Lajme

Rreziqet që sjell pretenca ndaj Hashim Thaçit!

Shkruar nga Diplomatico

Gjykimi i UÇK-së si luftë gjeopolitike, pse fati i Thaçit nuk është thjesht çështje drejtësie

Nga arrestimi politik te kërkesa për dënime ekstreme, Gjykata Speciale shndërrohet në arenë përplasjesh mes SHBA-së, BE-së dhe Gjermanisë mbi Ukrainën, Ballkanin dhe kufijtë e pasluftës.

Arrestimi dhe mbajtja në paraburgim e Hashim Thaçit dhe krerëve të UÇK-së nuk përfaqëson vetëm një proces penal, por një zhvillim me peshë të rëndë politike dhe gjeopolitike. Aktakuza e ndërtuar kryesisht mbi materiale serbe dhe kërkesa për dënime deri në 45 vjet burg shënojnë një përpjekje për të dënuar vetë luftën çlirimtare si akt kriminal. Në sfond, përplasja SHBA–Gjermani, roli i administratës Trump dhe negociatat e mundshme me Rusinë për Ukrainën dhe Ballkanin e shndërrojnë çështjen Thaçi në pjesë të një pazari shumë më të madh. Vendimi final nuk do të jetë vetëm juridik, por politik, me pasoja të thella për Kosovën, rajonin dhe narrativën historike të luftës së UÇK-së.

Që prej arrestimit të Hashim Thaçit dhe krerëve të tjerë të UÇK-së, trajtimi që i është bërë kësaj çështjeje në publikun e Tiranës dhe Prishtinës ka qenë ose emocional, ose i instrumentalizuar për përfitim politik.

Në realitet, arrestimi flagrant dhe i ashpër nuk ishte gjë tjetër veçse një përgjigje politike, një ndëshkim për veprimet që Hashim Thaçi kishte ndërmarrë në momentin kur po përgatitej ndjekja penale ndaj tij dhe krerëve të UÇK-së.

Që do të niste faza e gjykimit, kjo dihej. E dinte edhe vetë Hashim Thaçi, pasi e ka pranuar publikisht në takime ndërkombëtare dhe ka rënë dakord për ngritjen e Gjykatës Speciale.

Hashim Thaçi, dhe kjo nuk është teori konspirative por fakt publik, vendosi t’i kundërvihej këtij pakti të pranuar dhe të bashkëpunonte me administratën Trump, në një përpjekje që solli çarjen e madhe SHBA–Gjermani.

Në vitin 2019, Hashim Thaçi la në mënyrë demonstrative mbledhjen me Angela Merkel në kancelarinë gjermane dhe shkoi menjëherë në ambasadën amerikane në Berlin, ku takoi Richard Grenellin.

Vetëm një muaj më pas, kancelarja gjermane e shpalli Grenellin persona “non grata” dhe e dëboi nga vendi. Grenell dhe Thaçi u bashkuan në një lëvizje të fortë që Donald Trump synonte ta realizonte jashtë kornizës së marrëdhënies me BE-në për marrëveshjen Kosovë–Serbi, ndërkohë që Thaçi mori premtimin se, në këmbim, do të mbyllej Gjykata Speciale.

Pikërisht për këtë arsye ndodhi arrestimi i ashpër i Hashim Thaçit, në momentin kur po nisej drejt Uashingtonit. Një arrestim që, sipas analizave politike, ka marrë urdhër nga Gjermania, e cila financon jo vetëm Gjykatën Speciale, por edhe struktura të tjera në Kosovë dhe Bosnjë, dhe ka pasur miratimin e strukturave të Departamentit të Shtetit dhe të Drejtësisë amerikane, apo të ashtuquajturit “deep state”, që nuk ishin në një linjë me Trumpin.

Këtë e ka artikuluar edhe një nga njerëzit më të afërt të Hashim Thaçit, Baton Haxhiu, i cili reagoi ashpër kundër Angela Merkelit menjëherë pas arrestimit të ish-presidentit të Kosovës.

Mbajtja e Hashim Thaçit në paraburgim për një kohë kaq të gjatë u justifikua, siç thuhet edhe në aktakuzë, me pretendimin se në liri ai do të pengonte drejtësinë ose do të kërcënonte dëshmitarët.

Ndërkaq, kërkesa për dënime deri në 45 vjet burg për secilin nga krerët e UÇK-së përbën një rrezik shumë më të madh se faza e parë e procesit.

Aktakuza është përqendruar thuajse 90% në materiale të prodhuara nga Serbia, përkatësisht nga shërbimi sekret dhe policia serbe, të cilat e akuzojnë Hashim Thaçin dhe të tjerët për vrasjen e policëve apo ushtarakëve serbë gjatë rezistencës së armatosur të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Në thelb, sot Gjykata Speciale po kërkon një dënim maksimal për UÇK-në si organizatë ushtarake, e cila ka qenë e njohur dhe aleate kryesisht e SHBA-së, Departamentit të Shtetit, CIA-s dhe Pentagonit.

E thënë hapur, po kërkohet që UÇK-ja të dënohet për aktet luftarake të kryera gjatë luftës, çka përbën një krizë të madhe politike dhe historike, e cila fsheh një rrezik shumë serioz.

Në këtë kontekst, sponsorët europianë të Gjykatës Speciale duket se po komunikojnë në distancë me SHBA-në, përkatësisht me Donald Trumpin, i cili shihet si i gatshëm të negociojë edhe me Rusinë për Ballkanin.

Gjermania, Franca dhe fuqitë e tjera europiane duket se po luajnë fort, duke bërë të ditur se janë gati të ndalojnë çdo skenar shkëmbimi territoresh, nga Krimea dhe Donbasi deri në Ballkan.

Madje, mesazhi ndaj Donald Trumpit dhe Vladimir Putinit është se, nëse Kosova do të përdoret si alibi për ndarjen e Ukrainës, Gjermania është e gatshme ta kthejë lojën në pikën zero, duke e rikthyer diskutimin te viti 1998 dhe lufta e UÇK-së.

Në këtë këndvështrim, ndëshkimi i krerëve të UÇK-së shihet si pjesë e këtij paralajmërimi.

Sot topi është në fushën e administratës Trump, e cila është e vetmja që mund të ndikojë realisht për shpëtimin e Hashim Thaçit, përmes një marrëveshjeje më të gjerë me BE-në për Ukrainën dhe Ballkanin.

Nëse kjo nuk ndodh, fati i Hashim Thaçit rrezikon të shndërrohet jo vetëm në një tragjedi personale, por në një ngjarje që mund ta kthejë kohën shumë mbrapsht për shqiptarët.

3sgIgLJ.png