Shkruar nga Wolfgang Müncau
Nga dështimi i parashikimeve për Ukrainën tek kërcënimi i një lufte hibride. Paraliza ekonomike, nënvlerësimi i Rusisë dhe braktisja e diplomacisë nga administrata Trump po e lënë Evropën të pambrojtur përballë një konflikti të mundshëm…
Viti 2026 mund të jetë i pari në jetën time që mbart një probabilitet real dhe aspak të pandjeshëm për një luftë më të gjerë në Evropë. Dhe rreziqet sapo janë rritur. Ndërhyrja e Donald Trump në Venezuelë dhe arrestimi i Nikolas Maduros, janë dëshmia më e qartë e deritanishme se gjeopolitika i është rikthyer doktrinës së “sferave të ndikimit” të epokës së Luftës së Ftohtë.
Për SHBA-në, prioriteti absolut mbetet Hemisfera Perëndimore. Sfera e ndikimit të Kinës shtrihet mbi Tajvan, ndërsa ajo e Rusisë mbi Ukrainën dhe pjesë të tjera të ish-Bashkimit Sovjetik. Teksa vëmendja e Amerikës është e shpërndarë diku tjetër dhe me një Putin plot vetëbesim, gjasat që kjo luftë të përshkallëzohet po rriten dita-ditës.
Gjatë Luftës së Ftohtë kur unë isha i ri, ekzistonte gjithmonë potenciali për një konflikt aksidental. Megjithatë, si Amerika, ashtu edhe Bashkimi Sovjetik, drejtoheshin nga njerëz që punonin intensivisht për ta parandaluar këtë skenar. Edhe në krizat më të ashpra, diplomacia arrinte që të mbizotëronte.
Gatishmëria retorike për konflikt
Sot, gjërat kanë ndryshuar rrënjësisht. Në të dyja anët e Atlantikut, në Rusi dhe në mbarë Evropën Perëndimore, shoh me shqetësim një gatishmëri retorike për konflikt të armatosur në një shkallë që nuk e kemi parë kurrë më parë.
“Rusia e ka rikthyer luftën në Evropë!” – deklaroi së fundmi Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rute, duke shtuar se “ne duhet të jemi të përgatitur për përmasat e një lufte të ngjashme me atë që kanë përjetuar gjyshërit dhe stërgjyshërit tanë”.
Në të njëjtën linjë, Shefi i Forcave Ajrore të Mbretërisë së Bashkuar, Marshalli Riçard Najton, u shpreh se situata është më e rrezikshme se në çdo kohë tjetër gjatë karrierës së tij: “Gratë dhe burrat, kolegët por edhe veteranët… të gjithë do të kenë një rol për të luajtur: për të ndërtuar, për të shërbyer dhe nëse është e nevojshme për të luftuar”.
Nga ana e tij, kreu i Agjencisë Federale të Inteligjencës në Gjermani, ka lëshuar paralajmërimin se Rusia mund të jetë në gjendje të sulmojë Evropën përpara fundit të kësaj dekade.
Lista e gjatë e gjykimeve të gabuara mbi Ukrainën
Nëse do të niste vërtet lufta me Rusinë, kjo nuk do të ndodhte vetëm sepse Trump e ka inkurajuar Putinin, por edhe sepse ne kemi lejuar që situata në Ukrainë të dalë jashtë kontrollit. Mbështetja jonë ndaj Kievit, ka qenë një ”katalog” i mirëfilltë gjykimesh të gabuara.
Kur të gjithë u mbështollën me flamurin ukrainas në vitin 2022, të ashtuquajturit ekspertë u treguan entuziastë për një fitore përfundimtare të Kievit. Gjeneralë në pension ishin në garë për parashikimet se sa shpejt do ta “kryente punën” Ukraina, pra të mposhtte Rusinë. Madje njëri prej tyre spekulonte se kjo do të ndodhte brenda dy javësh!
Sot, jemi gati 4 vjet në këtë konflikt dhe si anëtarët e të ashtuquajturit “koalicion i të vullnetshmëve”, ne evropianët e nxitëm Ukrainën të luftonte deri në fund, pa i dhënë asaj asnjë shans real për fitore. Dhe tani është plotësisht e besueshme që Rusia do të përfundojë duke pushtuar më shumë se 4 rajonet që kërkon, dhe që Ukraina të humbasë pavarësinë e saj.
