Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në një intervistë për Deutsche Welle, ka folur hapur për raportet me kryeministrin në detyrë të Kosovës, Albin Kurti, si dhe për pozicionin e tij ndaj dialogut Kosovë–Serbi dhe procesit të integrimit evropian të Shqipërisë.
Rama theksoi se me Kurtin ruan një marrëdhënie miqësore, por mes tyre ekzistojnë dallime të pashmangshme në këndvështrime politike.
“Me Albinin kam një marrëdhënie shumë miqësore në aspektin personal, por kemi dallime në qasje. Këto dallime i ndajmë hapur dhe me respekt,” tha Rama.
Sa i përket bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve, Rama përmendi projektet e përbashkëta infrastrukturore, veçanërisht hekurudhën Durrës–Prishtinë, duke e cilësuar si “një vepër madhore që do të lidhë më fort Shqipërinë dhe Kosovën ekonomikisht dhe strategjikisht.”
Kryeministri shqiptar u shpreh qartë për procesin e dialogut Kosovë–Serbi, duke theksuar se Kosova duhet të përmbushë të gjitha detyrimet e saj dhe t’ia lërë përgjegjësinë Serbisë për çdo vonesë apo bllokim.
“Kosova duhet ta harrojë Serbinë në kuptimin që duhet të përmbushë në mënyrë të njëanshme të gjitha kërkesat e dialogut dhe t’ia lërë topin në derë Serbisë. T’i thotë Evropës: ne i përmbushëm të gjitha, tani kërkojeni firmën e Serbisë,” tha Rama, duke shtuar se Kosova duhet të shkëputet nga mentaliteti i përhershëm i përplasjes me Beogradin.
Duke iu përgjigjur kritikave të ardhura nga Kosova për qëndrimet e tij, Rama deklaroi se nuk ndien keqardhje për asnjë vendim të marrë dhe se veprimet e tij janë udhëhequr nga interesi kombëtar.
“Nuk i marr me të keq etiketimet. I mirëkuptoj, sepse burojnë nga kujtime të një kohe dramatike për popullin e Kosovës. Por s’jam pishman për asgjë që kam bërë, sepse çdo gjë e kam bërë për interesin kombëtar dhe atë të Shqipërisë,” theksoi ai.
Në lidhje me procesin e integrimit evropian, Rama tha se Shqipëria ka një kalendar ambicioz për të përmbushur detyrat e përcaktuara nga Komisioni Evropian brenda vitit 2027, duke synuar që deri në vitin 2030 vendi të jetë gati për anëtarësim.
“Kemi një kalendar shumë ambicioz të dakordësuar me Komisionin Evropian. Synojmë të përmbushim të gjitha detyrat deri në 2027, dhe pastaj procesi i ratifikimit do të zgjasë dy vite. 2030 është një datë reale, jo imagjinare,” deklaroi Rama.
Ai shtoi se Shqipëria dhe Mali i Zi janë vendet pararojë në procesin e anëtarësimit, ndërsa vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor përballen me pengesa të brendshme apo politike, si mosnjohja e Kosovës nga Serbia apo mosmarrëveshjet dypalëshe mes Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë.
Edi Rama përpiqet të balancojë raportet miqësore me Albin Kurtin dhe qëndrimin pragmatik ndaj dialogut Kosovë–Serbi. Ai kërkon nga Prishtina të përmbushë detyrimet e saj dhe të pozicionohet fuqishëm përballë Evropës, ndërsa për Shqipërinë thekson një kurs të qartë drejt integrimit evropian, me një afat konkret: 2030.
Një mesazh që shkon përtej kufijve politikë – për stabilitet, bashkëpunim dhe përgatitje për një Ballkan më të integruar dhe më evropian.


