Rruga e Arbrit, e cila mundësoi që nga Tirana deri në Dibër të arrihet për vetëm një orë, pasi distanca u shkurtua nga 180 në vetëm 74 kilometra, jo vetëm që ka rritur frekuencën e qarkullimit në vendkalimin kufitar “Bllatë”, por ka rritur edhe çmimet e tokave në afërsi të saj
Vjollca SADIKU
Dibër – Rruga e Arbrit, e cila mundësoi që nga Tirana deri në Dibër të arrihet për vetëm një orë, pasi distanca u shkurtua nga 180 në vetëm 74 kilometra, jo vetëm që ka rritur frekuencën e qarkullimit në vendkalimin kufitar “Bllatë”, por ka rritur edhe çmimet e tokave në afërsi të saj. Kjo rrugë që lidh vendkalimin me qytetin e Dibrës është kthyer në një mundësi të madhe për zhvillim ekonomik lokal.
Ky është një moment që po shfrytëzohet nga biznesmenët vendorë për të hapur biznese të reja, pasi fluksi i udhëtarëve nga Shqipëria drejt Maqedonisë së Veriut dhe anasjelltas është shumë i lartë. Kohëve të fundit janë regjistruar raste kur pronarët e tokave në afërsi të rrugës “Bllatë –Dibër” kanë shitur pronat e tyre disa herë më shtrenjtë se një vit më parë.
Pronarët e tokave në këtë zonë thonë se ka një rritje të madhe të interesimit nga biznesmenë që duan të blejnë parcela për ndërtimin e pikave të karburantit, marketeve, hoteleve dhe objekteve të tjera afariste. F. R., një dibran që ditët e fundit ka shitur tokën e tij që ndodhet rreth 800 metra nga vendkalimi kufitar “Bllatë”, tregon se e kishte blerë para disa vitesh për 20 mijë euro, ndërsa tani e ka shitur për 150 mijë euro. “Dibrani që e bleu tokën time më tha se do të ngrejë një pikë karburanti. Ishte i bindur se çmimin që pagoi do ta kompensojë shpejt, pasi shtetasit shqiptarë çdo ditë vijnë në Dibër për t’u furnizuar me karburant për automjetet e tyre”, tha ai.
Ai shtoi se edhe një fqinj i tij ka shitur një parcelë tjetër për mbi 100 mijë euro, po ashtu një blerësi nga Dibra.
Sipas pronarëve, çmimet janë rritur disa herë për shkak të interesimit të madh për investime në këtë zonë. Një tjetër biznesmen dibran, me të cilin biseduam, tha se është në proces blerjeje të një parcele për ndërtimin e një objekti afarist, pa dhënë detaje për natyrën e biznesit që planifikon të hapë dhe duke preferuar të mbetet anonim.
Këto fusha, që dikur ishin të braktisura për shkak se pjesa më e madhe e tyre nuk punohej, pasi të rinjtë dibranë kanë migruar masivisht në shtetet e tjera, sot po u sjellin fitime të konsiderueshme pronarëve. Ndërtimi i Rrugës së Arbrit nga shteti shqiptar ka bërë që këto toka të fitojnë pozita atraktive për hapjen e bizneseve të reja.
Gjatë kalimit në vendkalimin kufitar “Bllatë”, mes Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë, në afërsi të Dibrës, takuam shumë shtetas shqiptarë që vijnë për të bërë blerje në Dibër. Ata thonë se blejnë produkte industriale, karburante dhe sende të tjera për nevojat e amvisërisë. Në pyetjen se si e komentojnë interesimin për hapjen e bizneseve në këtë zonë, ata u shprehën se kjo është në interes të përbashkët. “Ata që hapin biznese këtu do të kenë përfitime të mëdha materiale”, tha Asani, një shtetas shqiptar nga fshati Klloboçishtë.
Në anën tjetër të kufirit, në territorin shqiptar, po zhvillohen gjithashtu investime të mëdha dhe flitet se çmimi i tokës është rritur ndjeshëm. Në të dy anët e kufirit, banorët thonë se ndërtimi i Rrugës së Arbrit po ringjall ekonomikisht të dy Dibrat. (koha.mk)


