Nga Deir al-Balah te Porti i Vlorës, Tirana përfshihet në një projekt shumëkombësh me kosto të lartë financiare dhe peshë të rëndë gjeopolitike…
Mësohen shifrat paraprake të planizuara në lidhje me misionin shqiptar që do të shërbejë në Gaza, në kuadër të Forcës Ndërkombëtare të Bordit të Paqes.
Në planin paraprak të strategjisë së bërë nga gjenerali amerikan Jasper Jeffers që do të udhëheqë misionin dhe stafi i tij, mësohet se është planifikuar që Shqipëria do të ketë 300 ushtarë, oficerë, ndihmës, mjekë e personel, së bashku me logjistikën përkatëse.
Ende nuk është përcaktuar nëse helikopterët do të merren nga inventari i Forcës Ajore Shqiptare, apo do të përdoret logjistika ajrore e përbashkët.
Trupat paqeruajtëse të Shqipërisë do të vendosen në qendër të Gazës, përkatësisht në Deir al-Balah, ndërsa trupat e Kosovës, do të vendosen në veri të Gazës, në kufi me Izraelin.
Kostoja e mbajtjes së një batalioni shqiptar, vlerësohet të shkojë deri në 100 milionë euro në vit. Ndërkaq, në lidhje me trupat e Kosovës, mësohet se mund të shkojnë në një kontigjent deri në 250 persona, me një kosto vjetore deri në 85 milionë euro.
Shpenzimet e mbajtjes së efektivit do të jenë në llogarinë përkatëse të shtetit shqiptar dhe atij të Kosovës, ku përfshihen edhe pagesat e mundshme të tarifave, qirave apo siguracionet.
Sipas dokumenteve të kontratës së Bordit të Paqes është planifikuar të ndërtohet një bazë ushtarake për 5,000 njerëz në Gaza, që shtrihet në një territor rreth 140 hektarë.
Vendi është projektuar si bazë ushtarake operative për një Forcë të ardhshme Ndërkombëtare të Stabilizimit (ISF), e parashikuar si një forcë shumëkombëshe e përbërë nga trupa si kontribut nga vendet anëtare.
Planet e para parashikojnë ndërtimin me faza të një poste ushtarake me një perimetër prej 1,400 metrash me 1,100 metrash, të rrethuar nga 26 kulla rojesh të blinduara të montuara në rimorkio, një poligon armësh të vogla, bunkerë dhe një depo për pajisje ushtarake operative. E gjithë baza do të rrethohet nga tela me gjemba.
Vendet që dërgojnë trupa janë Indonezia, Maroku, Kazakistani, Kosova dhe Shqipëria. Egjipti dhe Jordania do të mbështesin misionin duke trajnuar oficerë policie palestinezë. Forca do të drejtohet nga Gjenerali i Ushtrisë Amerikane Jasper Jeffers, i emëruar komandant i Misionit të ardhshëm të Stabilizimit të Gazës nga këshilli i Trump.
Indonezia do të shërbejë si zëvendëskomandant. Gjenerali Jeffers konfirmoi se Indonezia ka pranuar rolin e zëvendëskomandantit brenda forcës. Presidenti indonezian Prabowo Subianto deklaroi se vendi i tij është gati të vendosë deri në 8,000 trupa dhe tha se Indonezia dëshiron të ndihmojë “që kjo paqe të funksionojë” në Gaza.
Bordi i Paqes i Donald Trump po punon me një sipërmarrës teknologjik izraelit për të eksploruar një monedhë të qëndrueshme të mbështetur nga dollari për Gazën, me qëllim mbështetjen e rindërtimit ekonomik dhe kufizimin e ndikimit të Hamasit.
Sipas Financial Times, monedha e qëndrueshme do të jetë e lidhur me dollarin amerikan dhe do të përdoret për të lehtësuar pagesat dixhitale, jo për të zëvendësuar tregtinë në Gaza me një monedhë sovrane. Qeverisja do të përfshijë Bordin e Paqes dhe administratën e përkohshme teknokratike të Gazës.
Diskutimet vijnë në një kohë kur sistemi bankar i Gazës mbetet i kompromentuar rëndë. Qasja në para të gatshme ka qenë e kufizuar që nga viti 2023 për shkak të shkatërrimit të bankomateve dhe kufizimeve në shpërndarjen e valutave fizike.
Bordi i Paqes kryesohet nga Donald Trump në makro, ndërkohë shefi operativ apo ekzekutiv do të jetë dhëndri i tij, Jared Kushner.
Pikërisht Kushner, i cili ka planifikuar të nisë një ndërmarrje të madhe biznesi turistik në ishullin e Sazanit e në Zvërnec, mësohet se ka hedhur idenë që në Portin e Vlorës, të vendoset qendra e furnizimeve për trupën e administratën ndërkombëtare në Gazë, si dhe rreth saj të ndërtohen HUB-et apo magazinat e mëdha të furnizimit logjistik.
Kjo jo vetëm në kuadër të trupave ndërkombëtare dhe administratës, por mbi të gjitha të lidhura me megainvestimet që priten të kryhen në Gaza me paratë e disa vendeve arabe.
Pikërisht këtu ka shpërthyer edhe një garë e fortë e marrjes së koncensioneve përkatëse që nevojiten për të gjithë shërbimet apo punët e mëdha, të cilët kërkojnë edhe një sasi të madhe furnizimesh.
Nëse arrihet të jetë Shqipëria si një nyje logjistike, kjo do të sjellë një aktivizim dhe qarkullim ekonomik, pavarësisht se kontraktorët e mëdhenj do të jenë koorporata të mëdha ndërkombëtare.
Gjithsesi aktiviteti i kësaj logjistike mund të prodhojë punë e shërbime të shumëllojshme që mund të krijojnë një rritje ekonomike.
Siç mësohet në garë është edhe Qipro, e cila është aktualisht një hub i rëndësishëm strategjik për furnizimin e Lindjes së Mesme. Por, ngaqë ajo ka kontroll të rëndësishëm të britanikëve dhe Izraelit, shihet me dyshim nga donatorët arabë. Negociatat deri në këto momente po zhvillohen frenetike, në parim, pasi zbatimi në praktikë i planit është ende larg realitetit.