E dehur nga suksesi, Rusia mund të kërkojë akoma më shumë. Dhe si për t’i përkeqësuar gjërat, disa zyrtarë evropianë kërkojnë tani hapur ndryshim regjimi në Rusi. Siç është shprehur së fundmi Përfaqësuesja e Lartë e BE-së për Politikën e Jashtme, Kaja Kallas: “Nuk ka ndonjë gjë të keqe, nëse një fuqi e madhe bëhet shumë më e vogël…”.
Hijet e vitit 1914 dhe realiteti i sotëm
Ne kemi qenë edhe më parë në këtë pikë. Përpara Luftës së Parë Botërore, të rinjtë gjermanë dhe austriakë ishin gjithashtu të etur për betejë, ashtu siç duken shumë evropianë sot. Gjermanët kishin zili gjyshërit e tyre që luftuan në betejat “e lavdishme” të Luftës franko-prusiane të 44 viteve më parë.
Atëherë, ashtu si tani, establishmenti politik dhe ushtarak e nënvlerësoi vështirësinë e luftës në realitet. Megjithatë, ekziston një ndryshim themelor. Në vitin 1914, ushtritë e Evropës ishin në gjendje të luftonin; një fitore e gjermanëve dhe austriakëve ishte të paktën një rezultat i mundshëm.
Sot, nuk është më e mundur që Ukraina ta fitojë luftën, dhe as që Evropa Perëndimore, pa ndihmën e SHBA-së, të jetë në gjendje ta mposhtë Rusinë.
Kërcënimi i padukshëm: Lufta hibride
Ky konflikt më i gjerë evropian, nuk do të jetë domosdoshmërisht një luftë klasike tokësore. Unë nuk mendoj se Putini ka plane për të pushtuar Evropën Perëndimore, siç pretendojnë shpesh zyrtarët e sigurisë.
Frika ime kryesore është lufta hibride: imagjinoni avionë që shpërthejnë mbi aeroportin Heathroë në Londër; një shpërthim në një stacion hekurudhor të tejpopulluar në Gjermani; ose ndoshta edhe një shpërthim bërthamor nënujor që provokon një cunami.
Brukseli, si shtëpia e NATO-s dhe BE-së, do të ishte veçanërisht i prekshëm. Dhe çdo kundërpërgjigje ndaj provokimeve të tilla do të përshkallëzohej me një shpejtësi marramendëse. Ky është lloji i luftës, për të cilin ne evropianët jemi më pak të përgatitur. Ekspertët perëndimorë të sigurisë, e shohin luftën hibride si një “zhanër më të ulët”
për njerëz “më të ulët”, siç i konsiderojnë ata rusët. Por ajo është vdekjeprurëse dhe ne evropianët jemi viktimat ideale sepse jetojmë në hapësira të ngushta dhe jemi tërësisht të varur nga infrastruktura dhe teknologjia kritike.
Nga perspektiva ruse, sulme të tilla nuk do të aktivizonin detyrimisht klauzolën e mbrojtjes së ndërsjellë të NATO-s. Tek e fundit, pse të pushtosh Estoninë, nëse mund të krijosh kaos të plotë në kryeqytetet evropiane, duke ruajtur njëkohësisht mundësinë për të mohuar përgjegjësinë?
Paraliza politike dhe ekonomike
Britania e Madhe nuk është e ndërgjegjësuar për këtë rrezik. Në nëntor 2025, Komiteti i Mbrojtjes paralajmëroi se qeveria po lëvizte “me hap breshke” për miratimin e “Programit të Mbrojtjes së Brendshme”, një strategji e re kombëtare për sigurinë kundër rreziqeve serioze, përfshirë sulmet jo tradicionale.
Ky program është vonuar për më shumë se një vit, edhe pse udhëheqësit britanikë janë të dëshpëruar për të rritur tonet e luftës. Është më e qartë se kurrë më parë se sistemet tona politike nuk janë gati për një luftë. Britania, Gjermania dhe Franca nuk janë të gatshme të paguajnë për Ukrainën nga buxhetet e tyre, apo të rrisin taksat.
Prandaj u treguan kaq të zellshme për të përdorur asetet ruse të ngrira në bankat evropiane. Tani që Belgjika – vendi ku mbahen shumica e këtyre aseteve – e ka bllokuar këtë lëvizje, politikanët evropianë do të duhet të flasin hapur me popujt e tyre. Problem mbetet elektorati.
