të importit të gazit natyror të lëngshëm rus nga BE, duke filluar nga 1 janari 2027. Ky ndalim do t’u lejojë furnizuesve të mbetur (Belgjikë, Francë, Holandë, Spanjë dhe Portugali) të përdorin “forcën madhore” dhe të prishin kontratat afatgjata me Moskën, që përndryshe do të çonin në procese gjyqësore me vlerë miliarda euro.

Sanksionet ndalojnë të gjitha transaksionet me Rosneft dhe Gazprom Neft dhe përfshijnë në listën e zezë edhe 117 anije shtesë nga “flota fantazmë”, që përdoret për të shmangur kufizimin e çmimit për naftën ruse të transportuar me anije, duke e çuar totalin në 558 anije. (koha.mk)

DIK-300x250-AL
3sgIgLJ.png