Konsumatorët në Maqedoni konsumojnë ushqim të sigurt, ndërsa cilësia e ushqimit konfirmohet nga prodhuesit ose përpunuesit. Njëherësh edhe numri i inspektimeve, por edhe masat që janë në fuqi për sigurinë ushqimore dhe shëndetin e qytetarëve të BE-së zbatohen edhe tek ne flasin për sigurinë e ushqimit. Autoritetet thonë se gjatë blerjes së ndonjë produkti, qytetarët duhet të jenë të informuar mirë për atë që shkruhet në deklarata, dhe duhet t’i kushtojnë vëmendje të veçantë metodës së ruajtjes, si dhe datës së skadimit. Shpesh, për shkak të gabimeve të caktuara të bëra nga operatorët ekonomikë, produkte të skaduara mund të gjenden në raftet e supermarketeve.
Si çdo vit, paralajmërohen kontrolle të shtuara për shkak të periudhës së verës, veçanërisht në zonat turistike. “Mbi 12.000 inspektime janë kryer që nga fillimi i vitit, duke shkatërruar rreth 56 ton ushqim të pasigurt në Maqedoninë e Veriut. Janë vendosur 1.325 gjoba me ndalime të përkohshme pune, si dhe janë ngritur kallëzime penale”, thotë drejtori i Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë, Oliver Millanov.
Sipas tij, kryhen edhe kontrolle shtesë për çdo dërgesë të importuar në vend. “Që nga fillimi i këtij viti, 10 dërgesa janë kthyer si të pasigurta, shumica e tyre për shkak të importeve nga rajone/vende të ndaluara. Një dërgesë me ushqim me origjinë shtazore me peshë 207 ton u shkatërrua, dhe rreth 30 ton ushqim me origjinë joshtazore u shkatërruan gjithashtu si të pasigurta, më shumë se gjysma e të cilave ishte ujë mineral i importuar i pasigurt, për shkak të kontaminimit bakteriologjik, jodizimit të pamjaftueshëm të kripës dhe mbetjeve të përcaktuara të pesticideve në perime”, thotë ai.
Kompetentët në vend njoftuan se importi i mishit të pulës nga Brazili është i ndaluar për shkak të gripit të shpendëve. Gati dy javë më parë, për të parandaluar mundësinë e përhapjes së murtajës tek ripërtypësit e vegjël, autoritetet ndaluan edhe importin dhe tranzitin e ripërtypësve të vegjël të gjallë shtëpiakë dhe të egër, spermës, vezëve dhe embrioneve, mishit dhe produkteve nga ripërtypësit e vegjël shtëpiakë dhe të egër nga Shqipëria. Ndalimi është në fuqi pas një shpërthimi të ri të sëmundjes që ndodhi në rrethin e Dibrës, në qytetin e Kastriotit, në një fermë me 200 dhi, pas raportimit të rastit të parë në rrethin e Shkodrës.
Më shumë se 1 mijë krerë bagëti të imta janë asgjësuar në Shqipëri për shkak se janë prekur nga murtaja. Ministria e Bujqësisë njoftoi se prej datës 4 qershor e deri më tani janë prekur 8 ferma në 6 bashki të vendit. Për shkak të murtajës kanë ngordhur 39 krerë dhe 1082 të tjera kanë pasur kontakt me to, për këtë arsye janë asgjësuar.
Ky infeksion përhapet në mënyrë të shpejtë te kafshët, duke sjellë mortalitet 100% të tufës ku shfaqet. Një vit më parë, në Greqi, brenda një muaji murtaja e bagëtive u përhap në 11 rajone të Greqisë nga 13 që ka gjithsej. Kjo sëmundje solli një krizë të rëndë për sektorin e blegtorisë greke, pasi u asgjësuan 160 mijë dele dhe dhi.
Nga ana tjetër, qytetarët në vend shpesh ngrenë alarme për shitjen e produkteve me afat të skaduar, praninë e ndotësve në produkt, dyshimet për helmim nga ushqimi dhe shitjen e produkteve me veti organoleptike të ndryshuara, mashtrimin e konsumatorit, si dhe dyshimet për cilësinë e produktit. Që nga fillimi i vitit, në Departamentin e mbrojtjes së konsumatorit janë paraqitur më shumë se 360 iniciativa për mbikëqyrje inspektuese. “Përgjegjësia për sigurinë ushqimore është e të gjithëve nga shteti që krijon politika, krijon kushte dhe zbaton kontrolle deri te qytetarët si konsumatorë fundorë. Nuk është e rëndësishme vetëm nëse dhe çfarë hamë, por edhe sa i sigurt është ushqimi në tryezat tona”, thonë nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë së Maqedonisë.
Gjithashtu, gjoba me vlerë 8.350 euro në kundërvlerë në denarë u shqiptuan në fillim të muajit maj nga shërbimet inspektuese të AUV ndaj 14 dyqaneve të mishit për mospërputhje të identifikuara në punën e tyre, në kuadër të 73 kontrolleve të jashtëzakonshme inspektuese të kryera. Inspektimet, siç raportohet nga AUV , u kryen më 30 prill të këtij viti në të gjithë vendin, dhe 323 kilogramë ushqim u shkatërruan si të pasigurt.
Inspektimet e mishtoreve rezultuan në 23 vendime për të eliminuar mospërputhjet e identifikuara. Nga AUV kanë deklaruar se tre operatorë vunë në treg ushqime të pasigurta, shtatë prej tyre kishin mangësi të identifikuara në drejtim të zbatimit të rregullave të praktikës së mirë të prodhimit dhe higjienës, dhe katër mishtore nuk kryen inspektime sanitare të detyrueshme të punonjësve. Parregullsi në aspektin e etiketimit të produkteve u identifikuan në tre dyqane mishi dhe u përcaktua se një numër i barabartë nuk ishin të regjistruar si operatorë ushqimorë.
Shërbimet inspektuese të AUV, nga 10 deri më 12 shkurt, kryen 124 kontrolle të jashtëzakonshme në tregjet e mëdha në të gjithë vendin që kanë rrjete supermarketesh, dyqane me zbritje dhe hipermarkete. Duke vepruar kështu, u lëshuan 47 vendime për mospërputhje të identifikuara dhe u shqiptuan 29 gjoba me një vlerë totale prej 82 mijë eurosh. Gjithashtu, u shkatërruan në mënyrë të padëmshme 22.3 ton ushqim të pasigurt, pjesa më e madhe e të cilit ishte mish. Tek 15 operatorë u përcaktuan kushte higjienike dhe teknike të pakënaqshme në objekt, tek 12 u gjet ushqim me datë skadimi të skaduar, dhe tek 5 ushqim pa gjurmueshmëri, me paketim të dëmtuar dhe të padeklaruar.
Tre nga operatorët e kontrolluar nuk kryen ekzaminimet e detyrueshme shëndetësore për punonjësit, 10 nuk mbanin të dhëna për HACCAP, praktikat e mira të higjienës dhe praktikat e mira të prodhimit. Tek 4 operatorë u gjetën produkte të etiketuara në mënyrë të papërshtatshme, dhe një strukturë nuk ishte e regjistruar. Këto janë vetëm një pjesë e kontrolleve të zakonshme, por edhe atyre të jashtëzakonshme të autoriteteve në vend në më shumë se pesë muajt e parë të vitit. (Fisnik Pasholli, koha.mk)