Votuesit evropianë nuk do të pranojnë të sakrifikojnë mirëqenien e tyre për të financuar një luftë, dhe sondazhet tregojnë vazhdimisht mungesë mbështetjeje për ndihmën e mëtejshme financiare për Ukrainën.
Lufta si mjet shpërqendrimi
Ironia është se udhëheqësit e Evropës e shohin luftën si një mënyrë për të shmangur vëmendjen nga krizat e tyre të thella. Nëse do të vendosej paqja, BE-ja do të duhej të reformonte politikën e saj absurde mbi bujqësinë, duke ridrejtuar fondet nga fermerët francezë drejt Ukrainës.
Shpërdorimet e vazhdueshme do të bëheshin të pambrojtshme. BE-ja i pezulloi rregullat e saj fiskale për t’i hapur rrugë shpenzimeve të mbrojtjes. Pa një luftë në horizont, deficitet e larta janë të vështira për t’u arsyetuar. Lufta është alibia përfundimtare për politikat e dështuara, duke mbajtur në pushtet qeveri jofunksionale dhe duke vonuar llogaridhënien.
Gabimi i vjetër: Nënvlerësimi i armikut
Si shumë njerëz të tjerë të brezit tim, edhe unë kam menduar se evropianët kishin mësuar nga gabimet e së kaluarës. Por, siç paralajmëronte Sun Tzu 2.500 vjet më parë: “Nëse nuk njeh as armikun dhe as veten, do të dorëzohesh në çdo betejë!”.
Mjerisht, ne vazhdojmë të mbivlerësojmë veten dhe nënvlerësojmë armiqtë tanë. Në fillim, Putin e nënvlerësoi kundërshtarin me sulmin amator ndaj Kievit, por ai e mori veten. Sot, rusët bëjnë një luftë të mirë-organizuar dhe të financuar plotësisht.
Strategët e tij mund të arrijnë në përfundimin se tani është momenti i duhur për të nisur një luftë të zgjatur hibride kundër Evropës. E çfarë ka për të humbur? Ndërkaq vazhdojnë gjykimet tona të gabuara. Ashtu siç Napoleoni dhe Hitleri nënvlerësuan përmasat e Rusisë dhe dimrin e saj, politikanët tanë e nënvlerësojnë qëndrueshmërinë ekonomike të Rusisë.
Gabimi i parë, ishte mendimi se sanksionet do ta asfiksonin Rusinë ekonomikisht. Ne u mashtruam nga statistikat që thoshin se PBB-ja e Rusisë ishte sa ajo e Spanjës. Por në luftë ka rëndësi fuqia blerëse. Sipas kësaj njësie matëse, Moska shpenzon më shumë se dyfishin e Gjermanisë për mbrojtje, dhe e bën këtë me shumë më tepër efikasitet.
Fundi i diplomacisë dhe epoka e transaksionit
Në të kundërt, realistët gjeopolitikë si Henri Kisinger apo Xhorxh Kenan kishin një kuptim shumë më të thellë të politikës së superfuqive. Askush nuk do ta akuzonte Kisingerin për “butësi” ndaj Bashkimit Sovjetik, por ai nuk ishte as luftënxitës.
Asokohe, amerikanët mbanin kanale diplomatike me Rusinë dhe nuk merreshin me moralizime periodike mbi sundimin e ligjit. Puna e tyre ishte menaxhimi i rrezikut dhe e bënë këtë në mënyrë të admirueshme. Sot, Administrata Trump nuk merret me menaxhimin e rrezikut, por me kërkimin e avantazheve tregtare afatshkurtra.
Grenlanda mund të jetë objektivi i radhës. Burimet e saj të pashfrytëzuara e bëjnë një objektiv të qartë. Trump ka hedhur themelet për blerjen e saj, duke forcuar pozicionin e SHBA-së në Arktik, një rajon që Evropa e ka injoruar. As Kanadaja nuk është imune; Trump e ka identifikuar tashmë si një kërcënim për sigurinë, ndërkohë që ajo zotëron rezerva gjigante nafte.
E di që duket një çmenduri. Por kjo pasqyron një realitet të ri gjeopolitik, ku rreziku nuk menaxhohet më dhe diplomacia është zhvlerësuar. Bota e Luftës së Ftohtë ishte më e sigurt, jo sepse ishte e thjeshtë, por sepse në krye të saj ishin “të rriturit”.
Shënim: Wolfgang Münchau është drejtor i Eurointelligence.
