Lajme

Rutina e mëngjesit për të rritur dopaminën dhe për ta nisur ditën me humor të mirë

Shpesh e nënvlerësojmë se sa shumë ritualet e mëngjesit mund të përcaktojnë tonin e gjithë ditës.

Kur i jep përparësi aktiviteteve që nxisin çlirimin natyral të dopaminës, nuk po zgjohesh thjesht, po i jep trurit një avantazh për t’u ndier i motivuar dhe i balancuar.

“Dopamina është një neurotransmetues, pra një kimikat që çlirohet nga qelizat e trurit, dhe lidhet kryesisht me motivimin, të nxënit dhe përforcimin,” thotë Mia Soviero, studiuese e neuroshkencës që ka kryer kërkime në NYU Langone Health dhe në Institutin Zuckerman të Universitetit Columbia.

“Nuk ka të bëjë vetëm me ndjesinë që të jemi mirë. Kryesisht ka të bëjë me të mësuarit dhe motivimin.

Ajo e ndihmon trurin të kuptojë cilat veprime ia vlen të përsëriten dhe cilat zakone duhet të përforcojmë,” shton Soviero, e cila ka themeluar edhe organizatën jofitimprurëse Research Girl, Inc., për të mbështetur studiuesit e rinj.

Një keqkuptim i zakonshëm, thotë ajo, është se nivelet e dopaminës duhet të jenë gjithmonë të larta. Në fakt, ato duhet të luhaten.

“Nuk duam dopaminë vazhdimisht shumë të lartë, por një sistem të shëndetshëm dopamine. Qëllimi është të krijosh modele të mira, ku dopamina çlirohet siç duhet.”

Ja si i strukturon Soviero mëngjeset për ta mbajtur sistemin e dopaminës të shëndetshëm:

Hapi 1: Ekspozimi ndaj dritës së diellit

Rutina ideale nis një natë më parë: gjumi i mjaftueshëm vendos bazën për ditën tjetër. Në mëngjes, ajo sigurohet të marrë dritë dielli.

“Hapja e perdes dhe marrja e disa minutave dritë dielli në fytyrë është provuar shkencërisht se ul simptomat e depresionit, veçanërisht te depresioni sezonal.”

Drita ndikon drejtpërdrejt te ritmi cirkadian. Mungesa e saj mund të rrisë melatoninën dhe të ulë serotoninën, duke sjellë ndjesi plogështie.

Hapi 2: Sudoku

Soviero rezervon kohë për aktivitete të vogla, por domethënëse, si zgjidhja e një Sudoku ditore. “Është një mënyrë e shkëlqyer për ta nisur ditën me pak dopaminë.”

Risi dhe përvoja pozitive të papritura rrisin dopaminën; prandaj edhe enigmat, fjalëkryqet apo puzzle kanë efekt të ngjashëm.

Hapi 3: Dërgo një mesazh një miku

Çdo mëngjes, ajo dërgon një mesazh të thjeshtë: “Mirëmëngjes, si je sot?” “Njerëzit janë biologjikisht të ndërtuar për lidhje,” thotë ajo.

Kontakti social përmirëson humorin dhe është i dobishëm jo vetëm për trurin, por edhe për trupin.

Izolimi dhe vetmia lidhen me rreziqe më të larta për sëmundje të zemrës, demencë dhe depresion, sipas CDC. / CNBC

3sgIgLJ.png