Lajme

RENEA neutralizon dy ekstremistët islamik në Pukë, dorëzohen pas 6 orësh negociata

Ka marrë fund rrethimi në Orosh, dy personat e armatosur janë vetëdorëzuar te policia.

Merr fund operacioni në Fushë- Arrëz rrethi Pukë, vetëdorëzohen dy personat e ngujuar në banesë.

Pas 6 orësh negociata, dy personat e armatosur që qëndronin të izoluar në një banesë të braktisur në fshatin Orosh të Fushë-Arrëzit, 24-vjeçari Juljan Çumraku dhe 34-vjeçari Arben Uka, kanë pranuar të dorëzohen.

Negociatat e vazhdueshme të policisë kanë dhënë rezultat. Pas përpjekjeve të mëparshme me vëllain dhe më pas me motrën e njërit prej të izoluarve të armatosur, forcat e rendit kanë arritur t’i bindin ata të dalin nga banesa.

Arben Uka dhe Julian Çumraku mendohet se kanë qenë më parë në Siri dhe i përkasin organizatave terroriste. 34-vjeçari Arben Uka i njohur edhe si Hamza Uka, sipas informacioneve ka qenë edhe Komando në Ushtrinë Shqiptare. Ky i fundit, më herët ka qenë në ndjekje nga antiterrori.

Operacioni antiterror, që po zhvillohej prej orësh, mbetet ende në progres për të siguruar zonën dhe për të verifikuar rreziqet e mundshme.

Raportohet se forcat RENEA do të kontrollojnë ambientin me qen për armë dhe eksplozivë që mund të jenë fshehur nga dy personat.

Dy të rinjtë qëndronin të fshehur në këtë banesë prej 1 muaji. Njëri prej personave të armatosur, është dëgjuar të thërrasë ‘Allahu Ekber’. Shtëpia ku fshiheshin është në pronësi të Mehill Jakut, ndërsa njëri prej tyre raportohet të jetë nipi i tij.

3sgIgLJ.png