Pas paralajmërimit të Drejtorisë për Punë Hidrometeorologjike për rritjen e temperaturave maksimale nga 24 deri më 27 qershor, Instituti i Shëndetit Publik u bën thirrje qytetarëve, veçanërisht grupeve të cenueshme, që të respektojnë masat për mbrojtjen e shëndetit gjatë valës së të nxehtit.
Sipas ISHP-së, në kategorinë e personave më të rrezikuar përfshihen ata që punojnë në ambient të hapur dhe janë të ekspozuar ndaj temperaturave të larta dhe rrezatimit të drejtpërdrejtë të diellit, si punëtorët e ndërtimit, fermerët, policët e trafikut, punonjësit e shpërndarjes dhe të ngjashëm. Këta persona janë më të ndjeshëm ndaj sëmundjeve që lidhen me nxehtësinë për shkak të humbjes së lëngjeve gjatë punës.
ISHP thekson nevojën për respektimin e masave mbrojtëse në vendet e punës. Kjo përfshin ventilimin e mirë të ambienteve, përdorimin e kondicionerëve funksionalë, vendosjen e punonjësve në zona me hije dhe larg burimeve të nxehtësisë. Rekomandohet që punëtorëve t’u sigurohet një hapësirë me ajër të kondicionuar ku mund të freskohen përkohësisht gjatë orarit të punës. Po ashtu, sugjerohet shqyrtimi i mundësisë për punë online, orar fleksibil ose i shkurtuar, dhe kompensim të orëve të humbura në kushte më të përshtatshme.
Puna në ambiente të jashtme duhet të shmanget gjatë periudhës nga ora 11:00 deri në 17:00. Është e nevojshme të planifikohen pushime të shpeshta, të sigurohen mjaftueshëm lëngje dhe elektrolite, të ketë rrotullim të detyrave si dhe zhvendosje të punëtorëve në zona më të freskëta kur është e mundur. Rekomandohet gjithashtu ulja e intensitetit të punës, shmangia e orëve shtesë dhe ndërprerja e punës kur kjo konsiderohet e domosdoshme.
Vëmendje e veçantë duhet t’u kushtohet punonjësve të moshuar, atyre me sëmundje kronike, personave mbipeshë dhe grave shtatzëna, të cilët duhet të caktohen në pozita të përshtatshme sipas gjendjes së tyre shëndetësore. Duhet të sigurohen pajisje personale mbrojtëse dhe të lejohet heqja e tyre gjatë pushimeve. Kujdes i veçantë duhet treguar gjatë punës me kimikate, për shkak të rrezikut në rritje nga dehja, ndërsa inkurajohet vetë-raportimi i simptomave nga ana e punonjësve.
Sa u përket individëve, ISHP rekomandon një dietë të ekuilibruar, konsumimin e të paktën dy litrave ujë në ditë, shmangien e alkoolit dhe kafeinës, si dhe marrjen e elektroliteve në rast të djersitjes së shtuar. Po ashtu, këshillohet pushim i rregullt, gjumë i mjaftueshëm, dush freskues dhe edukim mbi përshtatjen ndaj temperaturave të larta. Rrobat duhet të jenë të lehta, pambuku, me ngjyra të çelëta, të shoqëruara me syze dielli, kapelë dhe krem mbrojtës me faktor mbi 30.
Njohja e hershme e simptomave të goditjes nga nxehtësia, si marramendje, lodhje, ankth apo të vjella, është thelbësore për parandalimin e pasojave serioze. Një punonjës që shfaq simptoma nuk duhet të largohet nga vendi i punës deri në stabilizimin e gjendjes ose marrjen e ndihmës mjekësore. Në raste emergjente, duhet të njoftohen menjëherë shërbimet e ndihmës së shpejtë në numrin 194 ose 112. Personi duhet të vendoset në një ambient të freskët, të shtrihet me këmbët e ngritura, të ftohet me kompresa të ftohta dhe ujë, ndërsa nëse është pa ndjenja, të vendoset në pozicion anësor.
Në përfundim, ISHP informon se për punëtorët e kategorive më të ndjeshme do të organizohen ekzaminime të jashtëzakonshme nga specialistë të mjekësisë së punës, me qëllim vlerësimin individual të aftësisë për punë në kushte të nxehtësisë ekstreme dhe nevojës për pushim mjekësor.